Rusia pretendon kontrollin e plotë të Bakhmutit, Ukraina e cilëson situatën si kritike
2023-05-22 14:58:13

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Rusia bëri të ditur se forcat e saj kishin marrë kontrollin e plotë të qytetit të kontestuar të Bakhmutit, i njohur gjithashtu si Artyomovsk, ndërsa pala ukrainase njoftoi se situata atje ishte kritike, citon “Xinhua”.

Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit ushtarak privat rus Wagner, tha në një video-mesazh të postuar në kanalin e tij “Telegram” se Wagner do të fillojë të tërheqë njësitë e tij më 25 maj për pushim dhe ritrajnim dhe se luftëtarët e tij do të krijojnë linjat e nevojshme të mbrojtjes.

“Si rezultat i veprimeve sulmuese të reparteve sulmuese Wagner, me mbështetjen e artilerisë dhe aviacionit të Grupit Jugor të Forcave, çlirimi i qytetit të Artyomovsk përfundoi në drejtimin taktik të Artyomovsk”, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes, duke konfirmuar përmes një deklarate marrjen e qytetit.

“Presidenti rus Vladimir Putin uron detashmentet sulmuese Wagner, si dhe të gjithë ushtarakët e njësive të Forcave të Armatosura Ruse, të cilët u dhanë atyre mbështetjen e nevojshme dhe mbrojtjen e krahut, për përfundimin e operacionit për çlirimin e Artyomovsk”,- bëhet e ditur në deklaratën e shërbimit të shtypit presidencial rus.

“Të gjithë ata që u dalluan do të prezantohen për çmime shtetërore”, bëri të ditur Kremlini.

Ndërsa zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Malyar, shkroi në një postim në “Telegram” se luftime të ashpra po zhvillohen në Bakhmut, duke vënë në dukje se trupat ukrainase ruajnë mbrojtjen në zonën Litak.

Sipas saj, forcat ushtarake ukrainase po kontrollonin disa objekte industriale dhe infrastrukturore në zonë dhe sektorin privat.

Bakhmut, një qendër e rëndësishme transporti, që ndodhet rreth 66 km në veri të qytetit të Donetsk, ka qenë qendra e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës për muaj të tërë. (Fatosi)