Kina i bën thirrje Holandës të kundërshtojë ndarjen dhe të mbrojë zinxhirët e furnizimit
2023-05-24 19:48:52

Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang (R) shtrëngon dorën me zëvendëskryeministrin holandez dhe ministrin e jashtëm Wopke Hoekstra, Pekin, Kinë, 23 maj 2023

Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang u takua me zëvendëskryeministrin holandez dhe ministrin e jashtëm Wopke Hoekstra, Pekin, Kinë, 23 maj 2023/Ministria e Jashtme e Kinës

Kina dhe Holanda duhet të bashkohen për të kundërshtuar ndarjen, për të mbrojtur zinxhirët globalë të furnizimit dhe për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike botërore, tha këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Qin Gang gjatë një takimi me zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm holandez Wopke Hoekstra në Pekin të martën.

Qin Gang theksoi se Kina dhe Holanda mund të bashkëpunojnë në tre nivele. Në nivelin dypalësh, Holanda është një vend partner i rëndësishëm i Kinës në Evropë dhe, ndërsa Kina po përshpejton zhvillimin e saj me cilësi të lartë dhe po thellon hapjen, ajo është e gatshme të forcojë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe investimeve, të thellojë shkëmbimet kulturore e njerëzore dhe të çojë përpara bashkëpunimin shumëpalësh në kontrollin e armëve, sigurinë kibernetike dhe ndryshimin klimatik me Holandën.

Kina do të vazhdojë gjithashtu të zgjerojë hyrjen në treg dhe të forcojë mbrojtjen e të drejtave të pronës intelektuale, u shpreh kreu i diplomacisë kineze, duke shtuar se të dy palët duhet të ofrojnë një mjedis të hapur, të drejtë e jodiskriminues biznesi për kompanitë e njëra-tjetrës dhe duke mirëpritur më shumë kompani holandeze të shtojnë investimet në Kinë.

Lidhur me krizën e Ukrainës, Qin tha se Kina i kupton shqetësimet e Holandës dhe vendeve të tjera evropiane dhe ka qenë gjithmonë e angazhuar për nxitjen e bisedimeve të paqes. Qeveria kineze ka dërguar një përfaqësues të posaçëm në Evropë për të zhvilluar komunikim të thellë me BE-në mbi zgjidhjen politike të krizës. Ai shprehu shpresën që të gjitha palët e përfshira do të ruajnë objektivitetin dhe qetësinë e do të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të përfunduar konfliktin dhe për të rikthyer paqen sa më shpejt të jetë e mundur.

Nga ana e tij, Hoekstra tha se Holanda ndjek politikën e "Një Kine" dhe është e gatshme të punojë me palën kineze për të zbatuar parimet e tregut dhe për të thelluar bashkëpunimin në bujqësi, risi dhe fusha të tjera. Pala holandeze është e angazhuar për të shërbyer si një lehtësuese e shkëmbimeve Kinë-Evropë.

Holanda i vlerëson përpjekjet e Kinës për të nxitur bisedimet e paqes dhe shpreson se Pekini do të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen paqësore të krizës ukrainase, theksoi kryediplomati holandez në takimin me homologun kinez.