Foto nga VCG
Pas 10 vitesh, kur Song Wenqing u përball sërish me Sun Yingjie, një profesor nga Shkolla e Inxhinierisë Mjedisore dhe Komunale në Universitetin e Teknologjisë në Qingdao të Kinës Lindore, "u ndje i mrekulluar".
Në vitin 2012, Sun Yingjie, si një anëtar i grupit të promovimit të shkencës për mbrojtjen e mjedisit në universitet, kishte shkuar në qytetin Weifang të provincës Shandong për t'u dhënë nxënësve të vegjël njohuri për mbrojtjen e mjedisit. Song Wenqing, i cili atëherë frekuentonte shkollën fillore, ishte një nga të pranishmit në leksion. Song Wenqing i tha gazetarit se pasi dëgjoi shpjegimet e Sunit, kuptoi se ndotja nga mbeturinat ishte serioze dhe se ndërgjegjësimi për mbrojtjen e mjedisit duhej përmirësuar. "Mbeta pa fjalë".
Në vitin 2022, Song Wenqing u pranua në Universitetin e Teknologjisë në Qingdao dhe sapo u përball me Sun Yingjien, e njohu menjëherë. Realizimi i një edukimi dhe kuptimi të qytetërimit ekologjik në shkollat fillore është një aktivitet praktik jashtë kampusit, i iniciuar nga studentët e Universitetit të Teknologjisë në Qingdao. Që nga fillimi i tij në 2002-in, grupe studentësh të këtij universiteti e vazhdojnë këtë aktivitet, duke përcjellë stafetën për 21 vite me radhë.
Në vitin 2000, qyteti Qingdao nisi një projekt pilot për klasifikimin e mbetjeve. Sun Yingjie i tha gazetarit se në atë kohë, vetëdija e njerëzve për klasifikimin e mbetjeve ishte relativisht e dobët. Ai ishte angazhuar për mjaft kohë te kërkimet dhe mësimdhënia për trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe filloi të mendonte se "si ta arrinte këtë gjë". Më parë, studentët e shoqatës vullnetare për mbrojtjen e mjedisit të Universitetit të Teknologjisë në Qingdao i kishin kushtuar vëmendje ndotjes rreth tyre, si mbetjet e bardha, ndotja e ajrit, e ujit etj., duke besuar se ata kishin detyrim dhe përgjegjësi për të bërë diçka që të ndryshonin këtë situatë. Kështu, ata gjetën Sun Yingjien që merrej me “mbetjet”.
Foto nga VCG
Sun Yingjie udhëhoqi studentët e shoqatës që të thelloheshin dhe zbuloi se nxënësit e shkollave fillore mund të fitonin më lehtësisht shprehi pozitive nga procesi edukativ, qoftë për sjelljen apo për ndërgjegjësimin mjedisor. Gjatë kërkimeve u konstatua se “ishte veçanërisht e nevojshme të fillohej nga fëmijët”. Në vitin 2002, u krijua zyrtarisht grupi i promovimit të shkencës për mbrojtjen e mjedisit. Bazuar në aktivitetet e mëparshme si pastrimi i plazheve, zbukurimi i kampusit dhe përdorimi i mbetjeve për përfitim, aktivitetet e shoqatës hynë gradualisht në shkollat fillore, duke njohur fëmijët me mbrojtjen e mjedisit. Klasat marrin kështu ngjyrime të reja.
Deri tani, më shumë se 2 mijë profesorë dhe studentë universitarë kanë marrë pjesë në këto leksione, duke lënë gjurmë në plot 82 shkolla fillore në 9 provinca, duke përfshirë Shandongun, Zhejiangun, Liaoningun etj. Profesor Sun Haofen ishte i pari që u regjistrua te grupi i promovimit të shkencës për mbrojtjen e mjedisit menjëherë pas krijimit. Ai kuptoi shpejt se niveli i njohurive të nxënësve së shkollave fillore është ende i pamjaftueshëm dhe ishte pak e vështirë t’u flisje atyre për këto tema. Por çfarë duhej të bënte pasi të hynte në klasë? Sun Haofen zbuloi se studentët universitarë e krahasonin tokën me nënën e tyre kur jepnin mësim. "Ata do t’i mësojnë nxënësit e shkollave fillore të mbrojnë tokën si nënën e tyre të dashur".
Për të qenë edhe më të suksesshëm dhe të kuptueshëm, studentët iu kushtuan edhe disa lëndëve shtesë si "pedagogjia" dhe "psikologjia", madje komunikonin me nxënësit e shkollave fillore duke interpretuar, vizatuar dhe bërë modele. "Mendoj se të rinjtë janë më të mirët. Ata do të bëjnë gjithçka që është e mundur për t'i bërë nxënësit e shkollave fillore t’i pranojnë." - thotë Sun Haofen.
Foto nga VCG
Wang Ziyi, një mësues nga shkolla fillore e shkollës së mesme nr. 53 në Qingtao tregon se klasat tradicionale kanë të bëjnë kryesisht me dhënien e njohurive dhe fëmijët s’mund të praktikojnë gjatë mësimit. Ndërsa një pjesë e mësimdhënies së ekipit akademik të Universitetit Teknologjik në Qingdao janë kurse të bazuara në njohuri dhe pjesa tjetër, kurse praktike. Në orët praktike, fëmijët dhe studentët mbjellin pemë së bashku, duke marrë jo vetëm njohuri, por edhe ushtrime praktike.“Fëmijët janë shumë të lumtur”.
Vitet e fundit, me zhvillimin e vazhdueshëm të konceptit të qytetërimit ekologjik në Kinë, edukimi nëpër shkolla është zgjeruar gradualisht nga mbrojtja mjedisore te qytetërimi i gjithanshëm ekologjik. Sun Yingjie thotë për gazetarin se në të kaluarën kur flisnim për klasifikimin e mbeturinave, fokusoheshim kryesisht në rreziqet dhe asgjësimin e mbetjeve, por më vonë i jemi kushtuar motiveve pse prodhohen ato. Tani, ne diskutojmë me fëmijët pse duhet t’i klasifikojmë mbeturinat dhe i udhëzojmë që t'i konsiderojnë ato nga perspektiva e biodiversitetit dhe ekologjisë, sesa nga këndvështrimi i pastrimit të ndotjeve. Grupi i studentëve që jep leksione për mbrojtjen e mjedisit i udhëzon nxënësit e shkollave fillore për të formuar vullnet të vazhdueshëm në praktikën e jetës dhe zgjidhjen e problemeve mjedisore, jo vetëm për një ditë, "për të formuar shprehi të mira të qytetërimit ekologjik". (Çang Çuo)