Çaji, nga Kina në botë
2023-05-25 23:03:54

foto nga CFP

foto nga CFP

Kina është vendlindja dhe burimi i kulturës së çajit. Si shndërrohet një gjethe e thjeshtë në çajin me aromën e veçantë? Këtë e kanë kërkuar kinezët për mijëra vjet.

Sot, çaji kinez është përhapur në mbarë botën. Sipas të dhënave statistikore, çaji është i mirëpritur në rreth njëqind vende e rajone të botës, ndërsa pothuajse 2 miliardë banorë e kanë zakon pirjen e çajit. Mbi 50 vende të tjera kanë importuar farëra dhe bimë çaji.

21 maji u përcaktua si Dita Ndërkombëtare e Çajit më 27 nëntor 2019 në sesionin e 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, për të vlerësuar kontributin e çajit për ekonominë, shoqërinë dhe kulturën botërore. Në kuadër të kësaj dite, le t'i hedhim një vështrim disa fragmenteve të historisë së çajit.

foto nga CFP

foto nga CFP

Burimi

Çaji ka një histori shumë të gjatë. Në vitin 2001, në një rrënojë të qytetit Hangzhou në Kinën Lindore u zbulua një farë e bimës së çajit, me histori prej 8 mijë vitesh, 5 mijë më herët se një bimë çaji e egër në provincën Yunnan të Kinës Jugperëndimore.

Më e rëndësishmja është se kjo farë e bimës së çajit u zbulua në një shtresë të tokës që i përket periudhës së Neolitit, kur ajo u mbulua bashkërisht me farëra lisi, enë qeramike dhe sende të tjera të përdorura nga njeriu. Kjo vërteton se kjo farë çaji nuk mbeti aty rastësisht, por u mblodh nga njerëzit me iniciativën e tyre.

Sigurisht, para 8 mijë vitesh njerëzit s'kishin mundësi të hanin fara çaji, as ta përdornin për nxjerrjen e vajit, prandaj mund të hamendësohet se njerëzit e atëhershëm i grumbullonin farërat e çajit për mbjellje. Pikërisht kjo na bën të kuptojmë se të paktën para 8 mijë vitesh njerëzit dinin ta kultivonin bimën e çajit dhe përdorimin e gjetheve të saj.

Megjithatë në fillim çaji u përdor nga kinezët e lashtë jo si pije, por si bimë mjekësore. 

Kinezët e quajnë veten si pasardhës të Yandi-ut dhe Huangdi-ut, të cilët kanë qenë krerët e dy fiseve në shoqërinë e bashkësisë primitive në Kinën e lashtë. Ndër ta, Yandi, me titullin "Shennong", është krijuesi i mjekësisë tradicionale kineze. Sipas gojëdhënave, Shennong kishte provuar qindra barëra dhe helmohej shpesh prej tyre. Madje një herë ai u helmua 70 herë brenda një dite. Por ai shpëtonte gjithmonë sepse merrte me vete një bar mjekësor për heqjen e helmeve, i cili quhej "cha", d.m.th. çaji.

foto nga CFP

foto nga CFP

Përdorimi

Gojëdhënat kanë ardhur nga jeta reale. Në shoqërinë primitive, kinezët e lashtë i përdornin gjethet e çajit për ushqim, ashtu si gjethet e tjera të bimëve të ngrënshme. Gjatë këtij procesi, u zbulua edhe vlera e tyre mjekësore, duke u përdour si ilaç që para 8 mijë viteve.

Mijëra vite më vonë, deri te dinastitë Qin dhe Han (221 p.e.s-220 e.s), kinezët kishin zbuluar se gjethet e bimës së çajit kishin një aromë të veçantë dhe u sillnin kënaqësi. Kështu, këto gjethe filluan të shndërrohen dalëngadalë nga ilaçe bimore në pije. Atëkohë, i kufizuar në prodhim, çaji si pije përdorej vetëm nga aristokratët. Më shumë në atë periudhë njihej çaji i zi, që përftohej nga vënia me ujë në një tenxhere.

Më vonë, deri te periudha e Tre Mbretërive (220-265 e.s), ndryshoi si forma e çajit ashtu edhe metoda e përdorimit të tij. Atëkohë, gjethet e pemës së çajit nuk përdoreshin drejtpërdrejt si sot, por ruheshin përmes një forme të ngurtë të parapërgatitur çaji. Para se ta përdornin, njerëzit e thyenin bllokun, merrnin një copë nga grimcat e çajit, e hidhnin në ibrik dhe e zhytnin në ujin e zier.

