Panairi i Librit në Torino, Kushi: Me rëndësi mësimi i gjuhës shqipe dhe botimet për fëmijët e diasporës
2023-05-23 13:48:24

Foto nga Facebook Evis Kushi

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi e vlerësoi si shumë të rëndësishëm prezantimin e Shqipërisë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, ndërsa u ka shprehur mirënjohje të gjithë mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë, njofton “ATSH”.

Ministrja Kushi u takua me nxënës dhe mësues të gjuhës shqipe nga qytete të ndryshme të Italisë.

Në këtë takim, të titulluar “Letra nga Diaspora - Gjuhë në Pasqyrë” u diskutua për gjuhën amtare, dygjuhësinë, rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe dhe botimet për fëmijët e diasporës.

“Mirënjohje të gjithë mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë, që me shumë pasion, krenari e dashuri ndihmojnë në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditave shqiptare te fëmijët shqiptarë kudo ku ata jetojnë”,- shkroi ministrja në një postim në rrjetet sociale.

Për herë të parë Shqipëria ishte vend mik në Sallonin Ndërkombëtar të Librit.

Stenda e Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e mijëra vizitorëve. (Fatosi)