Kanë - Regjisorët dhe aktorët kinezë theksojnë rëndësinë e komunikimit ndërkombëtar
2023-05-24 15:50:43

Foto nga VCG

Regjisorët dhe aktorët kinezë të pranishëm në Festivalin e Filmit në Kanë në Francën jugore kanë theksuar së fundmi rëndësinë e komunikimit ndërkombëtar për promovimin e zhvillimit të industrisë së filmit.

Edicioni i 76-të i festivalit zgjat nga 16 deri më 27 maj. Filma me protagonistë aktorë kinezë, si “Only the River Flows” dhe “The Breaking Ice”, konkurrojnë në festival.

Gjatë fundjavës, regjisori kinez Ning Hao u tha gazetarëve se në Festivalin e Filmit në Kanë, kineastët dhe aktorët kinezë promovojnë në mënyrë aktive filma të shkëlqyer dhe komunikojnë me regjisorët, producentët dhe aktorët ndërkombëtarë për të parë se çfarë kanë bërë. Veçanërisht pas një periudhe heshtjeje për industrinë e filmit gjatë pandemisë, ky lloj komunikimi është shumë i rëndësishëm, citon “Xinhua”.

“Kur filloi pandemia, shumë prej nesh ishin të hutuar për të ardhmen. Por filmat gjithashtu mund t'u japin njerëzve shpresë dhe forcë, kjo fuqi mund të transmetohet”,- tha aktorja kineze Yao Chen në një intervistë ekskluzive për “Xinhua”.

“Tani filmat kinezë po kthehen në festivalet ndërkombëtare të filmit. Ne shkëmbejmë informacione dhe prezantojmë veprat tona”,- tha ajo.

Vitet e fundit, tregu global i filmit ka parë një rritje të numrit të filmave kinezë të paraqitur në festivalet ndërkombëtare të filmit, si dhe partneritete të shtuara ndërkufitare midis kineastëve dhe aktorëve kinezë dhe atyre ndërkombëtarë.

Aktorja kineze Huang Lu, e përzgjedhur në listën e ngushtë në disa festivale ndërkombëtare të filmit, u shfaq edhe në Kanë këtë vit. “Progresi dhe zhvillimi i filmit kinez është i shpejtë, gjithnjë e më shumë njerëz janë të gatshëm t'i kushtojnë vëmendje industrisë. Filmi kinez bazohet në një trashëgimi kulturore shumë të thellë dhe industria ka komunikuar në mënyrë aktive me botën”,- tha Huang për “Xinhua”.

Lidhur me Festivalin e Filmit në Kanë si një ngjarje të rëndësishme globale dhe platformë shkëmbimi, Ning tha: “Vitet e fundit, zhvillimi i tregut kinez të filmit ka qenë i dukshëm. Filmi në vetvete është një mënyrë efektive e shkëmbimit kulturor. Përveç pjesëmarrjes aktive në festivalet ndërkombëtare të filmit, duhet të bëjmë mirë edhe festivalet tona, në mënyrë që shkëmbimi të jetë më efikas. (Elona)