Foto nga VCG
Ndërtimi i një projekti rezidencial për rreth 4000 punonjës të gjigantit kinez të tregtisë elektronike “JD” filloi në Pekin më 4 maj, Ditën Kombëtare të Rinisë në Kinë. Ekspertët e industrisë besojnë se projekte si ky mund të plotësojnë segmentin e zakonshëm të pronave.
Me një sipërfaqe totale bruto prej më shumë se 300.000 metra katrorë, projekti përfshin një investim prej më shumë se 6 miliardë juanë (854.49 milionë dollarë).
I quajtur “JD Youth City”, projekti do të pajisë secilën prej apartamenteve të tij me mobilie dhe pajisje elektrike për të lejuar punonjësit e kompanisë të zhvendosen menjëherë pas përfundimit të ndërtimit, sipas kompanisë së tregtisë elektronike me seli në Pekin. “JD Youth City” do të përbëhet nga ambiente për aktivitete të kohës së lirë, argëtim dhe sport. Gjithashtu, do të ngrihet një kopsht që mund të mbajë deri në 12 klasa.
Objekti është në përputhje me përpjekjet e “JD” për të përmirësuar kushtet e jetesës së punonjësve të saj. Në dy dekadat e fundit, kompania ka shpenzuar më shumë se 22 miliardë juanë në ndërtimin e mbi 25.000 banesave të punonjësve në mbarë vendin, tha Zhang Pang, shefi i burimeve njerëzore të “JD”.
“Projekte të tilla si “JD Youth City” mund të adresojnë mungesën e kërkesës adekuate për strehim në disa qytete dhe të plotësojnë në mënyrë efektive kërkesën për qira me cilësi të lartë si dhe për banesa në pronësi personale nga banorët jo vendas dhe brezi i ri. Ata gjithashtu mund të kontribuojnë në krijimin e një sistemi strehimi afatgjatë me kanale të shumta furnizimi dhe t'i kushtojnë rëndësi të njëjtë si dhënies me qira ashtu edhe blerjes së shtëpisë”,- tha Xie Chen, kreu i kërkimit në “CBRE China”, një firmë tregtare për shërbime të pasurive të paluajtshme dhe investime.
Rritja e përfitimeve të punonjësve me anë të apartamenteve të stafit sigurisht që lehtëson presionin e strehimit, tha Shaun Brodie, drejtor dhe kreu i kërkimit në “Cushman & Wakefield”, një firmë globale e shërbimeve të pasurive të paluajtshme. Sipas tij, një mjedis i mirë jetese plotëson edhe nevojat e brezit të ri që kërkon një cilësi të mirë jetese. Ai theksoi se për shumicën e kompanive, tërheqja e talenteve të nivelit të lartë dhe aftësia për t'i mbajtur ata është thelbësore për zhvillimin afatgjatë të kompanive.
“Ndërmarrjet e mëdha kineze si “Gree”, “Huawei”, “JD”, “Wahaha” dhe “Hongxing Erke” po ndërtojnë apartamente për punonjësit e tyre dhe kështu vendosin një këndvështrim të ri”, tha Li Yujia, kryekërkuesi në qendrën kërkimore të politikave rezidenciale të Institutit të Planifikimit Guangdong.
Sipas tij, ideja e ofrimit të banesave si përfitim për punonjësit po bëhet shpejt e popullarizuar në mesin e ndërmarrjeve vendase. Ai theksoi se projekte të tilla strehimi do të plotësojnë kërkesat e anëtarëve të rinj të stafit për të jetuar në një vend që mund t'i bëjë ata të ndihen si në shtëpinë e tyre, ku ata mund të jetojnë me dinjitet dhe respekt.
“Prej vitesh, industria e pasurive të paluajtshme funksionon nën parimin “banimi është për banim, jo për spekulime”. Në këtë kontekst, masat si kompanitë e mëdha që ndërtojnë apartamente për personelin përputhen mirë me tendencat aktuale të tregut”,- tha Brodie.
“Ndërsa vendi vazhdon të përshpejtojë zhvillimin e banesave me qira me investime të larmishme dhe kanale të shumta furnizimi, shumë organizata po shtojnë përpjekjet e tyre për të zgjidhur problemet e jetesës së brezit të mesëm dhe të ri”,- tha Sheng Xiuxiu, drejtor i kërkimit të sektorit rezidencial dhe këshilltar global i pasurive të paluajtshme në “JLL China”.
Apartamentet e punonjësve mund të konsiderohen gjithashtu si një strategji për kompanitë me punë intensive për të tërhequr dhe mbajtur më mirë punonjësit e tyre, tha Sheng. Sipas Brodie, objektet si “JD Youth City” mund të ndihmojnë në nxitjen e zhvillimit ekonomik rajonal duke tërhequr talente të rinj në një zonë, qoftë qytet apo rajon.
“Për autoritetet vendore, mbështetja për ndërtimin e apartamenteve të punonjësve nga ndërmarrjet do të sjellë padyshim përfitime për investimet lokale, do të nxisë përpjekjet për të tërhequr talente dhe do të ndihmojë në transformimin ose përmirësimin e strukturës industriale lokale”,- tha Sheng.