Ligjvënësit japonezë denoncojnë planin për ujërat e ndotura bërthamore
2023-05-20 16:17:45

Japonia (Foto Cgtn)

termocentrali i dëmtuar i Fukushimës (Foto Cgtn)

Ligjvënësit japonezë u mblodhën jashtë Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë për të dënuar planin e qeverisë për të shkarkuar në det ujërat e ndotura nga termocentrali i dëmtuar i Fukushimës, duke e quajtur atë një shkelje serioze të kontratës me publikun, përcjell “CGTN”.

“Në vitin 2015, qeveria japoneze dhe kompania “Tokyo Electric Power” u premtuan peshkatarëve të Fukushimës se nuk do të shkarkonin ujëra të ndotura pa pëlqimin e tyre. Dhe peshkatarët e kanë kundërshtuar deri më tani. Jo vetëm peshkatarët, por edhe banorët e prefekturës së Fukushimës, populli japonez dhe vendet e huaja janë shumë kundër tij. Megjithatë, qeveria japoneze ende këmbëngul në vendosjen arbitrare të planit të shkarkimit të ujërave të ndoduta bërthamore, që është një shkelje e kontratës”,- deklaroi Iwabuchi Tomo, senator në Dhomën e Këshilltarëve.

“Qeveria japoneze më parë deklaroi se zbatimi i planit të shkarkimit ishte bazuar në pëlqimin e banorëve vendas, por ata nuk e shprehën pëlqimin e tyre. Çështje të tjera të ndryshme nuk kanë marrë pëlqimin e njerëzve dhe janë diskutuar. Mendoj se shkarkimi në det i ujërave të ndotura bërthamore, që përmbajnë shumë rrezatim, do të bëhet një problem serioz”,- deklaroi Kontou Syoichi, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Tomo theksoi se shkarkimi i ujërave të ndotura nga Fukushima në oqean po dënohet ndërkombëtarisht dhe qeveria japoneze duhet të dëgjojë opinionet ndërkombëtare dhe ta trajtojë siç duhet çështjen.

Qytetarët japonezë që janë kundër planit të qeverisë i paraqitën një peticion kryeministrit japonez Fumio Kishida dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, duke kërkuar që qeveria japoneze të ndalojë shkarkimin, të zbulojë llojet dhe përmbajtjet e elementeve radioaktive në ujin e ndotur dhe të hartohet sa më shpejt që të jetë e mundur një plan alternativ për ujin e ndotur. (Irma)