OBSH rekomandon që vaksinat e reja për Covid duhet të synojnë vetëm variantet XBB
2023-05-22 14:54:50

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Një grup këshillues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) rekomandoi që vaksinat përforcuese të Covid-19 të këtij viti të përditësohen për të synuar një nga variantet aktualisht mbizotëruese të XBB, njofton “CGTN”.

Formulimet e reja duhet të synojnë të prodhojnë përgjigje të antitrupave ndaj varianteve XBB.1.5 ose XBB.1.16, bëri të ditur grupi këshillues, duke shtuar se mund të konsiderohen edhe formulime ose platforma të tjera që arrijnë përgjigje neutralizuese të antitrupave ndaj XBB.

Grupi sugjeroi që mos të përfshihej më lloji origjinal i Covid-19 në vaksinat e ardhshme, bazuar në të dhënat se virusi origjinal nuk qarkullon më te qeniet njerëzore dhe vaksinat që synojnë këtë variant prodhojnë nivele të pazbulueshme ose shumë të ulëta të antitrupave neutralizues kundër varianteve që qarkullojnë aktualisht.

Prodhuesit e vaksinave për Covid-19 si “Pfizer/BioNtech”, “Moderna Inc.” dhe “Novavax Inc.” po zhvillojnë tashmë versione të vaksinave të tyre përkatëse që synojnë XBB.1.5 dhe variante të tjera që qarkullojnë aktualisht.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së pritet të zhvillojë një takim me ekspertë të jashtëm në qershor për të diskutuar përbërjen e llojeve të injektimeve të Covid-19 për më vonë këtë vit.

Ilaçet përforcuese bivalente të zhvilluara dhe të shpërndara vitin e kaluar synuan dy lloje të ndryshme, variantin Omicron si dhe virusin origjinal.

Grupi këshillues i OBSH-së, i cili rekomandon nëse nevojiten ndryshime në përbërjen e vaksinave të ardhshme për COVID-19, njoftoi se vaksinat e miratuara aktualisht duhet të vazhdojnë të përdoren në përputhje me rekomandimet e agjencisë.

Rekomandimet e fundit vijnë rreth dy javë pasi OBSH-ja i dha fund statusit të emergjencës globale për Covid-19. (Fatosi)