Prodhimi i industrisë së navigimit satelitor në Kinë u rrit me 6.76 për qind në vitin 2022
2023-05-20 16:08:51

foto nga CFP

foto nga CFP

Vlera totale e prodhimit të industrisë së shërbimit të navigimit dhe pozicionimit satelitor në Kinë arriti në 500.7 miliardë juanë (rreth 71.3 miliardë dollarë amerikanë) në vitin 2022, 6.76 për qind më shumë në bazë vjetore, sipas një libri të bardhë të botuar të enjten, citon “Xinhua”.

Shoqata e Sistemit Global të Navigimit Satelitor (GNSS) dhe Shërbimeve të Bazuara në Vendndodhje (LBS) të Kinës publikoi në një konferencë shtypi librin e bardhë të këtij viti, mbi zhvillimin e industrisë së shërbimit të navigimit dhe pozicionimit satelitor.

Sipas shoqatës, ka pasur mbi 264 milionë dërgesa të smartfonëve në Kinë në vitin 2022, me 98.5 për qind të tyre që mbështesin Sistemin Satelitor BeiDou (BDS). Aktualisht, shumica e aplikacioneve celulare që ofrojnë shërbime hartash, navigimi dhe blerjesh në Kinë tashmë mbështesin BDS.

“Në vitin 2022, BDS është integruar më tej në jetën e përditshme të njerëzve, duke krijuar më shumë skenarë aplikimi dhe duke zgjeruar shkallën e aplikimit të tregut masiv BeiDou”, tha presidenti i shoqatës Yu Xiancheng, duke shtuar se shërbimi i pozicionimit BDS përdoret mesatarisht rreth 360 miliardë herë në ditë.

BDS është përdorur gjithashtu për parandalimin dhe zbutjen e fatkeqësive. Që nga qershori 2022, një platformë monitorimi dhe paralajmërimi sigurie e mundësuar nga BDS është aplikuar në fusha dhe industri, duke përfshirë transportin, menaxhimin e burimeve ujore, parandalimin e fatkeqësive gjeologjike, zhvillimin e banesave, reagimin ndaj emergjencave, energjinë, minierat dhe mbrojtjen e mjedisit në 20 nivele provinciale në të gjithë vendin. (Irma)