Metodën e zhytjes së çajit në ujin e zier kinezët e kanë vijuar deri në ditët e sotme, por forma e çajit nuk merret më nga grimcat e një blloku çaji, por nga pjesa tërësore e gjetheve, sigurisht të përgatitura.

foto nga CFP

Lulëzimi

Gjatë dinastisë Jin (265-420 e.s) dhe dinastive Veriore dhe Jugore (386-589 e.s), çaji ishte i përhapur mes banorëve të thjeshtë dhe veçanërisht mes shkollarëve. Asaj kohe, dijetari Lu Yu shkroi "Klasiken e Çajit", librin më të hershëm mbi çajin në botë, ku përshkruhet gjendja e pirjes së çajit si modë dhe estetikë.

Të ndikuar nga libri i Lu Yu-së, budistët dhe veçanërisht murgjit e nivelit të lartë parapëlqenin pirjen e çajit për vetëkultivim. Atëkohë, njerëzit nuk e dinin ende se në çaj ka edhe substanca nxitëse, por duke u ndjerë të frymëzuar pas pirjes së çajit, mendonin se ai ndoshta kishte lidhje me rregullat e budizmit. 

Pushtuesit e dinastisë Tang (618-907) besonin budizmin dhe së bashku me përhapjen e  kësaj kulture në mbarë vendin,  nxitën edhe pirjen e çajit.

Në dinastinë Tang, pirja e çajit ishte bërë një zakon i jetës së përditshme të kombit Han, por lulëzimi i çajit si mall nuk u mbështet te estetika, por erdhi nga lufta, madje ishte çaji i vogël që e shpëtoi këtë dinasti mbretërore.

Përmes Rrugës së Mëndafshit, dinastia Tang bëri tregti me fiset përreth, duke ditur shumë mirë se mallrat më të kërkuara për to ishin mëndafshi dhe çaji. Në mesin e dinastisë Tang, ndodhi Rebelimi An-Shi, i cili gati e përmbysi pushtetin mbretëror. Qeveria e dinastisë Tang kishte shumë nevojë për kuaj lufte, ndërsa fisi ujgur në veriperëndim të dinastisë Tang kishte shumë dëshirë të shkëmbente kuaj me mëndafsh dhe çaj. Por vëllimi i prodhimit të mëndafshit ishte vështirë të ngrihej brenda një kohe të shkurtër, kështu që çaji u bë malli ideal për shkëmbimin e kuajve, pasi në atë periudhë edhe mes ujgurëve ishte përhapur budizmi. 

foto nga CFP

Rruga e lashtë Çaji-Kuaj/ foto nga CFP

Shkëmbimi i çajit me kuaj jo vetëm e shkëputi dinastinë Tang nga kriza politike, por nxiti zhvillimin ekonomik të saj. Kështu mbretëria Tang filloi t'i kushtonte rëndësi kërkesës së fiseve të vogla përreth për çaj. Në fund të fundit, shkëmbimi i gjetheve me kuaj ishte një tregti shumë fitimprurëse. Kështu qeveria mobilizoi krahinat juglindore të mbillnin sa më shumë gjethe çaji. Ndërkohë, nga prodhimi, ambalazhi e deri te shitja, u formua një zinxhir i plotë i industrisë së çajit. Për këtë, dinanstia Tang vendosi në veçanti taksën e çajit, për të plotësuar mungesat financiare pas luftës.

Tregtimi i çajit u bë kryesisht në zonat kufitare në perëndim të vendit, ndërsa çaji mbillej në juglindje. Për të pakësuar koston e transportit nga lindja në perëndim, tregtarët filluan të hapnin plantacione çaji në jugperëndimin e vendit, si provincat Yunnan, Sichuan dhe Guizhou, ku gjenden shumë kodra, relievi i të cilave ishte i përshtatshëm për mbjelljen e çajit. 

Kështu lindi Rruga Çaji-Kuaj, një tjetër segment i njohur i tregtimit krahas Rrugës së Mëndafshit, duke i dhënë gjithnjë e më shumë mundësi  perëndimorëve të pinin çaj.

foto nga CFP

foto nga CFP

Çaji dhe pasuria

Që nga dinastia Tang, çaji filloi të luante një rol të rëndësishëm në ekonominë e dinastive kineze të mëvonshme, Song, Yuan, Ming dhe Qing. 

Në fillim të dinastisë Qing (1644-1911), industria e çajit në Kinë arriti në kulm. Më të pasurit e globit në shekullin e 18-të Pan Zhencheng dhe Wu Bingjian në shekullin e 19-të vinin nga familjet e fermerëve të çajit në provincën Fujian të Kinës Juglindore. Ata bënë tregti me kompaninë “Shi San Hang” të Guangzhout, e cila “fshiu” të gjithë argjendin nga arkat e Britanisë dhe Rusisë.

Nga viti 1760 deri më 1800, Britania pati një zhvillim të vrullshëm ekonomik, ndërsa vëllimi i tregtisë midis Britanisë me dinastinë Qing zinte 78 për qind të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme të Kinës. Në vitin 1834, vëllimi i konsumit të çajit në Britani arriti në 53 milionë paund dhe e gjithë kjo sasi çaji importohej nga Kina.

