Përmbytje të mëdha në Spanjë, mbyllen shkollat dhe universitetet
2023-05-25 14:45:57

Përmbytje të mëdha janë shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut që përfshinë Spanjën juglindore. Autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e shkollave, universiteteve dhe qendrave të kujdesit ditor.

Në rajonet e Murcias, Valencias dhe Andaluzisë janë shënuar problemet më të rënda nga moti i keq, ndërsa në Kartagjenë, rrugët u kthyen në lumenj, ku makinat u zhytën në ujë dhe baltë, teksa ekipet po bëjnë përpjekje për të nxjerrë ujin nga bodrumet e shtëpive, bën të ditur “RTSH”.

Në Valencia, në disa zona kanë rënë më shumë reshje shiu në 24 orët e fundit sesa kanë rënë në total në gjashtë muajt e mëparshëm, thekson Shërbimi Meteorologjik Spanjoll.

130 litra ujë për metër katror ranë brenda një periudhe 24-orëshe në qytetin e Odinientit, një rekord shiu për muajin maj prej më shumë se 100 vjetësh. Shirat e dendur erdhën pas një periudhe të gjatë thatësie. Tremujori i parë i vitit 2023 ishte më i thati që nga viti 1961, kur të dhënat filluan të regjistroheshin, sipas shërbimit meteorologjik spanjoll. (Elona)