Qanie Hyka e ka mbushur jetën e saj me mësimdhënien, edukimin e brezave me dashurinë për artin dhe të bukurën, me muzikën, skenën dhe koncertet. Ajo ka qenë nxënëse e kompozitorit të madh Agim Krajka, dhe ia ka dedikuar jetën e saj instrumentit të fizarmonikës. Gjithashtu ajo është autore e disa këngëve jo vetëm të kënduara dhe të shoqëruara me fizarmonikë prej saj, por dhe si autore teksti e muzike, çfarë e bën të lartë performancën e saj artistike. Ajo i ka dhuruar dhe vazhdon t’i dhurojë publikut shijakas e durrsak përkushtimin dhe dashurinë e pakufishme ndaj artit, dashurinë për nxënësit që e duan dhe e vlerësojnë për kontributin e saj në edukimin e tyre me shijen e së bukurës në art. Në një intervistë për Radio Ejani Qanie Hyka tregon për rrugëtimin e saj me muzikën dhe veccanërisht me instrumentin e fizarmonikës.
CMG: Si ju lindi pasioni për fizarmonikën dhe muzikën në përgjithësi?
Qanie Hyka: Unë që fëmijë dëshirën në përgjithësi për artin ma kanë mëkuar prindërit e mi, në veçanti mamaja ime e cila punonte nëpër shtëpi dhe këndonte këngët e bukura tradicionale të Shqipërisë së mesme. Unë u rrita me këtë dëshirë të madhe dhe kur shkova në shkollë mu shtua dëshira. Drejtori i shkollës më dërgoi në konkursin e shkollës së muzikës në Durrës, ku pata nderin dhe fatin të ishin në komision profesor Hajg Zaharjan, Kozma Lara dhe Agron Xhunga i cili më shoqëroi në piano me këngën “Stacioni më i dashur” i këngëtares Justina Aliaj, që e kisha idhull në atë kohë. Fitova konkursin për në Tiranë, por për arsye të kushteve ekonomike fillova në Durrës se nuk kisha mundësi të qëndroja në konvikt. Dëshirën për instrumentin e fizarmonikës mendoj që ne si fis e kemi pasur në gen sepse dy djemtë e xhaxhait tim ishin fizarmoniçistë të mrekullueshëm në fshat, ku njëri prej tyre Fadil Hyka ishte përgjegjës i vatrës së kulturës të fshatit. Ne u rritëm me dëshirën për fizarmonikën. Fati e deshi që në shkollën e muzikës u inkuadrova në instrumentin e fizarmonikës dhe na përgatitën për mësuesi, për të dhënë edukatën muzikore nëpër shkolla. Mësuesi im i parë i fizarmonikës ishte profesor Hajdar Haxhihyseni, të cilin e përshëndes dhe e respektoj shumë. Ai na mësoi dhe na vuri duart për herë të parë në tastierë. Pastaj tre vitet e tjera të shkollës së mesme më dha leksione për fizarmonikën profesor Vasil Mema, ish drejtor i shkollës së muzikës.
CMG: Pra ju e keni të trashëguar muzikën nga familja juaj?
Qanie Hyka: Po, madje edhe vëllai im i cili sot ndodhet në emigrim kishte shumë dëshirë të mësonte fizarmonikën. Mirëpo ishin kushtet e vështira ekonomike, sepse ne ishim 12 fëmijë dhe nuk i përgjigjeshim dot dhe e kam peng që vëllai im nuk e ushtroi dot fizarmonikën. Megjithatë u inkuadrova unë me dëshirë të madhe dhe faleminderit të gjithë stafit të shkollës së mesme të muzikës.
CMG: Ju keni dhënë një kontribut të madh edhe në fushën e mësimdhënies. Si kanë qenë vitet tuaja në arsim, duke ju mësuar nxënësve instrumentin e fizarmonikës?
Qanie Hyka: Ka qenë një kënaqësi e madhe kur kam filluar punë si mësuese. Megjithëse unë nuk e dija që isha për mësuesi, por se do të këndoja sepse babai im më tha që do këndoja. Unë e dija shkollën e muzikës për të kënduar, por kur bëmë praktikën pedagogjike njëmujore filluam mësuesinë. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe e paparashikueshme, në një zonë ku ishte një shkollë e madhe me 1200 nxënës në vitin 1976 kur unë kam filluar me gjashtë klasa paralele, një shkollë e mirë por me përkushtim të madh. Mua më ka mbështetur ai komunitet sepse kanë punuar me mua, kanë qëndruar me mua në shtëpitë e tyre kur bënim prova mbas orëve të mësimit, sepse ishte i ngjeshur aktiviteti në atë kohë. Kur kisha dy muaj që kisha filluar punë më erdhi nga komiteti për konkurim shkollash dhe më duhej të punoja me fëmijët. Kam marrrë një ndjesi të jashtëzakonshme
CMG: Keni pasur ndonjë moment tjetër të bukur në shkollën ku keni punuar?
