Ambasadori i ri i Kinës e nxit ShBA-në t'i kthejë marrëdhëniet dypalëshe në rrugën e duhur
2023-05-24 11:43:06

Foto nga VCG

Foto nga VCG

 

Ambasadori i ri i Kinës në ShBA, Xie Feng, e nxiti të martën Uashingtonin të bashkëpunojë me Pekinin për të shtuar dialogun, për të menaxhuar dallimet dhe për të rritur bashkëpunimin, me synimin për t'i kthyer marrëdhëniet kino-amerikane në rrugën e duhur.

 

“Si përfaqësues i popullit kinez, kam ardhur këtu për të garantuar interesat e Kinës dhe unë e shoh këtë si përgjegjësinë time të shenjtë,” tha Xie për mediat pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar "John F. Kennedy" të Nju-Jorkut.

 

Duke e pranuar që marrëdhëniet Kinë-ShBA po përballojnë "vështirësi dhe sfida serioze", Xie theksoi që ai do të zbatojë përgjegjësitë e tij dhe do të përpiqet me zell dhe vullnet.

 

Duke ritheksuar tre parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të dyanshme të parashtruara nga lideri kinez për marrëdhëniet kino-amerikane, Xie u shpreh që kjo përfaqëson bazën dhe rrugën e drejtë për marrëdhëniet dypalëshe në epokën e re.

 

“Ne shpresojmë që ShBA-ja do të ecë në të njëjtin drejtim me Kinën dhe do të veprojë në përputhje me interesat e përbashkët të të dy popujve dhe të botës, duke i trajtuar në mënyrë të përshtatshme çështjet e rëndësishme dhe të ndjeshme, si çështja e Tajvanit, sipas parimeve të tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane,” theksoi ai.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ambasadori Xie është 59 vjeç dhe është një diplomat veteran dhe ekspert për çështjet amerikane. Ai ka punuar në ambasadën e Kinës në ShBA nga viti 2008 deri më 2010.

 

Duke folur për postin e kaluar në Uashington, ai tha kur mbërriti të martën në Nju-Jork se bota dhe SHBA-ja kanë pasur ndryshime gjigante.

 

“Gjatë mandatit tim, unë shpresoj të kem shkëmbime të dendura me popullin amerikan nga të gjitha qarqet dhe të shikoj e të dëgjoj për këtë vend nga afër, duke eksploruar mënyrat për thellimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit,” tha Xie.

 

Ambasadori kinez theksoi gjithashtu që ai shpreson të krijojë miqësi me mediat dhe njerëzit nga sektorët e tjerë.

 

“Le të punojmë bashkë për marrëdhëniet Kinë-ShBA me njohuri e veprime, me guxim dhe vullnet,” u shpreh ai.

 

Xie është ambasadori i 12-të i Kinës në ShBA. Ambasadori i mëparshëm ka qenë Qin Gang, i cili tani është këshilltar shteti dhe ministër i Jashtëm i Kinës dhe që e përfundoi mandatin e tij në ShBA në muajin janar.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Me të mbërritur, ambasadori Xie u dërgoi letra komunitetit kinez dhe studentët kinezë në ShBA, duke u shprehur përshëndetjet dhe urimet  e veta më të mira.

 

Xie tha në letrën e tij që komuniteti i kinezëve në ShBA është një urë që lidh dy vendet dhe është pjesë përbërëse e marrëdhënieve dypalëshe. Ai shpreson që ata do të japin mbështetjen dhe kontributin e tyre të vlefshëm për marrëdhëniet dypalëshe.

 

Diplomati vlerësoi gjithashtu studentët kinezë që kaluan vështirësi të shumta për të vijuar studimet dhe kërkimin shkencor në vendin në anën tjetër të Paqësorit dhe i inkurajoi ata “të paraqesin një Kinë të vërtetë para miqve të tyre amerikanë.”

 

“Te ju unë shoh forcën dhe vullnetin që karakterizon kombin kinez. Jam shumë krenar për ju,” thotë Xie në letrën e tij për studentët kinezë në SHBA. (Jiang Lei)