Dëmi nga rënia e euros tek eksportuesit, qeveria merr masa
2023-05-24 11:11:21

Rënia e Euros (Foto vox news albania)

Rënia e Euros (Foto vox news albania)

 “Të ngremë alarmin, të ngrihemi si eksportues dhe këtu kam parasysh manifakturat kam parasysh bimët aromatike, mjekësore, prodhuesit e ndryshëm, agrobiznesi  dhe turizmi. Në këtë situatë mendoj që duhet t’i drejtohemi organeve përderisa nuk ka asnjë reagim të qartë për këtë situatë shumë kritike. Vitin e kaluar nga rënia e euros të gjithë eksportuesit kanë pasur një dëm prej 225 milionë eurosh, kurse në një përllogaritje që kemi bërë ne, vetëm për sektorin tonë, sepse nuk mund të marrim të analizojmë të gjithë sektorët, na rezulton se nga janari deri në mars, biznesi i manifakturave ka një humbje prej 40-45 milionë euro. Kjo është një shifër e jashtëzakonshme, është një shifër që çon në kolaps biznesin e manifakturave, është një shifër që nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë, sepse siç e dini sistemi i manifakturave ka një normë fitimi shumë të ulët, sepse është i bazuar tek fitimi i krahut të punës. Duke parë që jemi drejt stinës së verës dhe ku turizmi do jetë me të vërtetë i shumtë dhe justifikimi për të parë një euro gjithnjë më në pikiatë është një rrezik. Për pasojë ne u mblodhëm dhe i dërguam një letër guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, e cila është institucioni që rregullon pjesën monetare shqiptare dhe Ministrisë së Financave “- tha Zeka.

Ministrja e Finanave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj (Foto Monitor)

Ministrja e Finanave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj (Foto Monitor)

Situata e krijuar me rënien e euros i bëri skeptikë eskpertët për atë që po ndodhte në tregun e këmbimit dhe shkaqet.

“Po ta përllogarisim rënien e euros nga prilli i vitit të kaluar në këtë periudhë të 2023 ka një rënie gati me 10%. Tani imagjinoni në një situatë kur për efekte të ndryshme globale, siç është karburanti, energjia, Shqipëria ka problemin edhe të krahut të punës, që e kanë edhe vende të tjera. Në një moment kur ngritja e pagave për shkak të inflacionit ka qenë një shtesë plus vitin e kaluar, po t’i shtojmë dhe 10% e euros them që është një situatë që çdo biznes do ta kishte të vështirë që të qëndronte në këmbë. Kjo është situata. Ne po flasim me ekonomistë, me specialistët e financës, për t’i dhënë një shpjegim këtij fenomeni, por shohim që është shumë e vështirë. Pas pandemisë ne jemi përballur me një konkurrencë shumë më të egër dhe për të qenë kompetitiv me vendet e Ballkanit na është dashur të investojmë në teknologji për të automatizuar më shumë linjat tona dhe për t’i bërë më eficente. Po ashtu kosto shtesë kanë qenë edhe pagat e punëtorëve sepse në një moment kur konkurrenca për të qenurit kompetitiv dhe mungesa e punëtorëve na çon që ne detyrimisht të ngremë dhe pagat. Pas pandemisë dhe deri më tani mund të kemi pasur një rritje nga 15-20% të pagave të punonjësve. por kjo ishte një kosto që  na rikthehet sepse në momentin që një punëtor paguhet më mirë është më i kënaqur, ai jep më shumë rendiment. Problem janë kostot e tjera si rritja e energjisë elektrike nga 14 lekë në 90 lekë, karburanti dhe kur flasim për karburantin kemi parasysh të gjithë si transporti, dispozicioni, avionët, tragetet, një sërë shtesash të tjera që kanë qenë kryesore vitin e kaluar”- tha ai.

Florian Zena (Foto Ora news)

Florian Zena (Foto Ora news)

E ndërsa situata është qetësuar disi, shumë biznese i frikësohen rënies së monedhës europiane sërish në sezonin turistik për shkak të numrit të lartë të turistëve.

“Të kemi parasysh që biznesi nuk ka mekanizat për të analizuar një situatë të tillë sepse këto mekanizma mund t’i ketë Ministria e financave dhe Banka e Shqipërisë. Në momentin që ne nuk kemi mekanizma për të parë se nga vjen kjo, nuk mund të gjejmë as edhe zgjidhjen, nuk mund të japim as mendim për zgjidhjen. Për këtë motiv i jemi drejtuar Bankës edhe Ministrisë së financave. Ne kemi nevojë për një pasqyrim të qartë dhe real të situatës. Nga po vjen kjo? Po vjen nga teprica e eurove që po hyjnë në Shqipëri, nga investimet e huaja, nga paraja e zezë apo nga riciklimi i parasë? Sepse po t’i marrësh në veçanti të gjithë këto faktorë, të gjithë kanë një pikëpyetje”, theksoi ai

Reagimi i Ministrisë së Financave me masat e marra erdhi pas shqetësimit që 7 shoqata eksportuese, prodhuese dhe të sektorit të turizmit ngritën  për efektet negative nga zhvlerësimi i lartë i monedhës europiane, nëpërmjet një letre drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj. Bizneset kërkuan normalizim të situatës nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, pasi siç u theksua në letër rënia e euros është në nivelet më të ulëta historike, çka rrezikon kthimin në një ekonomi të pastër importuese të ngjashme me atë të vitit 1992 nën efektet e “terapisë shock”.

Eksporte (Foto intv.al)

Eksporte (Foto intv.al)

Shoqatat e biznesit pohojnë se ky zhvlerësim i monedhës euro ka dëmtuar shumë rëndë industrinë prodhuese, eksportuese dhe turizmin vendas, duke drejtuar shumë subjekte drejt falimentimit.