
Panairi i librit ne Torino (Foto Atsh)
Në Panairin e Librit në Torino të Italisë prezantohet edhe Shqipëria, e cila për herë të parë është vend mik në Sallonin Ndërkombëtar të Librit. Stenda e Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e mijëra vizitorëve.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, publikoi në rrjete sociale foto që përcjellin imazhe të vizitorëve të ndryshëm që tregojnë interes për letërsinë shqiptare, përcjell “ATSH”.
“Një shkëmb që i hapet botës përmes letërsisë”, u shpreh Marariti, teksa e cilësoi realizimin e sallonit shqiptar, një vepër sa arkitekturore dhe artistike nga Matilda Pando dhe Ergys Krisiko.
Stenda shqiptare është realizuar si një shpellë me gurë të mëdhenj, mbi njërin prej të cilëve është mbishkrimi “Chronicle in Stone”, e cila i referohet romanit të shkrimtarit Ismail Kadare, “Kronikë në gur”.
“Një punë e palodhur, në një kohë fare të shkurtër, nga të rinjtë në Ministrinë e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me mbështetjen e partnerëve tanë: Shoqata e Botuesve Shqiptarë, Regione Puglia, Qendra Shqiptare e Torinos e të tjerë, tha Margariti. (Irma)