Qanie Hyka: Një moment tjetër i bukur shumë për mua, por dhe i vështirë ka qenë kur më vjen nga komiteti një shkresë me urdhër për të kompozuar këngë. Më thërret drejtor Mynyr Domi në zyrë dhe unë i thashë se nuk kam mbaruar për kompozicion, por ai më tha që duhet ta bëja patjetër. Kështu që i hyra punës dhe bëra një kompozim të parë këngën “Mësueses së re” që fitoi çmimin e dytë në anketën muzikore të qytetit të Shijakut. Këtë këngë e interpretuan dy vajza gjimnaziste të asaj kohe dhe e orkestruan pedagogët që kam pasur në shkollën e mesme. Ky ka qenë me të vërtetë një moment shumë i bukur.
CMG: Keni plot 42 vite që keni dhënë mësim në të njëjtën shkollë, duke përgatitur breza të tërë nxënësish. Si jeni ndjerë mes kolegëve dhe a takoheni shpesh me ish nxënësit tuaj?
Qanie Hyka: Në përgjithësi me kolektivat kam kaluar shumë mirë sepse të gjithë punonin në drejtimet e veta. Unë e kisha pak më të rënduar sepse plus orarit mësimor që kishim normën atëhere, kisha edhe aktivitete dhe ishte dyfish i punës. Megjithatë kam pasur marrëdhënie të mirë ku edhe sot e kësaj dite takohemi. Me ish nxënësit marrëdhëniet i kam të mrekullueshme. Ato edhe sot me marrin në telefon ose më shkruajnë në Facebook sepse teknologjia ka bërë punë e saj. Ato janë gjyshër sot me nipër dhe mbesa dhe unë kam kënaqësi kur më flasin dhe më urojnë, më komentojnë në Facebook dhe marr kënaqësi.
CMG: Sa e pëlqen brezi i ri sot muzikën dhe veçanërisht instrumentin e fizarmonikës?
Qanie Hyka: Në përgjithësi brezi sot ka një dëshirë të jashtëzakonshme për artin dhe për fizarmonikën kanë shumë dëshirë, pra për të gjitha instrumentat që janë me tastierë. Unë kam patur dhe kam grupe private me fëmijët jo të zonës time, por të qytetit të Durrësit dhe kanë arritur goxha. Mbasi i kam dhënë katër vite fizarmnikë kanë shkuar pastaj në shkollat e muzikës, ku një ndër to është edhe Bled Domi që është në Universitetin e Arteve sot. Ai ka qenë nxënësi im katër vite në fizarmonikë. Gjithashtu Diana Tusha, e cila ka vazhduar shkollën e mesme të muzikës, Liza Preka mbasi ka mbaruar katër vite fizarmonikë ka filluar shkollën e muzikës për muzikologji, si dhe shumë fëmijë të tjerë. Pra fëmijët e kanë shumë të madhe dëshirën për të mësuar fizarmonikën. Edhe tani konktertisht më vijnë fëmijë në shtëpi, ku duan të mësojnë instrumentin e fizarmonikës. Unë do t’i përkushtohem deri në fund sepse është pasioni im fizarmonika, plus kënga dhe krijimi.
CMG: Cilat kanë qenë disa nga krijimet tuaja muzikore që ju keni kompozuar?
Qanie Hyka: Krijimet e mia muzikore i kam pasur të kahershme dhe nuk i kam ekspozuar. Ka qenë kënga e prindërve që e kam kompozuar vetë, këngën për bashkëshortin tim që ka ndërruar jetë, për Astrit Alushin një njeri intelektual i rrallë dhe një bashkëshort model. Gjithashtu kam kompozuar këngë për paqen dhe pikërisht “Pëllumbin e paqes” e kam kompozuar në vitet 97, ku unë isha me fizarmonikë dhe fëmijët këndonin. Kam krijuar këngë për jetën time, si dhe kam dhe shumë krijime që nuk i kam publikuar.
CMG: Sa kohë i kushtoni në ditë fizarmonikës?
Qanie Hyka: Unë merrem dy orë në ditë me fizarmonikën, por fati i keq që kam një instrument të prishur, një instrument që ma ka blerë bashkëshorti që në vitin 1980 kur jam fejuar. Megjithatë me atë punoj sepse e kam dashuri atë instrument dhe këngën në përgjithësi e kam dashuruar më shumë se çdo art tjetër, pavarësisht se çfarë arrita, prapë i dedikohem prindërve të mi dhe bashkëshortit tim.
CMG: A keni ndonjë idhull në muzikën shqiptare?
Qanie Hyka: Idhuj në muzikën shqiptare kam këngëtarët e muzikës tradicionale shqiptare. Kam pasur idhull Fitenete Rexhën, Nexhmije Pagarushën, dhe në kohët e sotme në muzikën popullore kam idhull Merita Halilin. Në përgjithësi mua më pëlqen shumë muzika klasike, pavarësisht se në jetë nuk mora atë drejtim sepse kështu më erdhi jeta.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj
Qanie Hyka: Unë përshëndes të gjithë stafin e Radio Ejani, jeni të mrekullueshëm dhe punoni me aq përkushtim, ju kam ndjekur dhe do ju ndjek vazhdimisht sepse përcillni vlera të vërteta të artit shqiptar dhe muzikën e bukur tradicionale shqiptare. Për të gjithë artëdashësit dhe të gjithë brezat që unë ju kam dhënë mësim i dua, i respektoj shumë dhe unë jetoj me to.
Intervistoi: Gazmend Agaj