Publiçisti dhe poeti Kujtim Hajdari ka mbaruar Universitetin e Elbasanit në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë dhe që kur ishte në vitin e dytë të universitetit filloi si mësues gjuhë- letërsie në Toshkëz e më vonë në shkollën e mesme në Allkaj të Lushnjës. Pastaj braktisi çdo gjë e iku në emigrim, në Itali, ku jetoi 27 vite. Kujtimi që në shkollën 8-vjeçare shkruante poezi të bukura e me vlera artistike, pasion që në shkollën e mesme u pasurua, duke filluar të botojë krijimet e tij në gazetat lokale të atëhershme si dhe në ato kombëtare “Zëri i Rinisë” dhe “Drita. Ai ka botuar 13 vëllime me poezi dhe disa nga veprat e tij janë përkthyer në anglisht dhe italisht. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për krijimtarinë e tij letrare, veprat e përkthyera si dhe projektet letrare në të ardhmen.
Kujtim Hajdari (Foto personale)
CMG: Flasim për periudhën kur ishit në Shqipëri, pa u larguar jashtë vendit. Si nisi rrugëtimi me krijimtarinë letrare?
Kujtim Hajdari: Udhëtimi im me poezinë ka nisur që kur isha në klasën e gjashtë të shkollës 8-vjeçare dhe fillova të shkruaja poezitë e para me nxitjen e mësuesit të gjuhë-letërsisë, që krijoi rrethin letrar me nxënësit. Më vonë shkruaja shumë poezi, që i afishonin në korridoret e shkollës. Kur bëheshin mbledhjet me mësuesët dhe prindërit, meqë isha pak i shkurtër më hipnin në tavolinë për t’i recituar poezitë e mia.
CMG: Në Shqipëri për shumë vite ju keni punuar edhe në fushën e mësimdhënies në disa shkolla. Cilat janë kujtimet që ruani nga puna si mësues?
Kujtim Hajdari: Ka qenë ëndrra ime që të mbaroja studimet për letërsi dhe dua të falenderoj të ndjerin Dritëro Agolli i cili më nisi direkt nga Lidhja e Shkrimtarëve në Elbasan, ku mu realizuaa ëndrra që të mbaroja Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë. Kjo ishte një ngajrje shumë e madhe në jetën time dhe pa mbaruar universitetin më emëruan mësues në një fshat të Lushnjes ku qëndrova dy vjet në shkollën 8-vjeçare. Pastaj kalova tetë vjet në Allkaj si mësues në shkollën e mesme për lëndën gjuhë-letërsi. Edhe aty me nxënësit kaluam shumë mirë, ku me pasionin për letërsinë krijova rrethin letrar, ku shumë nxënës filluan të shkruanin poezitë e para dhe u zhvilluan konkurset e para ku dhamë çmime simbolike që mund të jepte shkolla në atë kohë. Më vonë u detyrova si shumë të tjerë ta braktis vendin më shumë për arsye ekonomike, por dhe për të njohur botën, kështu që u largova në Itali.
Veprat e autorit Kutjim Hajdari (Foto personale)
CMG: Si ka qenë integrimi juaj në Itali pasi mbërritët atje?
Kujtim Hajdari: Integrimi në shtetin italian në fillimet e para ka qenë shumë i vështirë, se Italia meqë pati dyndje të mëdha nga vendet e tjera filloi të vendoste rregulla të forta. Kush hynte pa dokumenta i kapnin dhe ju jeprnin letër për t’u larguar njëherë dhe dy herë, pastaj të jepnin ekspuls, që do të thoshte për 10 vjet mos të shkelje më në Itali. Mua mi dha të trija këto sepse nuk më pëlqente të ikja dhe u detyrova pastaj të kthehem dhe të hyja rregullisht në Itali. Gjithashtu më ndihmuan edhe italianët që më njihnin sepse krijova respekt tek ata me sjellje dhe me punë. Më i vështirë ka qenë integrimi me punën se duke qenë mësues i gjuhë-letërsisë atje ishte e vështirë të gjeje punë për mësues në gjuhën shqipe. Kështu që kërkova ta konvertoja diplomën dhe vajta në Universitetin e Bolonjës, por atje nga 22 provime që kishte lënda ime më njiheshin vetëm dy provime, letërsia e vjetër antike greke dhe letërsia e vjetër antike romake dhe provimet e tjera duhet t’i jepja nga e para. Arsyet ekonomike, familja dhe gjendja në fillim si emigrant nuk më lejuan ta bëja këtë gjë dhe vazhdova punë të rëndomta derisa gjeta më vonë punë si mekanik në një fabrikë ku punova rreth 18 vjet.
