Nga stendat e Sallonit të Torinos - foto Shtepia Botuese Onufri
Është hapur në Torino Panairi Ndërkombëtar i Librit, një ngjarje e rëndësishme e librit dhe e kulturës, ku merr pjesë edhe Shqipëria. Këtë vit Shqipëria është ftuar si vend i veçantë mik.
Ajo çfarë bie në sy, nga ana vizive, që në hyrje në sallën dedikuar botimeve shqiptare, është një shkëmb me gurë të mëdhenj, i cili nga ana konceptuale identifikon romanin “Kronikë në gur” të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. Mbi njërin prej gurëve shkruhet në anglisht tituli i veprës.
Stenda e Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e mijëra vizitorëve.
“Një shkëmb që i hapet botës përmes letërsisë”, tha Ministrja Margariti, teksa e cilësoi realizimin e sallonit shqiptar, një vepër sa arkitekturore aq dhe artistike. Ajo ishte prezente në ditën e promovimit të Sallonit, ndërsa më herët kishte deklaruar se stenda shqiptare në Sallonin e Torinos, do të flasë në gjuhën kadareane.
Hyrja ne stenden shqiptare - foto nga faqja ne Fb e ministres Elva Margariti
Kadare me një ekzemplar të plotë
Në këtë panair është ekspozuar ekzemplari i parë i veprës së plotë të Kadaresë, që është botuar me kujdesin e Shtëpisë Botuese Onufri, e cila zotëron edhe të drejtën eksluzive të veprave të autorit. Bujar Hudhri prej shumë vitesh është botuesi i vetëm që i është besuar nga autori botimi i veprës së tij.
Në fakt në vitet 2007-2009, “Onufri” e botoi për herë të parë, në njëzet vëllime, krejt krijimtarinë e deriatëhershme të Kadaresë. Për fatin e mirë të lexuesit, përgatitja e përmbledhjes u realizua nën kujdesin e vetë autorit. Vetëm një pjesë e papërfillshme, kryesisht shkrime të rinisë së hershme apo krijime që, sipas gjykimit të tij, nuk kishin cilësinë e duhur artistike, u lanë jashtë kolanës.
Tani me këtë botim të dytë të veprës, janë shtatë vëllime që përmbledhin të gjithë veprën e autorit, në një botim të ri, të rimenduar, punuar e të mirëkonceptuar.
Ideja për një version të ri prej shtatë vëllimesh të veprës së plotë u diskutua pikërisht më 28 nëntor 2012, kur Kadareja shfletoi për herë të parë arkivin personal, në apartamentin e tij në Tiranë. Edhe numri shtatë i volumeve u zgjodh nga vetë autori. Fillimisht u mendua që e gjithë vepra e plotë prej njëzet vëllimesh të përmblidhej në gjashtë volume, ndërsa i shtati të ishte arkivi i pabotuar. Por Kadareja u tregua rreptësisht përzgjedhës me krijimtarinë e pabotuar, sikundër do të shprehej vetë, diku, vite më vonë: “Romanet e mia kishin qenë diçka e gabuar, përderisa kishin lindur jashtë kohës së lejuar për letërsi.”
Ministrja Margariti ne Sallonin e Librit ne Torino - foto nga faqja ne Fb e ministres Elva Margariti
Kadareja veçoi nga arkivi një krijim të cilin e pagëzoi si zanafillën e veprës së tij letrare. Ishte novela “Në dheun e panjohur”, e cila në faqen e parë mban datën 8 tetor 1953, duke përkuar këtë vit me shtatë dekada krijimtari të autorit. Meqenëse për këtë botim është ndjekur kriteri kronologjik, vëllimi i parë hapet pikërisht me këtë novelë.
Me romanin e tij të parë “Mjegullat e Tiranës” dhe krijimet e pesëmbëdhjetë viteve të fundit, si “Mosmarrëveshja”, “Mëngjeset në Kafe Rostand (Motive të Parisit)”, “Kukulla”, “Kur sunduesit grinden” etj., ky opus shtatëvëllimësh është më i ploti i botuar deri më sot dhe e paraqet krijimtarinë e Kadaresë në përmasën integrale të saj, duke mbetur përgjithmonë versioni përfundimtar dhe referencial për të gjitha botimet e mëvonshme në shqip dhe në gjuhët e huaja.
Me veprën e tij kadare arriti të kapërcejë kufijtë kombëtarë dhe të bëhet një autor i njohur ndërkombëtarisht. Nëpërmjet shkrimeve të tij, ai përshkruan gjallërisht historinë, kulturën dhe sfidat e popullit shqiptar ndër shekuj, duke i bërë ato të arritshme dhe të kuptueshme për audienca të ndryshme.
Ndërsa veprat e Kadaresë janë përkthyer në mbi 40 gjuhë, ky koleksion me vepra të plota do të shërbejë si një ndërhyrje e rëndësishme për përhapjen dhe promovimin e kulturës dhe letërsisë shqiptare në skenën ndërkombëtare. Përmes tij, lexuesit dhe studiuesit e interesuar do të kenë mundësinë e rrallë të thellohen dhe të analizojnë veprën e një prej shkrimtarëve më domethënës të kohëve moderne.
Vizitore ne stenden shqiptare te librit - foto FB Ministrja Margarit
Me krijimet e tij të fuqishme e të gjalla të mbushura me metafora, Kadare portretizon historinë dhe realitetin shqiptar në një mënyrë unike. Ai eksploron tema universale të luftës, pushtetit, tranzicionit dhe ndryshimeve shoqërore, duke i përshkruar ato në një kontekst të veçantë që pasqyron përvojën e tij dhe të vendit të tij. Veprat e tij krijojnë një rrëfim të thellë për identitetin kombëtar dhe sfidat që lidhen me zhvillimin dhe përparimin e një shoqërie.
Prezantimi i “Veprave të plota” të Kadaresë në Pavionin Shqiptar në Panairin Ndërkombëtar të Librit të Torinos është një ngjarje e veçantë për shqiptarët dhe adhuruesit e letërsisë së Ismail Kadaresë. Është një mundësi e rrallë për t'u angazhuar me veprat e tij, për të dëgjuar historitë pas krijimit të tyre dhe për të kuptuar më mirë kontributin e tij në skenën letrare botërore.
Panairi Ndërkombëtar i Librit në Torino ofron një platformë të rëndësishme për prezantimin e kulturave dhe autorëve të ndryshëm nga e gjithë bota. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë panair do të rrisë ndjeshëm prezencën e letërsisë shqipe në skenën ndërkombëtare dhe do të ndihmojë në promovimin e autorëve dhe veprave të tyre në një audiencë më të gjerë.
Njëkohësisht, prezantimi i koleksionit të plotë të veprave të Ismail Kadaresë në Pavionin Shqiptar në Panairin Ndërkombëtar të Librit të Torinos është një hap i rëndësishëm përpara në promovimin dhe përkthimin e letërsisë shqipe në skenën botërore. Kjo ngjarje e shquar do të shfaqë pasurinë kulturore dhe letrare të Shqipërisë dhe do të kontribuojë në forcimin e lidhjeve kulturore midis Shqipërisë dhe botës së letërsisë.
Neritana Kraja