Kina do të vazhdojë të mirëpresë ndërmarrjet me financim nga ShBA-ja
2023-05-23 11:11:28

Foto nga VCG

Kina nxit me vendosmëri hapjen me nivel të lartë dhe e vë theksin në tërheqjen e investimeve të huaja dhe zgjerimin e vazhdueshëm të hapjes institucionale, duke përfshirë rregullat, rregulloret, menaxhimin dhe standardet, tha ministri kinez i Tregtisë Wang Wentao gjatë kryesimit të një simpoziumi në Shangai të hënën.

Përfaqësuesit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shangai dhe ndërmarrjet me financim nga ShBA-ja, përfshirë "Johnson & Johnson", 3M, "Dow", "Merck" dhe "Honeywell", ndoqën këtë simpozium.

Aktualisht, funksionimi i ekonomisë kineze ka ruajtur një prirje pozitive dhe potenciali i tregut të saj është rritur vazhdimisht, duke krijuar më shumë mundësi për ndërmarrjet nga e gjithë bota, përfshirë ato amerikane, për t'u zhvilluar në Kinë, theksoi Wang Wentao.

Ministria e Tregtisë do të vazhdojë të ofrojë shërbime të sakta dhe të efektshme për ndërmarrjet dhe projektet me financim të huaj, do të mbrojë të drejtat dhe interesat e investitorëve të huaj dhe do të krijojë një mjedis biznesi të klasit të parë të orientuar nga tregu, ligjor e të ndërkombëtarizuar, duke ndarë përfitimet nga tregu i madh i Kinës dhe zhvillimi i hapur me ndërmarrjet nga e gjithë bota.

Wang theksoi lidhjet e thella ekonomike midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Bashkëpunimi  ekonomik dhe tregtar dypalësh ekziston mbi bazën e respektit të ndërsjelltë dhe përfitimet e ndërsjella janë në interesin jo vetëm të të dy vendeve dhe popujve të tyre, por edhe të botës në përgjithësi. Pala kineze do të vazhdojë të mirëpresë ndërmarrjet e financuara nga ShBA-ja që të zhvillohen në Kinë dhe të arrijnë përfitime të ndërsjella.

Përfaqësuesit e ndërmarrjeve me financim nga ShBA-ja pjesëmarrëse në simpozium shprehën mirënjohjen ndaj Ministrisë së Tregtisë, veçanërisht në lidhje me grupin e veçantë të punës për projektet kryesore dhe për sigurimin e garancive të shërbimit për ndërmarrjet me financim nga jashtë. Këto ndërmarrje vazhdojnë të jenë optimiste rreth perspektivave të zhvillimit të tregut kinez dhe janë të gatshme të thellojnë më tej lidhjet e tyre me këtë treg.