Pekin, zhvillohet Samiti Global i Nxitjes së Tregtisë dhe Investimeve 2023
2023-05-25 11:45:49

Foto nga CCPIT

Foto nga CCPIT

Të mërkurën u zhvillua në Pekin Samiti Global i Nxitjes së Tregtisë dhe Investimeve për vitin 2023, ku morën pjesë politikanë të huaj, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe të institucioneve ekonomike, përgjegjës të agjencive për nxitjen e tregtisë, personalitete të qarqeve politike, akademike e të biznesit, si edhe krerët e 500 kompanive kryesore të botës, të cilët diskutuan për bashkëpunimin dhe për krijimin e një të ardhmeje më të mirë.

 

Tani ekonomia botërore ka nevojë urgjente për mëkëmbje pas shpërthimit të pandemisë dhe gjendet përballë me sfida e kriza të shumta. Tregtia ndërkombëtare ka një rritje të dobët dhe disa vende kanë vështirësi në mëkëmbjen ekonomike. Lidhur me këtë, themeluesi dhe presidenti ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror, Klaus Schwab, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në një videofjalim në këtë samit.

 

“Duke u fokusuar te tema e samitit të sivjetshëm ‘Bashkëpunim për përfitime të përbashkëta me besim të vendosur, ndërtim i ekonomisë së hapur botërore’, dua të theksoj që vetëm kur të veprojmë globalisht dhe të krijojmë një gjendje me përfitime të përbashkëta, do të mund të arrijmë rigjallërimin ekonomik. Kemi interesa të ndryshme, por kemi më shumë nevojë për bashkëpunim global, për t'i shndërruar krizat në raste dhe për të realizuar përfitime të përbashkëta,” theksoi Schwab.

 

Presidentja e Bankës e Bankës së Re të Zhvillimit, ish-presidentja braziliane Dilma Rousseff, u shpreh që disa vende zbatojnë unilaterizmin dhe proteksionizmin, me qëllim që “të kufizojnë” Kinën me politikat e shkëputjes. Ky është kërcënimi kryesor që po përballon globalizimi.

 

Foto nga CCPIT

Foto nga CCPIT

“Veprimet e ndërprerjes së zinxhirit industrial të gjysmëpërcjellësve të Kinës nëpërmjet shtimit të njëanshëm të tarifave doganore dhe miratimit të Projektligjit të Mikroçipave dhe Shkencës, do të trazojnë zinxhirin global të vlerës dhe do të shtojnë më tej ndarjen e globalizimit. Vendet në zhvillim do të ndikohen nga politikat e shkëputjes si edhe vendet e zhvilluara. Liderët e vendeve përkatëse kanë paraqitur dyshime për pengimin e Kinës me mendësinë që fituesi merr gjithçka. Përpara proteksionizimit dhe politikave të njëanshme, vendet në zhvillim dhe ekonomitë e reja kanë hasur shumë vështirësi. Përdorimi i sanksioneve si armë dhe ‘shtrirja e tepruar e juridiksionit’ nuk zgjidhin asnjë problem dhe sjellin më shumë vështirësi e mosbarazi në rritjen ekonomike dhe zhvillimin shoqëror,” theksoi Rousseff.

 

Në tremujorin e parë, GDP-ja e Kinës shënoi rritje me 4.5%. Qysh nga prilli, treguesit kryesorë ekonomikë të Kinës, si konsumi, investimet dhe import-eksporti kanë ruajtur prirjen e mirë, shtysat e reja janë në rritje të pandërprerë dhe tregu me përmasa gjigante po tregon epërsi më të madhe. Pjesëmarrësit në këtë samit janë të mendimit që ekonomia kineze po mëkëmbet me rritje të qëndrueshme dhe po jep kontribut të rëndësishëm për mëkëmbjen globale.

 

Kryetari i Këshillit për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës Ren Hongbin u shpreh që qeveria kineze i kushton rëndësi nxitjes së tregtisë. Qysh nga viti 1952 kur u formua, ky këshill ka dhënë kontribut pozitiv për shtimin e lidhjeve mes ndërmarrjeve kineze e të huaja, forcimin e shkëmbimeve tregtare ndërkombëtare dhe nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve mes palëve të ndryshme.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Ne do të dendësojmë më tej rrjetin e shërbimeve për ndërmarrjet, do të zgjerojmë qarkun e miqve të huaj, do të shfrytëzojmë funksionet e këshillit tonë në ndërlidhjen qeveri-ndërmarrje, integrimin brenda-jashtë, lehtësimin e lidhjeve ofertë-kërkesë, do të ndërtojmë më shumë platforma, do të ofrojmë më shumë shërbime cilësore, do të ndihmojmë më mirë qarqet e biznesit të palëve të ndryshme të shfrytëzojnë mundësitë e tregut, të investimeve e të rritjes, do të luajmë rol më të madh për hapjen me nivel të lartë dhe nxitjen e bashkëpunimit tregtar ndërkombëtar, si edhe do të japim kontribut më të madh për ndërtimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit,” u shpreh Ren.

 

Kryetari i Këshillit të Biznesit ShBA-Kinë Craig Allen u shpreh në fjalimin e rastit se, në 50 vjetët e fundit, Këshilli i Biznesit ShBA-Kinë dhe Këshilli për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare i Kinës, si edhe kompanitë e të dy palëve, kanë bërë përpjekje të përbashkëta, duke tejkaluar mosmarrëveshjet afatshkurtra dhe duke u bërë gur themeli për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe. "Lidhjet e shëndetshme dhe të balancuara ekonomike ShBA-Kinë përputhen me interesat e dy palëve dhe ne presim që në të ardhmen të bashkëpunojmë me Këshillin për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës  dhe të nxisim bashkërisht zhvillimin e shëndetshëm të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare ndërmjet ShBA-së dhe Kinës," u shpreh ai.

 

“Në vitin 2023, lideri kinez shpalli në 'dy sesionet' që Kina do të nxitë më tej reformën dhe do të thellojë bashkëpunimin ndërkombëtar. Kjo na ka inkurajuar shumë. Kompanitë amerikane në mënyrë shumë të qartë kanë marrë sinjalin pozitiv të lëshuar nga qeveria qendrore dhe pushteti vendor që Kina do të vazhdojë të hapë mjedisin e biznesit dhe të tërheqë investimet e huaja. Prej vitesh, partnerët kinezë dhe ne kemi pasur bashkëpunim miqësor dhe kemi nxitur një rritje më të fuqishme. Presim që në 50 vjetët e ardhshëm të vazhdojmë bashkëpunimin me Këshillin për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës dhe të nxisim zhvillimin e shëndetshëm të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare mes Kinës e SBA-së nëpërmjet dialogut dhe kontakteve konstruktive,” tha Craig Allen në fjalimin e tij.  (Jiang Lei)