Dobitë e Panairit të Ningbo-së për eksport-importet shqiptare
2023-05-23 09:22:17


Në datat 16 deri më 20 maj në qytetin Ningbo të Kinës Lindore u zhvilloua Panairi i 3-të “Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore”. Në këtë  qytet, dy panairet e parë janë zhvilluar me sukses në vitet 2014 dhe 2019, duke u shndërruar në platforma për nxitjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Në një sallë ekspozimi shumë të madhe në Ningbo, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore ofruan produktet e tyre në tregun kinez.

Që nga themelimi i mekanizmit të bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në vitin 2012, tregtia dypalëshe ka vazhduar rritjen e shpejtë dhe bashkëpunimi e investimet dypalëshe janë shtuar shumë.

Në tremujorin e parë janar-mars 2023, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Tregtisë e Kinës, tregtia dypalëshe midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore u rrit 1.6 për qind nga viti në vit, duke arritur 33.3 miliardë dollarë. Deri më sot, vëllimi i investimeve dypalëshe me këto vende ka arritur në 20 miliardë dollarë. Investimet kineze janë përqëndruar në sektorët e pjesëve të këmbimit për automjete, të pajisjeve shtëpiake, mjekësisë, logjistikës, energjisë dhe mineraleve.

Bashkëpunimi dypalësh ka rezultuar efektiv edhe në realizimin e projekteve bazë të infrastrukturës, si autostrada e ndërtuar nga Kina në Mal të Zi, Ura e Peljesaçit në Kroaci dhe ndërtimi i hekurudhës Budapest-Beograd.

Në lidhje nga qyteti i Ningbo-së gazetarja Donika e Grupit Mediatik të Kinës raporton rreth Panairit

Gazetarja e CMG duke raportuar nga Ningbo (Foto CMG)

Gazetarja e CMG duke raportuar nga Ningbo (Foto CMG)

CMG: Si paraqitet ky edicion i Panairit të eksport-importit të Ningbo-së? Si është pjesmarrja në këtë Panair ?

Donika: Përshëndetje, tani jam në Portin Ningbo-Zhoushan. Porti Ningbo-Zhoushan ka lidhje shumë të ngushta me Ekspozitën Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore dhe gjithashtu me tregtinë dypalëshe.

Ekspozita Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore e këtij viti ka arritur një nivel të ri në përmasë, me rreth 3 000 ekspozues, një rritje prej rreth 30 % krahasuar me edicionin e mëparshëm. Këtë vit, numri i marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara me organizata zyrtare apo shoqata biznesi të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore dhe numri i mekanizmave të rregullta të bashkëpunimit të krijuara është rritur nga 14 në edicionin e kaluar në 29 sivjet. Për sa u përket produkteve të ekspozitës, 14 produkte me tregues gjeografikë të BE-së do të ekspozihen për herë të parë këtë vit.

CMG: Cilat janë  masat e Kinës në shtimin e lehtësimin e importit të produkteve bujqësore nga vendet e EQL-së?

Donika: Për të ndihmuar në bashkëpunimin ekonomiko-tregtar dypalësh, Porti Ningbo-Zhoushan ka bashkëpunuar me pesë porte të Europës Qendrore e Lindore në Greqi, Poloni, Rumani, Slloveni e Kroaci për transportin  me kontejnerë. Aktualisht, linjat detare të transportit ndërmjet portit Ningbo-Zhoushan dhe Evropës Qendrore e Lindore janë rritur në 14. Gjithashtu Kina ka marrë një sërë masash lehtësuese për importin e mallrave nga vendet e Evropës Qendrore e Lindore. Nga njëra anë, është hapur një "kanal i gjelbër" në doganë për kontrollin e perimeve, frutave dhe produkteve të tjera bujqësore e ushqimore të importuara. Nga ana tjetër, gjatë ekspozitës, doganat dhe departamentet e tjera kanë përshtatur një sërë masash për të mbështetur ndërmarrjet kombëtare të Evropës Qendrore e Lindore që të kryejnë shitje ndërkufitare me anë të tregtisë elektronike gjatë ekspozitës, duke i kthyer më shumë produkte të ekspozitës në mallra për shitje. Në të njëjtën kohë, doganat e Kinës dhe të disa vendeve të Evropës Qendrore e Lindore kanë nënshkruar gjithashtu marrëveshje për të zgjeruar më tej kategoritë e eksporteve bujqësore dhe ushqimore nga Europa Qendrore e Lindore në Kinë. Siç dihet, në shkurt 2021, gjatë Samitit të Liderëve Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore, Kina dhe Shqipëria nënshkruan një protokoll inspektimi dhe karantine për eksportin e mjaltit dhe produkteve të qumështit shqiptar në Kinë, duke ofruar mbështetje të fortë që më shumë produkte shqiptare të eksportohen në tregun kinez.