CMG: Ju edhe në emigracion nuk u shkëputët nga krijimtaria letrare, por vijuat të shkruanit edhe atje?
Kujtim Hajdari: Nga krijimtaria letrare nuk u shkëputa dhe sidomos gjatë gjithë kësaj kohe deri në vitin 2016-2017 kam lexuar shumë, ndiqja shumë miq dhe shokë poetë në Facebook, por shkruaja pak edhe për kohën se nuk më mjaftonte. Pasi u lirova nga punët se ashtu erdhën rrethanat, fillova të shkruaj intensivisht dhe në vitin 2017 botova vëllimin e parë në SHBA nga shtëpia botuese “Create Space” dhe pas një viti botova po në SHBA vëllimin e dytë “Do të vij natën”. Veprimtaria ime letrare vazhdoi me ritme të shpejta dhe pothuajse çdo vit kam botuar nga dy vëllime dhe sot kam arritur të botoj rreth 13 vëllime me poezi.
Vepër e përkthyer në italisht e autorit Kujtim Hajdari (Foto personale)
CMG: Këto ishin dorëshkrime që ju i kishit të ruajtura dhe më vonë i botuat për lexuesin?
Kujtim Hajdari: Kishte nga ato poezi që i kisha shkruar në të kaluaarën, por unë u riktheva prapë dhe i ripunova duke i bërë pothuajse të reja. Shumica e këtyre vëllimeve janë të krijuara nga viti 2017 deri tani.
CMG: Disa nga librat tuaja janë të përkthyera në gjuhët italisht dhe anglisht. Cili ishte qëllimi për t’i sjellë këto botime në gjuhë të huaja?
Kujtim Hajdari: Deri tani janë përkthyer tre libra dhe po punoj për të përkthyer antologjinë që doli këtë vit. Dy libra janë në italisht dhe një tjetër është në anglisht, kurse antologjia do dalë së afërmi në italisht dhe mendoj që nga shtatori ose tetori do të dalë botimi i saj dhe në anglisht. Përkthimi i këtyre veprave në gjuhë të huaja nuk është pa qëllim, sepse dua që dhe lexuesi i huaj të njihet me poezitë e mia ashtu siç është njohur edhe me antologjitë e shumta ku unë bëj pjesë, që deri tani janë 52 antologji ndërkombëtare dhe kombëtare. Nga antologjitë kombëtare janë 10 dhe 42 janë ndërkombëtare në gjuhët anglisht, italisht, rumanisht si dhe në gjuhën marokene. Kjo ka të bëjë shumë sepse në 52 antologji, të mendosh që në çdo antologji ka nga 100 autorë dhe në dy-tre atologji italiane ka nga 500 autorë, dhe të mendosh që vetëm këto poetë do të lëxojnë poezitë është një reklamë jo vetëm e krijimtarisë time, por dhe e poezisë shqipe në botë. Mendoj se është diçka që duhet ta bëjnë të gjithë poetët sepse vendi ynë do të njihet shumë më tepër në botë.
CMG: Deri tani nuk keni bërë promovime në Shqipëri, por a do kishit dëshirë të organizonit ndonjë promovim për veprat tuaja?
