Panairi i Ningbo-së dhe Mekanizmi i Bashkëpunimit Kinë-EQL
2023-05-24 09:41:47

foto/VCG

foto/VCG

Nga 16-20 maj në Ningbo të Kinës krahas Ekspozitës së import-eksporteve Kinë-EQL janë mbajtur më shumë se 20 forume paralele me një tematikë të gjerë në fushën e kulturës, agrobiznesit, tregtisë elektronike, tregtisë së mallrave  të konsumit të gjerë dhe tekonologjisë. Forumi i Akademikëve ose Think Tank i bashkëpunimit Kinë-EQL u mbajt ditën e dytë të Expos me temë  “Bashkëpunimi praktik për një të ardhme të përbashkët”.

Dr. Marsela Musabelliu drejtore ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit i është drejtuar Forumit me kumtesën me temë “Pozicioni i  Shqipërisë  në platformën Kinë-EQL”. E sapokthyer nga Ningbo për Grupin Mediatik të Kinës dr. Marsela Musabelliu komenton forumet akademike në kuadër të Ekspozitës së import-eksporteve Kinë-EQL, suksesin e kësaj Ekspozite dhe pritshmërinë e bashkëpunimit në kuadër të Mekanizmit Kinë-EQL

CMG: Keni qenë e pranishme në një event të rëndësishëm të bashkëpunimit Kinë-EQL si akademike. Le të njihemi me një panoramë të përgjithëshme të Ningbo-së dhe këtyre forumeve në njerin prej të cilëve ju ishit pjesëmarrëse nga Shqipëria

Dr. Marsela Musabelliu: Ningbo nga 16-20 maj në çdo cep të saj ishte i mbushur me flamuj të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Ningbo si qyteti mikpritës i këtyre iniciativave, të takimeve dhe panaireve kishte bërë gjithçka gati që vendet tona nga Ballkani e deri në Balltik dhe më tej të kishin mundësi ku mund të shpalosnin pasuritë e tyre kombëtare, por  dhe mendimet e tyre politike, sociale, kulturore dhe mbi të gjitha produktet e tyre.

Çfarë ne si vende mund t’i ofrojmë tregut gjigant kinez dhe çfarë mund të bëjë në rastin specifik Bashkia e Ningbo-së, që është organizatori kryesor i këtyre katë ditëve kaq intensive për të promovuar produktet, bizneset dhe kulturat e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore

foto/VCG

foto/VCG

CMG: Për ne si shqiptarë emri Ningbo nuk është i panjohur sepse është fokusuar për shkak të Expos së Ningbo-së  Kinë-vendet e EQL, ku kompani të ndryshme shqiptare kanë ekspozuar prodhimet e tyre. Flasim për pjesmarrjen e Shqipërisë në Mekanizmin e Bashkëpunimit Kinë-EQL

Dr. Marsela Musabelliu: Mekanizmi i Bashkëpunimit Kinë-EQL në marrëdhëniet ndërkombëtare është një risi dhe diçka unike sepse një vend nga Azia e largët i qaset një zone specifike në Europë. Ky mekanizëm u krijua në vitin 2012 dhe më pas çdo vit krerët e shteteve , kryeministrat ose ministrat e rëndësishëm të kabineteve përkatëse takoheshin çdo vit për të koordinuar politikat dhe për të parë se çfarë mund të nxirrnin nga ky mekanizëm multilateralizmi, që është në praktikë ajo që mund të arrihet në bashkëpunimet përkatëse jo vetëm dypalëshe por dhe shumëpalëshe.

Kjo do të thotë që një zonë specifike, si për shembull Ballkani, nëse projektet tona koordinohen dhe politikat tona përkatëse koordinohen jo vetëm për biznes, infrastrukturë dhe investime edhe për një investitor si Kina është më e lehtë. Fjala kyçe e këtij Mekanizmi është sinergjia, jo vetëm midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, por dhe të vendeve përkatëse, siç jemi ne që jemi anëtarë të saj.

Shqipëria është një nga vendet themeluese të këtij Mekanizmi dhe gjatë viteve i  është shtuar dhe Greqia dhe mendohet se në të ardhmen do të ketë edhe vende të tjera.

Gjëja më e rëndësishme është që ky lloj mekanizmi po krijon një historik institucional, memorandume bashkëpunimi, duke hapur rrugë të reja bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Shqipëria ka qenë pjesë e  çdo forumi dhe kryeministri shqiptar ka marrë pjesë në 7 nga 9 forumet e liderëve dhe është parë që në shumë gjëra të folura në forumet e liderëve më pas janë transformuar në sekretariate dhe memorandume bashkëpunimi si dhe shkëmbime dy dhe shumëpalëshe.

Shumë analistë në pjesë të ndryshme të botës kanë ngritur pyetjen pse Kina po qaset në një zonë të tillë midis Lindjes dhe Perëndimit. Përgjigja e thjeshtë që  na vjen nga Kina është se pse të mos punojmë së bashku e të nxisim shkëmbimet. Në një botë të globalizuar ku interesat kombëtare jane primare, edhe interesat e njerëze dhe të bizneseve duhet të shtrohen në tavolinë dhe Mekanizmi Kinë-EQL i jep një shtysë bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh.

CMG: Në Forumin e Akademikëve Kinë-EQL ju keni mbajtur kumtesën me temë “Pozicioni i  Shqipërisë  në platformën Kinë-EQL”. Si u prit ajo?

