Kina thërret ambasadorin e Japonisë për samitin e G7-s
2023-05-22 22:46:23

CFP

CFP

Zëvendësministri i Jashtëm kinez Sun Weidong thirri të dielën ambasadorin japonez në Kinë Hideo Tarumi për t'i paraqitur demarsh rreth samitit të G7-s në Hiroshimë.

Njoftohet se komunikata e udhëheqësve të G7-s dhe dokumente të tjera të miratuara nga samiti i zhvilluar në Japoni përmbajnë komente që kanë si qëllim të trumbetojnë çështjet lidhur me Kinën, duke përfshirë komentet mbi gjendjen në ngushticën e Tajvanit dhe akuzat lidhur me Detin e Kinës Lindore, Detin e Kinës Jugore, Hong-Kongun, Xinjiang-un, Xizang-un dhe energjinë bërthamore të Kinës. Komunikata  shpreh gjithashtu kundërshtimin e G7-s ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar statukuonë dhe ngre pretendime rreth "detyrimit ekonomik", duke aluduar për Kinën.

Sipas një deklarate të publikuar nga Ministria e Jashtme kineze të dielën në mbrëmje, Sun Weidong u shpreh se Japonia, që ka kryesimin e radhës të G7-s, ka bashkëpunuar me vendet e tjera për të njollosur e sulmuar Kinën dhe për të ndërhyrë brutalisht në punët e brendshme të Kinës.

Kjo shkel parimet bazë të ligjit ndërkombëtar dhe frymën e katër dokumenteve politike kino-japoneze dhe dëmton sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të Kinës, tha Sun.

"Pala kineze është shumë e pakënaqur dhe e kundërshton vendosmërisht një gjë të tillë," vuri në dukje ai.

CFP

CFP

Çështja e Tajvanit është thelbi i interesave themelore të Kinës dhe lidhet me themelet politike të marrëdhënieve Kinë-Japoni, duke përbërë një vijë të kuqe që nuk mund të kalohet, theksoi diplomati kinez.

Sipas tij, Hong-Kongu, Xinjiang-u dhe Xizang-u janë punë të brendshme të Kinës ku nuk duhet të përzihen forcat e jashtme.

Duke vënë në dukje qëndrueshmërinë në Detin e Kinës Lindore dhe Detin e Kinës Jugore, Sun tha se i ashtuquajturi "ndryshim i statukuosë me forcë" është larg së vërtesës.