Nis në Tiranë edicioni i dytë i veprimtarisë “Javët Kulturore Ndërkombëtare”
2023-05-23 10:27:53

Elva Margariti  (Foto nga Instagram)

Elva Margariti  (Foto nga Instagram)

Për të dytin vit radhazi, Shqipëria do të jetë vendi mikpritës i 20 shteteve që do të jenë pjesë e Javëve Kulturore  Ndërkombëtare. E konceptuar si një mozaik aktivitetesh kulturore, çdo javë do t’i dedikohet një shteti dhe fokusi do të jetë promovimi i vlerave, gjithashtu dhe shkëmbimi i eksperiencave. Javët Kulturore  Ndërkombëtare nisën me aktivitetet dedikuar Bashkimit Evropian, duke u shtrirë më pas edhe në qytete të tjera të vendit. Me një ftesë të hapur edhe ndaj vendeve të tjera nëpërmjet këtij organizimi, synohet njohja dhe forcimi me partnerët ndërkombëtarë. Mbi 700 artistë  do të jenë të ftuar, ndër ta edhe emra të njohur të arenës ndërkombëtare. Gjithashtu në hapje të Javës Kulturore Ndërkombëtare u përurua edhe Mozaiku-simbol i Mozeut Historik Kombëtar, mundësuar nga EU4CULTURE.  Pas një pune të gjatë e të kujdesshme restauruese, u zëvendësuan pjesëz pas pjesëze të njëjtat materiale të 40 viteve më parë. Bashkë me ambasadoren e BE-së Christiane Hohmann, përfaqësues të trupave diplomatike në Tiranë, UNOPS dhe qytetarë të cilët iu bashkuan  kësaj feste, u rizbulua vepra e artistëve Vilson Kilica, Anastas Kostandini, Aleksandër Filipi dhe Josif Droboniku. Lidhur me këtë restaurim Ministrja  e Kulturës Elva Margariti u shpreh për mediat:

Elva Margariti (Foto nga Instagram)

Elva Margariti (Foto nga Instagram)

 “Një vit më parë i dhamë jetë “Javës Kulturore Ndërkombëtare” dhe e konsideruan si një ftesë të Shqipërisë që mikpret botën. Besoj se koncepti më i bukur i javëve është ky, është fakti që ne celebrojmë mikpritjen. Shpeshherë e harrojmë që ne shqiptarët kemi një nga karakteristikat më të bukura, që është ajo e mikpritjes së mikut, e hapjes së derës çdo myshteriu, çdokujt që është në nevojë por edhe gjithkush që celebron bashkë me ne, atë që është e bukura e jetës.  Është një ftesë e hapur për gjithkënd  nga Ballkani, Evropa, Azia,e nga Amerika.  Ky edicion do të sjellë 20 shtete dhe organizata ndërkombëtare, ku do na bashkohen këtë vit për herë të parë Hollanda, Mali i Zi dhe Azerbajxhani. E nisim javën kulturor me BE-në më 16 deri 22 maj, për të vijuar më pas me Greqinë, Italinë,  Francën e me plot vende të tjera. Përgjatë javëve do të kemi shumë personalitete të ftuara. I kemi kërkuar miqve tanë, që të celebrojnë ashtu siç kemi bërë vitin e shkuar me aktivitete në sheshe dhe koncerte të mëdha, në hapësira ku të rinjtë, por edhe të moshuarit të mblidhen bashkë nën tingujt e muzikës. Më vjen mirë që Greqia këtë ftesë tonën e ka mikpritur dhe këngëtari grek Nikos Vertis, do të jetë pranë nesh  këtë vit” ka  theksuar Margariti.

Muzeu Historik Kombëtar -Tiranë (Foto për CMG)

Muzeu Historik Kombëtar -Tiranë (Foto për CMG)

Nga 16 deri më 22 maj Java Kulturore  Ndërkombëtare nisi me Javën e Bashkimit Europian, për të vazhduar më 23-29 maj me Javën Kulturore të Greqisë,  me evente të shumta, koncerte, ekspozita, gastronomi, kërcime popullore, kinema e teatër. Kleoniki Demiri do të realizojë një koncert me interpretime të krijimeve të kompozitorëve të mëdhenj grekë, për t’u pasuar edhe me koncertin e këngëtarit të mirënjohur grek Nikos Vertis.

Ndërsa Java kulturore e  Kinës do të mbahet nga 25 shtatori deri më 1 tetor.

Kujtojmë se vitin që shkoi në edicionin e parë të këtij aktiviteti kulturor ndërkombëtar, nën moton “Shqipëria mikpret Kinën” kishte larmi aktivitetesh si, “Duke përjetuar Taiji Kineze” ku mjeshtra kinezë paraqitën magjinë e arteve marciale të Kinës, duke prezantuar disa performanca nga artet marciale tradicionale “Taiji” nga tre mësues kinezë dhe një shqiptar. Shkëmbimi i artit, takimi i kulturave të ndryshme është e veçanta e këtyre aktiviteteve, i cili nisi me prezantimin e veshjeve karakteristike kineze nga të rinjtë shqiptarë të Institutit Konfuci në Tiranë. Publiku i pranishëm shijoi artin e bukur të “Taiji”, por edhe  evente të ndryshme kulturore duke e sjellë në një javë Kinën në Tiranë.

Sava Lena