Stuhitë dhe përmbytjet në Itali shkaktojnë dëme në bujqësi
2023-05-23 14:07:18

Foto nga VCG

Fermerët italianë kanë paralajmëruar për rrezikun e dëmeve të rënda afatgjata në bujqësi, në rajonin e Emilia-Romagna pas stuhive dhe përmbytjeve të fundit.

“Mbledhja e frutave në rajonin e Adriatikut mund të ndikohet rëndë për katër deri në pesë vitet e ardhshme. Plantacione të tëra do të duhet të shkulen dhe më pas të rimbillen”, njoftoi shoqata bujqësore “Coldiretti”, citon “ATSH”.

Sipas shoqatës, kjo do të ketë një ndikim të madh në çmimet e frutave.

Emilia-Romagna konsiderohet rajoni kryesor i frutave në Itali, ku rriten kajsia, nektarina, kumbulla, molla, dardha, kivi dhe luleshtrydhe.

Tashmë në rrezik është edhe prodhimi i të paktën 400 milionë kilogramë grurë.

Fusha të tëra me misër, luledielli dhe sojë janë të mbuluara nga një shtresë e trashë balte.

Edhe blegtoria në rajon është prekur rëndë. Sipas “Coldiretti”, rreth 250.000 derra dhe dele ende duhet të shpëtohen.

Përveç përmbytjeve, të cilat tashmë kanë shkaktuar ngordhjen e mijëra kafshëve, rrëshqitjet e dheut po e komplikojnë me shumë situatën në fermat e largëta.

Autoritetet rajonale e vlerësojnë dëmin në miliarda euro.

Nga përmbytjet në veri te vendit kanë vdekur të paktën 14 persona, ndërsa mijëra të tjerë u detyruan të evakuoheshin nga banesat e tyre. (Irma)