Enriketa Kuqani: Publiku, shoqëruesi më i mirë i karrierës time
2023-05-20 17:20:55

Enriketa Kuqani (Foto personale)

Enriketa Kuqani (Foto personale)

Enriketa Kuqani është këngëtare e njohur e muzikës popullore qytetare shkodrane me mbi 40 vite karrierë. Ajo e ka nisur rrugëtimin e saj muzikor në një moshë të vogël, duke vijuar karrierën me koncerte të shumta brenda dhe jashtë vendit. Enriketa ka interpretuar mjaft këngë popullore dhe jaret shkodrane, ku kënga e Margjelës mbetet më e dashura e saj. Prej disa vitesh jeton bashkë me familjen në SHBA, por Shkodrën e ka gjithmonë në mendje dhe e viziton shpesh. Në një intervistë për Radio Ejani Enriketa Kuqani tregon mbi fillimet e saj në muzikë, aktivitetet muzikore si dhe bashkëpunimet me këngëtarë të tjerë shkodranë.  

CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja me muzikën popullore qytetare shkodrane?

Enriketa Kuqani: Mund të them se fillimet e mia si këngëtare janë qysh në festivalet e fëmijëve, ku kam marrë pjesë shumë e vogël si koriste dhe soliste. Ndërkohë si këngëtare e këngës popullore qytetare kam qenë në moshën 14 vjeçare. Ishte debutimi im në një koncert popullor që organizohej në Teatrin Migjeni dhe kënaqësia më e madhe ishte që mora pjesë dhe këndova një duet me të madhin e jares shkodrane, artistin e ndjerë Bik Ndoja. Ky koncert la mbresa të mëdha për mua dhe mund të them se ishte një fillim i mbarë për vitet që do të vinin dhe për rrugën që nisa drejt interpretimit të këngës popullore qytetare shkodrane. 

Enriketa Kuaqni me kengetaren Mukades Canga me veshje popullore (Foto personale)

Enriketa Kuaqni me kengetaren Mukades Canga me veshje popullore (Foto personale)

CMG: Sa interpretime nëpër koncerte numëroni në karrierën tuaj artistike, duke ditur që keni një jetë në skenë?

Enriketa Kuqani: Unë kam mbi 40 vjet që interpretoj dhe mund të them se janë të panumërta. Unë kam marrë pjesë në shumë koncertë në qytetin e Shkodrës, nëpër fshtarat e Shkodrës, pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë si dhe më vonë edhe në shumë shtete të Europës. Po ashtu dhe këngët janë të panumurta, duke filluar me “Margjelën”, “Çeli qershia” të kompozitorit të madh shkodran Prenk Jakova, këngën “Bilbilit” “Në zaman të asaj furie”, “Moj e mirë me sytë e zi”, “Dashnor t’u bana”, “Në pranverë që kena hi”, “Sot ka çel pranvera” e shumë këngë të tjera. 

CMG: Cilën nga interpretimet tuaja do të veçoni si këngën më të dashur për ju?

Enriketa Kuqani: Për mua që e kam kënduar për herë të parë në vitin e tretë të shkollës së mesme, në një konkurs të rinjsh për këngën popullore dhe aty jam paraqitur me këngën e Margjelos, ku kam fituar çmimin e parë në atë konkurs. Ajo këngë mbeti më e dashura dhe më e shtrenjta për mua në të gjithë karrierën time. 

Enriketa Kuqani duke interpretuar (Foto personale)

Enriketa Kuqani duke interpretuar (Foto personale)

CMG: Cilat kanë qenë bashkëpunimet në duet me të tjerë këngëtarë të këngës popullore?

Enriketa Kuqani: Unë kam bërë bashkëpunime kryesisht me këngëtarët shkodranë, kam kënduar shumë duete me të madhin Bik Ndoja, i cili më ka ndihmuar shumë për të interpretuar sa më bukur jaret shkodrane. Gjithashtu kam kënduar në duet me këngëtaren Mukades Çanga, Myfarete Laze se jemi pothuajse të një brezi, me Bujar Qamilin kam kënduar duete të bukura shkodrane, me Bashkim Alibalin, Adnan Balën. Kemi kënduar bashkë me Violeta Zefin një kolazh dhe me Hajro Pepën. Pra ka qenë një bashkëpunim i gjerë me shumë këngëtarë. 

CMG: Me kë keni bashkëpunuar për realizimin e materialeve tuaja muzikore?