Prof.Dr. Selami Xhepa, President i Universitetit Europian të Tiranës, ekspert i ekonomisë në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës shpreh opinionin e tij për dobitë e bashkëpunimit dypalësh Shqipëri-Kinë, në kuadrin e  mekanizmit të bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore

 

Prof.dr. Selami Xhepa

Prof.dr. Selami Xhepa

CMG: Prof. Xhepa, në këndvështrimin tuaj, cilat do të ishin avantazhet e bashkëpunimit dypalësh Shqipëri-Kinë, në kuadrin e  mekanizmit të bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore? E parë kjo dhe nga zhvillimi i edicionit të tretë të Panairit të Ningbo-së.

 

Prof. dr Selami Xhepa: Së pari, duhet thënë se historiku i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare midis Shqipërisë dhe Kinës ka njohur një rritje të ndjeshme, në veçanti gjatë dekadës së fundit. Kjo i dedikohet në rradhë të parë një rritjeje të fortë të ekonomisë sonë të brendshme dhe një nevoje për të dalë në tregjet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, i dedikohet edhe faktit që ekonomia kineze është shndërruar gjithnjë e më shumë në një ekonomi konkurruese globale. Ajo është sot një ekonomi që eksporton teknologji të niveleve nga më të lartat. Njëkohësisht, kjo ekonomi është mjaft konkurruese dhe nga ana e çmimeve dhe e cilësisë që ofron.

 

Kështu që kjo e ka bërë Kinën një forcë gravitacionale për ekonominë botërore. Natyrisht, edhe ekonomia e Shqipërisë ka përfituar nga këto dinamika të ekonomisë botërore. Sigurisht që zgjerimi i këtyre marrëdhënieve i dedikohet edhe një procesi të njohjes reciproke, nga ana e komunitetit shqiptar të biznesit, të shanseve të reja që krijohen nga Kina. Pjesëmarrja në Panairin e Ningso-së është pa dyshim një nga instrumentet më interesante të promovimit të mëtejshëm dhe të thellimit të këtij bashkëpunimi.

 

Shqipëria ka marrë pjesë edhe në panaire të tjera të rëndësishme. Kina është shndërruar në një vend që organizon panaire të nivelit ndërkombëtar dhe Shqipëria ka qenë pjesë e tyre që në panairin e madh ndërkombëtar të hapur, në vitet 2008-2009, në mos gabohem. Që nga kjo kohë, mendoj se bizneset shqiptare e kanë parë gjithnjë me interes eksplorimin e mundësive në tregun kinez.      

 

CMG: Ju e përmendet Profesor Xhepa, bizneset tona kanë marrë pjesë në panairet ndërkombëtare kineze, por, për fat të keq, jo në mënyrë të organizuar.

 

Prof. dr Selami Xhepa: E drejtë.

 

 

Stenda e Kompanisë Morava në Panair (Foto Ambasada e Kinës në Facebook)

Stenda e Kompanisë Morava në Panair (Foto Ambasada e Kinës në Facebook)

CMG: Pra, të jetë një përfaqësi, edhe në nivel të dhomave tona të tregtisë, ose institucioneve tona të tjera të biznesit. A e gjykoni një rast të humbur që nuk e kemi patur këtë dërgatë edhe një muaj më parë në Panairin e Kantonit dhe tani në Panairin e Ningbo-së?

 

Prof. dr Selami Xhepa: I vërtetë është fakti që dhomat e tregtisë, fatkeqësisht, nuk janë të fuqishme mjaftueshëm ekonomikisht, për të garantuar një pjesëmarrje më të organizuar institucionale. Kam parasysh që pjesëmarrja e Shqipërisë në vitet e kaluara ka qenë serioze, kur është organizuar më fort dhe është mbështetur nga institucionet e shtetit dhe nga qeveria kineze. Në këto raste, pjesëmarrja e biznesit ka qenë mjaft e lehtësuar.