Për britanikët, tregtimi i çajit ishte i njëjtë me tregtimin e argjendit. Në shekullin e 18-të, Kina ishte pikënisja e çajit, por gjithashtu edhe vendmbërritja e argjendit, madje quhet “varri e argjendit”. Kjo masë kolosale argjendi e ardhur nga “kontinenti i ri”, i zbuluar nga Kolombi, përbëhej në pjesën dërrmuese të saj nga “paratë e egra”, dmth nga trafiku i skllevërve afrikanë. Ky qarkullim i tregtimit quhet “Epoka e Argjendit”. 

Por kjo epokë përfundoi me zëvendësuesin e argjendit, opiumin. Gjatë një shekulli pas vitit 1800, çaji me Britaninë dhe opiumi me Kinën, dy gjëra me “narkomani” kishin ndryshuar fatet e dy vendeve. Britania deshi çajin e Kinës, por Kina nuk deshi opiumin e Britanisë. Kur paraja mundi drejtësinë, kjo mosmarrëveshje tregtare përfundoi me një luftë, që njihet si Lufta e Opiumit.

Suksesi i një perandorie nënkuptoi humbjen e një perandorie tjetër. E ashtuquajtura luftë opiumi ishte në fakt luftë për çajin.

Ndërkohë, edhe britaniku Robert Fortune ndryshoi historinë e çajit. Fortune, si botanist dhe kopshtar, gjatë banimit disavjeçar në Kinë, kishte vizituar shumë plantacione kineze, duke shkruar librin “Dy vizitat në qendrat kineze për prodhimin e çajit”. Ai e bëri të qartë se çaji i kuq dhe ai jeshil vijnë nga një lloj bime, por janë me teknika të ndryshme përgatitjeje. Me ngarkimin nga qeveria britanike dhe kompania “East India”, Fortune vodhi farëra çaji nga provinca Fujian e Kinës Lindore. Më vonë, ky lloj çaji kinez u transplantua me llojin indian dhe tipi i ri “Assam” u bë çaji i kuq më cilësor në botë. Sipas britanikëve, që e përdornin çajin e kuq me qumësht, aroma e theksuar e çajit “Assam” ishte më e përshtatshme me qumësht, ndërsa kinezët e përdornin çajin vetëm të zhytur në ujë.

Kështu filloi dhe konkurrenca mbi çajin e kuq. Në vitin 1871, vëllimi i eksportit të çajit të kuq nga India në Britani ishte vetëm 10 për qind të atij nga Kina, por 14 vjet më vonë, në vitin 1885, 50 për qind dhe në 1887-ën 80 për qind, falë metodës industriale që kompania “East India” përdori në prodhimin e çajit të kuq.

Robert Fortune konsiderohet si spiun tregtar nr.1 në botë. Ndërsa pas kompanisë “East India”, një tjetër kompani britanike, “Lipton” ka vijuar legjendën e industrisë së çajit deri më sot.

foto nga CFP

foto nga CFP

Çaji dhe kultura

Kina nuk është i vetmi prodhuesi i çajit në botë, por ajo ka kulturën e veçantë të çajit.

Dy mbretër kinezë kanë dhënë kontribut për zhvillimin e kulturës së çajit. Njëri është mbreti Hui Zong i dinastisë Song Veriore (960-1127), i cili përcakoi standardin e çajit cilësor: aromatik, i ëmbël, i theksuar në shije dhe i lëmuar. Këtu fjala e “ëmbël” nuk është si shije sheqeri, por një ëmbëlsi pas hidhësisë. Ky standard zbatohet edhe sot dhe ëmbëlsia pas hidhësisë është pjesë e filozofisë kineze.

Hui Zong i dinastisë Song parapëlqeu çajin e njomë të vjelë para fazës stinore “Qingming”. Ky zakon ekziston ende mes dashamirësve të sotëm të çajit. 

Çaji gjendet kudo në jetën e kinezëve. Në Kinë ka një shprehje: "Shtatë gjëra janë të domosdoshme për jetën e përditshme: drutë për djegie, orizi, vaji, kripa, salca, uthulla dhe çaji". Ndërkohë, për shkollarët, tetë gjërat e hijshme përfshijnë instrumentin muzikor, shahun, bukurshkrimin, vizatimin, poemën, verën, lulen dhe çajin. Pra, çaji nuk ndahet kurrë nga jeta e kinezëve, qoftë materiale, qoftë shpirtërore.

Në fund të vitit 2022, teknikat tradicionale kineze të përgatitjes së çajit dhe zakonet përkatëse u përfshinë në Listën e Trashëgimive Jomateriale të UNESCO-s.