Rritja e qirave në Suedi, më e larta në 30 vjet
2023-05-20 15:30:02

Qirate e shtepive (Foto Menafn)

Qirate e shtepive (Foto Menafn)

Qiramarrësit në Suedi përballen me rritjen më të lartë të qirasë në tre dekada, raportuan mediat lokale.

Rritja mesatare do të jetë 4.2 për qind pas negociatave midis Unionit Suedez të Qiramarrësve dhe pronarëve, njoftoi agjencia suedeze e lajmeve “TT”, citon “Xinhua”.

“Ka qenë një raund tepër i vështirë dhe i gjatë negociatash”,- tha Erik Elmgren, kreu i Unionit Suedez të Qiramarrësve për rritjen e qirasë për gati 1.1 milionë apartamente për vitin e ardhshëm.

Elmgren tha se rritjet janë të arsyeshme edhe pse shumë qiramarrës tashmë janë duke luftuar për të përballuar jetesën. “Nuk janë vetëm qiratë që po rriten. Ka inflacion të lartë. Çmimet e ushqimeve janë të larta. Është një krizë e kostos së jetesës”,- shtoi ai.

Në Suedi, qiratë negociohen një herë në vit. Kur palët hynë në negociata vjeshtën e kaluar, norma e inflacionit kaloi 10 për qind për herë të parë që nga viti 1991 dhe pronarët përmendën rritjen e kostove dhe rritjen e normave të interesit kur kërkonin rritje dyshifrore.

Kërkesat ishin shumë të larta, pasi qiramarrësit tashmë po luftonin me kostot në rritje të jetesës, tha në një deklaratë për shtyp Marie Linder, kryetare e Unionit Suedez të Qiramarrësve.

Pas mbajtjes së normës së interesit në nivele zero ose nën zero për më shumë se shtatë vjet, Banka Qendrore e Suedisë (Riksbank) e ka rritur vazhdimisht normën që nga maji i kaluar në 3.5 për qind aktualisht, për të frenuar inflacionin e shfrenuar.

Në prill, norma e inflacionit ishte 10.5 për qind në bazë vjetore, sipas Zyrës së Statistikave të Suedisë. (Irma)