 

Por, duke qenë se kemi të bëjmë me një ekonomi të sektorit privat, duhet që dhomat e tregtisë gradualisht të bëhen më aktive dhe të luajnë realisht atë rolin që u takon, për të krijuar më shumë mundësi për anëtarët e tyre, në mënyrë që kjo të shndërrohet pastaj në përfitime të drejtpërdrejta për sipërmarrjen shqiptare.

 

Kuptohet që pjesëmarrja në aktivitete të tilla sigurisht që shoqërohet me kosto. Kjo është normale. Por në thelb, në analizë të fundit, përfitimet që sigurohen nga eksportet e teknologjive dhe nga mundësitë që krijohen, duke rënë në kontakt me zhvillimet më të fundit në fushën e teknologjisë dhe me kostot më të lira, me të cilat bizneset tona mund të sigurojnë këto teknologji, gjykoj se të gjitha këto do t’i bëjnë kompanitë që të jenë më konkurruese për një periudhë afatgjatë.

 

Kështu që duhet të ndryshojë si fokusi i punës së dhomave të tregtisë, ashtu dhe vizioni afatgjatë i sipërmarrjeve private, që ato të ndërtojnë filozofi biznesi konkurruese në periudhën afatgjatë. Mendoj se kjo do të ishte një oportunitet që do t’u kishte dhënë një ndihmë të padiskutueshme.

 

CMG: Në vijim të këtij oportuniteti, ne zhvilluam një bisedë përpara disa ditësh, me një grup biznesi shqiptar që ka marrë edhe një autorizim nga autoritetet perkatese kineze të tregtisë së jashtme, për të sjellë në Panairin e Kantonit kompani të ndryshme shqiptare, me produktet dhe shërbimet e tyre. Mund të jetë kjo mundësia që ju përmendët, që në edicionet e ardhshme të vjeshtës së Panairit të Kantonit dhe të Ningbo-së, të kemi një dërgatë të organizuar të biznesit shqiptar? Mund të krijohet sinergji mes strukturave të sipërmarrjes private dhe atyre shtetërore që mbeshtesin eksportet tona?

 

Prof. dr Selami Xhepa: Absolutisht. Mendoj se është e nevojshme që të ketë një fokus më të shtuar, në veçanti nga shoqatat e biznesit. Kryesisht nga dhomat e tregtisë, të cilat kanë një anëtarësi më të gjerë, që mund të arrijë një komunitet më të madh njerëzish të interesuar.

Nga ana tjetër, edhe agjensitë shtetërore, siç është AIDA, Agjencia për Promovimin e Zhvillimit Ekonomik, që ka në portofolin e shërbimeve të saj edhe mbështetjen e eksporteve, duhet të luajë një rol më të rëndësishëm koordinues dhe lehtësues për të gjitha bizneset e interesuara për të qenë pjesë e këtyre inisiativave.

 

Edhe njëherë theksoj se Kina është një nga ekonomitë dinamike dhe mjaft të sofistikuara sot në ekonominë botërore. Do të ishte një gjë jo pozitive për biznesin shqiptar, të mos e konsideronte këtë lloj mundësie dhe këtë lloj alternative.

 

Tregu kinez është jashtëzakonisht i shumëllojshëm. Ai karakterizohet nga sektorë nga më të ndryshmit. Pra, që nga teknologjitë e niveleve modeste deri tek nivelet e teknologjive më të sofistifikuara, që janë sot në botë. Kështu që, duke qenë se brenda një tregu kaq të madh dhe divers mund të krijohen shanse të jashtëzakonshme, do të ishte shumë e rekomandueshme dhe e këshillueshme që bizneset shqiptare të jenë në kërkim të këtyre alternativave.

   

Kompania shqiptare Morava në Panair (Foto Ambasada e Kinës në Facebook)

Kompania shqiptare Morava në Panair (Foto Ambasada e Kinës në Facebook)

CMG: Në nismën e Kinës "Një brez, një rrugë", që ju e dini, janë realizuar shumë projekte bazë të infrastrukturës në shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore. Në këtë rajon bën pjesë edhe vendi ynë. Projekte të tilla si autostrada e ndërtuar nga Kina në Mal të Zi, apo Ura e Peljesaçit në Kroaci dhe ndërtimi i hekurrudhës Budapest-Beograd. Në gjykimin tuaj, a mund AIDA, Agjencia për Promovimin e Zhvillimit Ekonomik,  të shërbejë si një sy shtetëror për të promovuar jo vetëm rritjen e bashkëpunimit tregtar me Kinën, por edhe të investimeve kineze tek ne?

