Fabion Baruni ( foto personale)
Fabion Baruni është këngëtar i ri në tregun muzikor shqiptar. E ka trashëguar këtë pasion nga babi dhe gjyshi i tij. Ai ka nisur rrugëtimin e muzikës që fëmijë dhe ka kuptuar pasionin dhe talentin që ka për të. Së fundmi ai ka publikuar këngën "Ani Zemer" që është pritur mjaft mirë nga publiku. Nuk kanë munguar vlerësimet për këngëtarin e ri. Në një rrëfim për Radio Ejani Fabioni tregon pasionin për muzikën.
Fabion Baruni dhe Dashamir Baruni( foto personale)
CMG: Keni thënë që muzikën e keni trashëguar nga babi juaj, si ka qenë marrëdhënia më të ?
Fabion Baruni: Unë sot jam në shkollën e lartë për kanto, por kur i kthehem viteve pas ka qenë babi dhe gjyshi im që kanë insistuar shumë që të bëhesha pjesë e këtij rrugëtimi kaq të bukur.
Gjyshi im ka luajtur në violinë, që është një instrument i veçantë dhe ka pasur qejf të ma mësojë edhe mua, por unë nuk luaj në violinë. Kam luajtur në fizarmonikë ndërsa më pas në studimet e larta kalova për kanto. Unë jam mëngjarash, shkruaj me dorën e majtë dhe e kam pasur të vështirë ta përdor violinën, ndaj zgjodha një instrument tjetër muzikor.
CMG: A mendoni ju se jeni në tregun e duhur për të bërë muzikë ?
Fabion Baruni: Dua të ndalem pak këtu për të shembur njëherë e mirë disa klishe. Çdo njeri ka mundësi dhe kapacitet të jetë vetvetja apo të arrijë rezultatet që do , më pas është pikërisht mënyra se si zgjedh të futet në treg apo të dalë nga tregu që bën diferencën. Unë Shqipërinë e shoh si një vend të vogël që nuk ka shumë mundësi, por asnjëherë nuk mendoj që është problem i tregut që nuk ka hapësirë. Në çdo vend të botës profesione të ndryshme kanë tregjet e tyre dhe vështirësi të ndryshme.
Fabion Baruni ( foto personale)
CMG: A keni ëndrra të mëdha për karrierën?
Fabion Baruni: Unë drejt asaj ëndrre jam dhe do vijoj të ëndërroj shumë dhe nuk do të ndalem kurrë. Karriera është një pjesë shumë e rëndësishme e njeriut ndaj dhe duhet që secili nga ne te gjejë veten duke bërë gjërat që do. Jam duke punuar shumë, me orë të tëra madje ka edhe ditë që nuk dal fare, por i dedikoj çdo gjë muzikës.
CMG: Ku e shihni veten pas 10 vitesh?
Fabion Baruni: Jam në fillimet e mia dhe gjithë ëndrrat vërtiten rreth muzikës. Si çdo njeri që futet në këtë rrugëtim kam dëshirë që të tjerët të më pëlqejnë, ta duan muzikën që unë bëj, pasi e bëj me shumë pasion dhe devotshmëri. Në kushtet kur unë sakrifikoj çdo gjë për muzikën, mendoj që e meritoj të jem i sukseshëm pas 10 vitesh.
CMG: Cili është idhulli juaj në muzikë?
Fabion Baruni: Idhulli im i vërtetë është vetëm babi im. Ai më ka shtyrë drejt këtij rrugëtimi . Është një këngëtar i shkëlqyer i muzikës popullore çka më ka bërë të besoj në këtë rrugëtim. Gjithmonë me ka thënë të vijoj para dhe të mos dorëzohem përpara asnjë vështirësie.
Fabion Baruni ( foto personale)
CMG: A keni një mesazh për të rinjtë në muzikë?
Fabion Baruni: Po, që ta ndjekin rrugëtimin e tyre në muzikë, pasi arti është ushqim për shpirtin dhe të zgjon çdo shqisë.
CMG: Ju keni nxjerrë këngën tuaj të parë, si ishte emocioni për këngën?
Fabion Baruni: Ishte një emocion unik të cilin e ndjeva kur nxorra këngën. Gjithë vëmendjen që mora dhe mënyrën se si të tjerët me vlerësuan me nxiti që të punoj më shumë dhe të rriten më shumë më pas. Tani jam duke punuar për këngën e dytë dhe uroj që të kem edhe suksese të tjera në vijim. Kënga e parë është shumë emocionuese dhe ndoshta atë përjetim s'kam për ta përjetuar herë tjetër.
Intervistoi: Megi Latifi