
Pasaporta e Kubes (Foto Msn)
Ministria e Jashtme kubane bëri të ditur se pasaportat do të jenë të vlefshme për 10 vjet, në vend të 6, për kubanët mbi 16 vjeç, duke shkurtuar kështu dhe kostot për rinovimin e dokumenteve të udhëtimit jashtë vendit, citon “CGTN”.
Ministria eliminoi gjithashtu një kërkesë që kubanët të paguanin një tarifë çdo dy vjet, edhe para se të skadojnë pasaportat e tyre, për të ruajtur statusin e tyre aktiv.
Rregullat e reja hyjnë në fuqi më 1 korrik, tha Ernesto Soberon, drejtor i Çështjeve Konsullore për Ministrinë e Jashtme kubane. Ai tha se masat janë fokusuar në forcimin e lidhjeve me komunitetin kuban jashtë vendit.
Kuba për dekada e ka kufizuar emigrimin e qytetarëve të saj dhe shumë kubanë që jetojnë jashtë ankohen për vështirësi burokratike dhe tarifa të tepruara për mbajtjen e lidhjeve dhe rinovimin e dokumenteve të udhëtimit me vendin e tyre.
Më shumë se 300.000 kubanë mbërritën në kufirin e SHBA-së vitin e kaluar, sipas të dhënave të Doganave dhe Patrullës Kufitare të SHBA-së, një eksod rekord në mes të një krize ekonomike të paprecedentë. (Irma)