 

Prof. dr Selami Xhepa: E drejtë. Në fakt, AIDA është kryesisht për investimet private, ndërkohë që nisma “Një Brez, një Rrugë” i dedikohet kryesisht investimeve publike. Dhe në këtë këndvështrim, edhe projektet e partneritetit publik-privat, që mund të jenë një alternativë për projekte të financueshme nga kjo nismë, edhe pse kërkojnë gjithmonë garanci shtetërore, sidoqoftë, unë mendoj që edhe Shqipëria mund të kishte qenë një vend përfitues.

 

Pati përpjekje për të ndërtuar një segment të rëndësishëm rrugor tek ne, Rrugën e Arbërit, nëpërmjet investimit kinez. Fatkeqësisht, këto përpjekje nuk u arrit të finalizoheshin. Kjo bëri që Shqipëria të mos ishte një nga vendet përfituese të rëndësishme, siç u bënë vendet e rajonit tonë.  Kam përshtypjen se historia e investimeve kineze në rajonin tonë ka qenë një histori e suksesshme, pasi ne kemi parë në Serbi, kemi parë në Hungari dhe në vendet e rajonit që teknologjia që është zbatuar në këto projekte është “State of the Art”, pra teknologjia më e fundit, më bashkohore. Cilësia e punës që është realizuar në këto vepra është për t’u admiruar.

 

Ndoshta edhe Shqipëria, po ta kishte zgjedhur këtë alternativë, sot Rrugën e Arbërit mund ta kishte patur funksionale dhe do të kishim patur mundësi për të përfituar nga fonde që financojnë me norma të subvencionuara interesi. Pra, që janë financime ekonomikisht me leverdi për ne.

 

Sidoqoftë, asnjëherë nuk është vonë. Shqipëria mund të ketë përsëri projekte në të ardhmen, në veçanti në fushën e hekurrudhave. Hekurrudhat janë përparësia e dytë madhore, në fushën e modernizimit të infrastrukturës së vendit. Ndoshta duhet rikonsideruar edhe njëherë e gjithë qasja dhe filozofia që ne duhet të kemi. Kam përshtypjen se ky proces rikonsiderimi është tashmë një çështje që po diskutohet edhe në qarqe të rëndësishme evropiane. Shqipëria mendoj se duhet të përshtasë të njëjtën filozofi, si partnerët tanë evropianë.         

 

CMG: Profesor Xhepa, ju përmendët qasjen inovative të teknologjive të avancuara kineze dhe lidhjen me një çmim të përballueshëm. Në gjykimin tuaj, brenda dy muajsh po përgatitet edhe tek ne një hapësirë prezantimi(show room) e makinave elektrike kineze. Është një treg i lirë, janë prezantuar edhe makina elektrike të vendeve të tjera. A mund të ketë një bashkëpunim edhe me strukturat shtetërore? Për shembull, ne dimë që Bashkia e Tiranës është e interesuar për autobuza elektrikë për qytetarët. A mund të krijohet një sinergji mes strukturave tona shtetërore dhe biznesit privat, që qytetarët të marrin inovacionin në industrinë automotive, me një çmim sa më të përballueshëm për ta dhe për shërbimet publike?

 

Prof. dr Selami Xhepa: Absolutisht. Është një mundësi jashtëzakonisht interesante. Kina është një lider edhe në fushën e kësaj teknologjie. Sot prodhimet në Kinë të makinave elektrike dhe tranzicioni drejt përdorimit të transportit me energji të rinovueshme, pa prodhuar ndotje, janë në avangardë. Për më tepër, Kina është jashtëzakonisht konkurruese me çmimet e saj, çka e bën një aktor të rëndësishëm për t’u konsideruar. Kjo, jo vetëm në politikat e transportit publik, të cilat, pa asnjë diskutim, duhet të shikohen për alternativat ekonomike më të mira të mundshme, por, njëkohësisht, edhe për konsumatorin normal, i cili duhet të jetë tashmë në kërkim të alternativave, për të kaluar drejt këtyre teknologjive, që ofrojnë përfitime të jashtëzakonshme në periudhën afatgjatë.

