Studiuesit kinezë vërtetojnë praninë e oqeanit në Mars
2023-05-21 21:47:02

foto nga CFP

roveri kinez i Marsit Zhurong /foto nga CFP

Studiuesit kinezë kanë zbuluar prova të drejtpërdrejta që vërtetojnë ekzistencën e dikurshme të një oqeani në zonën veriore të Marsit, sipas Universitetit të Gjeoshkencave në Wuhan të Kinës, citon “Xinhua”.

Studimet e mëparshme gjetën prova të një sasie të madhe uji në Marsin e hershëm, por pretendimet mbetën të diskutueshme për shkak të mungesës së analizave.

Një ekip hulumtues i udhëhequr nga Xiao Long, profesor nga universiteti, analizoi të dhënat shkencore nga kamera multispektrale e roverit të Marsit Zhurong dhe ka gjetur për herë të parë prova petrologjike të shkëmbinjve sedimentarë detarë në sipërfaqen e Marsit, sipas një artikulli kërkimor botuar në revistën “National Science Review”.

“Kur pamë imazhet nga kamera në bord të roverit, zbuluam se strukturat e shtratit të shkëmbinjve të ekspozuar janë dukshëm të ndryshme nga shkëmbinjtë e zakonshëm vullkanikë në sipërfaqen e Marsit, si dhe strukturat e shtratit të formuar nga rëra eoliane”,- tha Xiao.

Sipas tij, karakteristikat e rrjedhës dydrejtimëshe të treguara nga të dhënat e shtratit ishin në përputhje me rrjedhat e baticës në mjedisin e oqeanit të cekët në breg të Tokës.