Enriketa Kuqani: Ata janë kryesorët që na kanë dhuruar këngë, por ka edhe drejtues orkestrash që na kanë evidentuar në punën tonë. Këtu mund të përmend Pjetër Gacin e ndjerë, Nazmi Lishi dhe një bashkëpunim të veçantë kam pasur me fizarmoniçistin e talentuar Luan Borova që nuk jeton më. Ndërsa me muzikantët që vazhdojnë karrierën e tyre mund të përmend Zef Çobën, Ilir Zogaj, që edhe sot është drejtues orkestre i Teatrit Migjeni, Bardhyl Hysën, një ndër drejtuesit e qendrës kulturore “Pjetër Gaci” në Shkodër. Shoqëruese kanë qenë orkestrat, duke filluar nga orkestra e filarmonisë së Shkodrës dhe orkestra e Teatrit Migjeni, po ashtu edhe orkestra e qendrës së kulturës “Pjetër Gaci”. Gjithashtu kam kënduar dhe në koncerte në Tiranë që janë organizuar për këngën popullore, ku kam përfaqësuar Shkodrën e shoqëruar nga orkestra e RTSH-së me drejtues Jetmir Barbullushin. 

Enriketa Kuaqni me kengetaren Vjollca Luka (Foto personale)

Enriketa Kuaqni me kengetaren Vjollca Luka (Foto personale)

CMG: Cilat janë kujtimet që ruani me artistët e njohur të këngës popullore shkodrane që sot nuk jetojnë më, por dhe me këngëtarë të brezit tuaj?

Enriketa Kuqani: Përveç Bik Ndojës i cili ka qenë një bashkëpunues dhe mësues i mirë për mua, dua të përmend dhe Shqyqyri Alushin që ishte shumë korrekt me tekstet, duke na i kërkuar që t’i këndonim ato tekstet e këngëve ashtu siç kanë qenë të shkruara, si dhe Florinda Gjergjin. Kujtime të bukura kam dhe me këngëtarë pothuajse të brezit tim por edhe me të rinj, që kemi kalaur momente shumë të bukura, si brenda qytetit ashtu dhe jashtë vendit. 

CMG: Sa e dashuruar jeni me qytetin tuaj, Shkodrën e traditës dhe kulturës?

Enriketa Kuqani: Jam shumë e dashuruar, Shkodra për mua është dashni, Shkodra për mua është mrekulli. Unë vërtetë jetoj në Çikago të SHBA-së me fëmijët e mi prej disa vitesh, por mendjen e kam te Shkodra. Unë vij çdo vit dhe mund të them se atje kam nipat, mbesat, pra kam zemrën por këtu kam historinë e jetës time, kam kënaqësinë e madhe, kam shoqërinë dhe  një pjesë të mirë të jetës. 

Enriketa Kuaqni gjate nje koncerti (Foto personale)

Enriketa Kuaqni gjate nje koncerti (Foto personale)

CMG: Çfarë është publiku për ju?

Enriketa Kuqani: Publiku është motivuesi, është shoqëruesi më i mirë i karrierës time, në mënyrë të veçantë është publiku shqkodran i cili të dhuron respekt dhe ndërsjelltas edhe unë kam respekt pafund për këtë publik. 

CMG: Cili është mendimi juaj për brezin e ri të këngëtarëve në interpretimin e këngës popullore të mirëfilltë?

Enriketa Kuqani: Qyteti i Shkodrës është një burim talentesh që nuk shterin jo vetëm në muzikë, por në sport, në pikturë, skultpurë, letërsi dhe shumë drejtime. Dëshiroj të them që po rritet një brez dhe po aktivizohet mjaft në koncerte popullore, pra një brez shumë i talentuar që e këndojnë shumë bukur këngën dhe janë duke ecur mbas traditës ku me të vërtetë të kënaqin kur i dëgjon. Unë i këshilloj që ta këndojnë sa më shumë, ta kenë pjesë kryesore të repertorit të tyre dhe ta ruajnë këtë traditë të bukur, ti ruajnë të pastra ashtu siç janë vetë këto këngë. 

Enriketa Kuaqni duke kenduar ne nje aktivitet (Foto personale)

Enriketa Kuaqni duke kenduar ne nje aktivitet (Foto personale)

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.

Enriketa Kuqani: I uroj shëndet, suksese dhe i falenderoj të gjithë pa masë duke ju uruar çdo të mirë në jetën dhe në familjet e tyre. Ju falenderoj edhe juve, duke ju uruar shumë suksese në punën tuaj të bukur.

Intervistoi: Gazmend Agaj