 

Sigurisht që ky është një proces që kërkon kohë në përgjithësi. Të mos harrojmë kalimin nga llampat inkandeshente drejt llampave ekonomike, i cili ka dashur ndoshta breza të tërë, derisa të krijohet një kulturë e re e tregut.

 

Por ajo se çfarë po ndodh sot në ekonominë botërore, në veçanti me tregjet energjitike, me rritjen e ndjeshme të çmimeve të naftës dhe nënprodukteve të saj, që kanë dhënë efekte të forta në sektorin e transportit, ndoshta kjo rritje e çmimeve në këtë drejtim ka një të mirë, sepse e zhvendos kërkesën drejt produkteve alternative, të cilat do të bëhen pastaj të qëndrueshme në periudhën afatgjatë.

 

Në veçanti, autoritetet vendore duhet që pa asnjë diskutim, të orientojnë sektorin e transportit publik drejt teknologjive të kësaj natyre. Pra, drejt një transporti që është ekologjik. Nga kjo pikëpamje, çdo lloj projekti publik duhet të jetë i ndjeshëm ndaj kostove, pra “cost effective”. Kam përshtypjen se marrja e ofertave edhe nga kompanitë kineze, që janë lider në këto teknologji, pa asnjë dyshim, do të krijonte një vlerë për konsumatorin shqiptar, sepse do të paguanim më pak, do të ulnin koston dhe, nga ana tjetër, do të mbronim mjedisin.  

    

Në përgjithësi, projektet publike janë projekte të rëndësishme pioniere, sepse japin një shembull në tregun e brendshëm dhe krijojnë një kulturë të njohjes nga ana e konsumatorit për këto lloj produktesh dhe shërbimesh. Prandaj janë dhe jashtëzakonisht të rëndësishme për t’u marrë në konsideratë nga autoritetet tona.

 

CMG: Sipas Zyrës së Statistikave të Ministrisë së Jashtme të Kinës, në tremujorin e parë janar-mars 2023, tregtia dypalëshe midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore u rrit me 1.6 për qind nga viti në vit, duke arritur në 33.3 miliardë dollarë. Si e shikoni të ardhmen e marrëdhënieve tregtare Shqipëri-Kinë, në këndvështrimin e Panaireve të Kinës, ku shpresojmë të kemi në të ardhmen një përfaqësi të organizuar nga strukturat e biznesit shqiptar?

   Prof. dr Selami Xhepa: Së pari, duhet thënë se progresi i projektit madhor “Një Brez, një Rrugë” sigurisht që po jep rezultate. Fakti që kemi përmirësime thelbësore të infrastrukturës që vjen që nga Kina e deri në Evropën Qendrore, reflektohet edhe në situatën që kemi vëllim tregtar në rritje mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Shqipëria, pavarësisht se akoma nuk është pjesë e integruar në këtë sistem korridoresh transporti, sërisht shkëmbimet tregtare dypalëshe, sikurse e përmenda më lart, kanë njohur dinamika dhe zhvillime mjaft të forta, në veçanti gjatë 10-15 viteve të fundit.

 

Mendoj që edhe vizitat zyrtare dhe kontaktet e shpeshta që kemi patur me autoritetet kineze dhe me sektorin privat në Kinë kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Investimet kineze akoma mbeten modeste në Shqipëri, për shkak ndoshta të dinamikave të tregut tonë të brendshëm, por potenciali për zgjerimin e këtyre marrëveshjeve dhe bashkëpunimeve, mendoj që mbetet një mundësi që duhet shfrytezuar.

 Personalisht jam optimist. Edhe për një arësye të thjeshtë. Po të shikojmë vitet e fundit, në veçanti edhe gjatë këtij viti, edhe lidershipi politik evropian ka qenë mjaft aktiv në zgjerimin e bashkëpunimit me Kinën. Kemi parë një sërë vizitash të rëndësishme të liderëve politikë evropianë në Kinë. Kjo nënkupton se kemi një interes të jashtëzakonshëm nga kontinenti ynë, nga partnerët tanë evropianë, për të ruajtur një marrëdhënie të rëndësishme ekonomike dhe tregtare me ekonominë kineze, që është ndër më dinamiket në botë sot.     

 

Intervistoi Fatos Çoçoli