IAEA: Centrali bërthamor i Zaporizhias pa furnizim të jashtëm me energji
2023-05-23 14:06:10

Foto nga VCG

Centrali bërthamor i Zaporizhias, në Ukrainë, ka ndërprerë sërish plotësisht furnizimin me energji të jashtme, njoftoi kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi.

“Situata e sigurisë bërthamore në central është jashtëzakonisht e cenueshme. Ne duhet të pajtohemi që ta mbrojmë centralin, kjo situatë nuk mund të vazhdojë”, shkroi Grossi në “Twitter”, citon “ATSH”.

Kompania bërthamore ukrainase “Enerhoatom” konfirmoi incidentin në centralin e pushtuar nga Rusia, në jug të Ukrainës: “Linja e tensionit të lartë që furnizonte centralin u dëmtua nga bombardimet. Ftohja thelbësore po sigurohet nga gjeneratorët ekzistues me naftë, të cilët kanë karburant të mjaftueshëm për t’i mbajtur ato në funksion për 10 ditë”.

Kjo është ndërprerja e shtatë e energjisë elektrike në centralin e Zaporizhias që kur u pushtua nga forcat ruse në mars 2022.

IAEA është e shqetësuar se mosfunksionimi i sistemeve të ftohjes mund të çojë në mbinxehje të shufrave të karburantit dhe mbetjeve bërthamore duke shkaktuar kështu një aksident bërthamor. (Irma)