Kujtim Hajdari: Janë disa arsye që nuk kam promovuar se edhe mua më pëlqen të promovoj, por kam vënë re që promovimet i shikojnë më shumë si punë tregtie. Unë kam dëshirë që promovimi të ketë në qëllim anën artistike, të ketë reklamimin e bukurisë artistike dhe mesazheve të veprës. Një arsye tjetër është sepse nuk kam pasur shumë kohë të merrem, se të bësh një promovim libri këtu duhet të vish të përgatitesh. Unë promovimin e librit këtu e mendoj që të ketë recitimet, diskutimet dhe referime nga njerëz që e njohin mirë poezinë. Mendoj se do ishte më mirë që të angazhoheshin kritikët letrarë për këtë punë, që do rrisin edhe cilësinë e poezisë në tërësi, por dhe të artit në përgjithësi si dhe do të nxisnin kuriozitetin e lexuesit.
Kujtim Hajdari në intervistë për CMG
CMG: Ju përveç se jeni poet dhe publicist i njohur, një tjetër fushë që ndiqni është edhe ajo e përkthimit. Flasim për përkthimet që ju keni bërë.
Kujtim Hajdari: Përkthimi është dëshira ime e dytë pas poezisë, por që të përkthesh duhet të njohësh mirë gjuhën dhe unë me italishten nuk kam probleme sepse e njoh shumë mirë njësoj si shqipen. Nuk kam probleme edhe të përkthej poezitë e rregullta, që është shumë e vështirë t’i përkthesh se duhet të ruash ritmin e poezisë, duhet të ruash gjatësinë e vargut si dhe rimat. Unë gjithmonë marr si shembull Nolin tonë të famshëm dhe Dritëroin. Edhe unë këtë punë dhe qëllim kam të arrijë dhe përkthimet që kam bërë në italisht qoftë të miat apo të shumë miqve të mi jam munduar që të bëj një punë me cilësi të lartë. Ndërsa për përkthimet në anglisht e kam pak më të vështirë se është gjuha që e njoh mirë nga leksiku dhe rregullat, por duhet ta njoh edhe nga ana e fonotikës dhe morfologjisë. Unë kam përkthyer dy libra, timin dhe të një poeti të njohur indian të cilin e përktheva nga anglishtja në italisht dhe u prit mirë. Tani po punoj për përkthimin e antologjisë, por më duhet më shumë punë për anglishten.
CMG: Këto dy vitet e fundit ju jetoni në SHBA. Pse vendosët të largoheni nga Italia?
Kujtim Hajdari: Unë jetova 27 vjet në Itali dhe Italia është një vend i bukur, janë njerëz të mirë dhe pak a shumë të natyrës tonë, por edhe dëshira për të parë SHBA-në si dhe kushtet sepse atje kam vajzën me dy nipat më nxitën të marr këtë vendim. Kështu që kërkova të socializohem dhe të njoh jetën amerikane, por gjithnjë duke ruajtur traditat tona.
CMG: Cilat janë projektet tuaja në lidhje me krijimtarinë letrare?
Kujtim Hajdari: Ëndrrat janë të mëdha, por dhe puna është e madhe se po punoj shumë dhe shpesh mendoj që ta ngadalësoj ritmin, por dëshira dhe pasioni më shtyjnë gjithnjë që të punoj. Aktualisht po përkthej në italisht antologjinë që doli para një muaji dhe nga shtatori do ta përkthej edhe në anglilsht. Përveç kësaj kam dhe një roman të autorit Fatmir Minguli që pres ta filloj tani, të cilin do ta përkthej në anglisht se është një roman shumë i bukur dhe mendoj se do t’i interesojë dhe botës për ta njohur atë. Gjithashtu kam gati një vëllim me poezi që mund ta mbaroj nga korriku. Kam mbaruar dhe një roman që titullohet “Kush ma kthen nënën”, që ka të bëjë më shumë me ngjarjet e mërgimit, të cilin do ta ripunoj sërisht. Këto janë pak a shumë veprat që pres të mbaroj.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uroj suksese në krijimtari.
Kujtim Hajdari: Ju falenderoj për punën e madhe që bëni në promovimin e artit dhe kulturës tonë.
Intervistoi: Gazmend Agaj