Ambasadori kinez: Marrëdhëniet Kinë-ShBA, "shumë të rëndësishme për të dështuar"
2023-05-24 19:57:10

Ambasada kineze në Shtetet e Bashkuara

Xie Feng, ambasadori i ri i Kinës në ShBA foli për mediat kineze dhe amerikane në ambasadën kineze në Uashington/Ambasada kineze në Shtetet e Bashkuara

Xie Feng, ambasadori i ri i Kinës në ShBA, theksoi të martën rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, duke thënë se këto marrëdhënie janë "shumë të rëndësishme për të dështuar".

Duke folur për mediat kineze dhe amerikane në ambasadën kineze në Uashington, disa orë pas arritjes së tij në ShBA për të marrë detyrën, Xie e pranoi se emërimi i tij ndodh në "një moment kritik", kur marrëdhëniet mes Kinës dhe ShBA-së gjenden përsëri në "një udhëkryq historik".

"Ne duhet të ecim me prirjen e kohëve dhe të hedhim poshtë mendësinë e Luftës së Ftohtë dhe të lojës ku fituesi i merr të gjitha, dhe hapim zemrat tona e të ecim përpara në drejtim të njëjtë," i bëri ai thirrje palës amerikane.

Marrëdhëniet e shëndetshme dhe të qëndrueshme janë jo vetëm në interes të të dy vendeve, por edhe ajo që shpreson komuniteti ndërkombëtar, duke qenë një kontribut kryesor për paqen dhe lulëzimin e botës, tha ambasadori.

Megjithëse përballen me "vështirësi dhe sfida serioze", Kina dhe ShBA-ja kanë qenë gjithmonë në gjendje për t'i çuar përpara këto marrëdhënie, theksoi Xie.

"Këto marrëdhënie janë shumë të rëndësishme për të dështuar, " tha ai. "Asnjë palë nuk mund ta ndryshojë ose zëvendësojë palën tjetër." 

"Nëse punojnë së bashku, do të fitojnë të dy palët, ndërsa nga lufta mes njëra-tjetrës do të humbin që të dyja, e po ashtu edhe bota do të dëmtohet," theksoi ai.

Xie theksoi se fakti nëse Kina dhe ShBA-ja mund t'i menaxhojnë marrëdhëniet dypalëshe në mënyrë të përshtatshme është i lidhur ngushtë me të ardhmen e të dy vendeve dhe të botës.

"Bota po na shikon," tha ai. 

Xie është ambasadori i 12-të i Kinës në ShBA. Paraardhësi i tij Qin Gang është tani ministër i Jashtëm dhe këshilltar Shteti i Kinës. (Xu Guang)