Asambleja e 76-të Botërore e Shëndetit: Kina zotohet të përmirësojë bashkëpunimin ndërkombëtar shëndetësor
2023-05-23 12:15:32

Foto nga Xinhua

Kina do të vazhdojë të rrisë bashkëpunimin ndërkombëtar për të mbrojtur sigurinë globale të shëndetit dhe për të avancuar krijimin e një komuniteti global të shëndetit për të gjithë, tha një zyrtar i lartë kinez nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit (NHC) në konferencën për shtyp të Asamblesë së 76-të Botërore të Shëndetit që nisi të shtunën, njofton “CGTN”.

Gjatë asamblesë, delegacioni kinez do të angazhohet në vlerësimin e më shumë se 70 propozimeve që lidhen me gatishmërinë dhe reagimin ndaj emergjencave të shëndetit publik, mbulimin shëndetësor universal, sëmundjet jotransmetuese dhe buxhetin e programit të propozuar për 2024-2025, ndër tema të tjera.

Viti 2023 shënon 60-vjetorin e dërgimit të ekipit të parë mjekësor kinez jashtë vendit. Që atëherë, Kina ka dërguar ekipe mjekësore me 30.000 anëtarë në 76 vende dhe rajone në pesë kontinente - Afrikë, Azi, Amerikë, Evropë dhe Oqeani. Këto ekipe kanë ofruar 290 milionë diagnoza dhe trajtime për popullsinë lokale.

Për më tepër, Kina ka krijuar marrëdhënie binjakëzimi me 46 spitale në 41 vende afrikane. Mjekët kinezë kanë kryer dhe operacione falas për pacientët që vuajnë nga katarakti dhe sëmundjet e zemrës në më shumë se 30 vende.

Në përgjigje të shpërthimit të virusit Ebola në Afrikë nga viti 2014 deri në vitin 2015, Kina dërgoi mbi 1200 punonjës shëndetësorë në vendet e prekura.

Në mes të pandemisë Covid-19, Kina dërgoi 38 ekipe ekspertësh në 34 vende, furnizoi me më shumë se 2.2 miliardë vaksina kundër Covid-19 mbi 120 vende dhe organizata ndërkombëtare dhe dërgoi disa qindra miliardë njësi furnizimesh anti-Covid në 153 vende.

Kina është e vendosur të vazhdojë të bashkëpunojë me komunitetin global për të trajtuar sfidat shëndetësore dhe për të mbrojtur mirëqenien e njerëzve në vende të ndryshme. (Fatosi)