Dr. Marsela Musabelliu: Nga çdo vend pjesmarës i Mekanizmit Kinë-EQL kishte një ose dy përfaqësues që mbajtën kumtesa specifike sa i përket realitetit të vendeve të tyre

CMG: Ju ishit e vetmja akademike nga Shqipëria?

Dr. Marsela Musabelliu: Po isha e vetmja, por kishim dhe një përfaqësim nga biznesi siç është Kompania “Morava”. Si akademikët dhe njerëzit e biznesit aty shpalosin potencialet e vendeve të tyre sa i përket thithjes së investimeve, tregtisë, intensifikimit të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve njerëzore. E parë nga Shqipëria Mekanizmi Kinë-EQL ka ende shumë potencial të pashfrytëzuar.

Qarqet tona politike dhe të biznesit e kanë thënë shumë herë që jemi të gatshëm, por duhet të shohim çfarë mund të përfitojnë konkretisht bizneset shqiptare dhe qytetarët.

Nga pikëpamja akademike mund të flasim se ku mund të projektohet dhe çfarë ka bërë deri tani ky Mekanizëm. Kemi arritur në vitin 2023 në heqjen e vizave midis Shqipërisë dhe Kinës  dhe mendojmë se kjo do të sjellë më shumë turistë kinezë në vendin tonë dhe për shqiptarët që udhëtojnë në Kinë është një lehtësim.

Po të kthehemi pak në kohë do të shohim se  gjithçka nisi vite më parë me një takim Kinë-EQL dhe ishte kryeministri shqiptar dhe ai kinez që bashkë me delegacionet përkatëse në vitin 2017 folën për herë të parë për heqjen e vizave.  Ky Mekanizëm edhe pse u deshën disa vite sepse praktikat përkatëse duhen koordinuar, solli heqjen e vizave dhe patjetër që do të ketë dhe të tjera arritje. Duke komunikuar dhe duke njohur më shumë realitetet e njeri-tjetrit bashkëpunimi pritet të shkojë në nivele më të larta.

CMG: Duke qenë në Ningbo me siguri keni vizituar dhe Expon, ku Shqipëria mori pjesë me një përfaqësim modest. Cilat janë përshtypjet tuaja nga ky event?

Dr. Marsela Musabelliu: Do të thoja se si zakonisht në Kinë asgjë nuk i lihet rastësisë. Pse është zgjedhur Ningbo për këtë event?  Sepse Ningbo ka një port gjigant që është numri një sa i përket vëllimit të kontenjerëve dhe sipas statistikave të Kinës 70 – 80 për qind të të gjitha eksporteve kineze që vijnë në Europën Qendrore dhe Lindore  nisen nga ky port. Ningbo ka një kujtesë tregtare me vendet që nga Ballkani deri në Balltik.  Mjafton të mendojmë se 70-80 për qind e produkteve kineze që vijnë në Shqipëri nisen nga Ningbo kemi një kujtesë tregtare të vendit.

Duke qenë se Ningbo e ka krijuar këtë traditë pse të mos shkojmë te biznesi, te kultura? Meqë Ningbo po sjell produktet kineze në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore dhe në Ballkan, pse të mos marrë dhe Ningbo produkte nga këto vende?

Ningbo tani është bërë një pikë kyçe tregtare dhe investuese në radhë të parë, por me sa shohim dhe në aspektin akademik dhe të kulturës po bëhet një epiqendër për marrëdhëniet e zonës sonë me Kinën. Është mirë sepse praktika dhe logjistika aty bashkohen dhe për bizneset tona krijohet një lehtësi më e madhe sepse ka biznese në Shqipëri që ëndërrojnë të futen në tregun kinez sepse kjo ju rrit produktivitetin, krijon më shumë vende pune. Është një zinxhir të mirash që na vjen nga një pikë referimi siç është Ningbo.

CMG: Ju keni parë nga afër stendën e Shqipërisë. Çfarë përshtypjesh ndani me ne nga kjo pjesëmarrje?

Dr. Marsela Musabelliu: Të gjithë pjesëmarrësit në Panair ishin përfaqësues të kompanive  të vendeve të EQL dhe bizneseve kineze. Ishte një shkëmbim biznesesh dhe aty bëhet fjalë për tregti shumice, por në Panair projektohet çfarë është produkti. Njerëzit në Panair provonin mjaltin tonë dhe shikonin produktet e vendeve të tjera. Përveç kompanisë “Morava” ishte dhe agjenti kinez i kompanisë “Birra Stela” dhe “Aquila Liquori”.

Po shikoja bizneset kineze që i provonin produktet tona dhe ishte një ndjesi e bukur dhe u pëlqenin. Është krenari kombëtare kur sheh produktet tona që tregtohen kaq larg dhe pëlqehen. Pritet që këtë vit të ketë një takim tjetër liderësh të Kinës dhe vendeve të EQL ku do të flitet për realitetin e ri postpandemik. Unë e shoh këtë Mekanizëm si një qasje të Kinës në një zonë të botës që ka nevojë për investime, për tregti dhe projekte madhore infrastrukturore. Mendoj se kjo nismë do të vazhdojë në vitet e ardhshme dhe shpresoj që do të intensifikohet.

Intervistoi Eda Merepeza