Gentiloni: BE të thjeshtojë dhe modernizojë Bashkimin Doganor
2023-05-20 15:28:19

Paolo Gentiloni (Foto Newsweek)

Paolo Gentiloni (Foto Newsweek)

Komisioni Europian propozon të thjeshtojë procedurat doganore për mallrat që hyjnë në Bashkimin Europian (BE) dhe të modernizojë Bashkimin Doganor, deklaroi eurokomisioneri për Tregtinë Paolo Gentiloni, citon “Xinhua”.

Reformat e propozuara do të përfshijnë zhvillimin e një partneriteti të ri me bizneset, një qasje më të zgjuar ndaj kontrolleve me porosi dhe një qasje më moderne ndaj tregtisë elektronike.

Sipas reformës së propozuar të Bashkimit Doganor, procedurat do të thjeshtohen për bizneset që importojnë mallra në BE. Përmes kësaj nisme, do të mund të regjistrohen të gjitha informacionet mbi produktet dhe zinxhirët e tyre të furnizimit në një portal të vetëm, në Qendrën e të Dhënave të Doganave të BE-së, e cila do të përpilojë të gjitha të dhënat dhe do t'u sigurojë autoriteteve një pasqyrë të zinxhirëve të furnizimit dhe lëvizjes së mallrave.

Qendra e të Dhënave do të hapet për dërgesat e tregtisë elektronike në vitin 2028, e ndjekur, në baza vullnetare, nga importues të tjerë në vitin 2032. Një rishikim në vitin 2035 do të vlerësojë nëse kjo mundësi mund të shtrihet për të gjithë tregtarët kur qendra të bëhet e detyrueshme që nga viti 2038.

Qendra do të zëvendësojë përfundimisht sistemet ekzistuese të teknologjisë së informacionit doganor në vendet anëtare të BE-së dhe do të kursejë deri në 2 miliardë euro (2.16 miliardë dollarë amerikanë) në vit në kostot operative.

Një Autoritet i ri Doganor i BE-së do të mbikëqyrë qendrën. Ai do të grumbullojë informacion dhe ekspertizë në nivel të BE-së dhe do të vlerësojë të dhënat e ofruara përmes qendrës.

Duke përdorur inteligjencën artificiale, sistemi do t'i lejojë autoritetet doganore të BE-së të ndalojnë hyrjen e mallrave të paligjshme në vendet e Bllokut dhe të mbledhin detyrime dhe taksa që do të ridrejtohen drejt buxheteve kombëtare të shteteve anëtare.

Reforma do t'i bëjë platformat online aktorë kryesorë për të siguruar që mallrat e shitura online në BE të jenë në përputhje me të gjitha detyrimet doganore.

Reforma e propozuar shfuqizon gjithashtu kufirin aktual sipas të cilit mallrat me vlerë më të vogël se 150 euro përjashtohen nga taksa doganore, e cila shfrytëzohet shumë nga mashtruesit. Sot, deri në 65 për qind të pakove të importuara në BE janë të nënvlerësuara.

Regjimi i ri i tregtisë elektronike pritet të sjellë 1 miliard euro në vit të ardhura shtesë doganore.

Bashkimi Doganor ka ekzistuar që nga viti 1968. Propozimi i reformës i Komisionit tani duhet të miratohet nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i BE-së dhe do t'i dërgohet Komitetit Ekonomik dhe Social Europian për konsultim. (Irma)