
Aksidentet rrugore (Foto Rtsh)
Instituti i Statistikave bëri të ditur se numri i aksidenteve rrugore u ul me 25% gjatë muajit prill, krahasuar me prillin e një viti më parë.
Sipas raportit të publikuar nga INSTAT-i, në muajin prill numërohen 69 aksidente rrugore nga 92 të ndodhura në prill 2022. Ndërkohë, rënie shënoi edhe numri i të aksidentuarve.
Nga të dhënat e INSTAT-it bëhet e ditur se numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 94 persona nga 132 në muajin prill 2022, përcjell “ATSH”.
Raporti i INSTAT-it tregon se aksidentet rrugore, në 87% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grupmosha deri në 24 vjeç, duke zënë 24.6% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grupmoshë janë ulur me 15%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
