Skënder Sherfi u diplomua në vitin 1980 me titullin Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë frënge. Për një kohë të konsiderueshme ka punuar si gazetar profesionist i artit dhe kulturës në radion dhe shtypin belg, duke realizuar rreth 700 intervista me krijuesit më të famshëm frankofonë, por edhe anglofonë, italianë e spanjollë në Bruksel, Paris. Ndër këta krijues janë Sergio Leone, Vittorio Gassman, Alberto Sordi, Gérard Depardieu, Jeanne Moreau, Annie Girardot, Jean Réno, Juliette Binoche, Denis Lavant, Charles Aznavour, Alain Bashung, Serge Reggiani, etj Nga viti 1992 e në vazhdim, ka punuar në arsim, fillimisht si Profesor i Marrëdhënieve Publike, në shkencat e komunikimit, në U.F.I. (Universiteti Frankofon International) në Bruksel, po dhe në disa shkolla të mesme të Belgjikës frankofone, i emëruar Profesor i gjuhës frënge dhe i edukatës civile nga Ministria e Arsimit në Bruksel.
Skënder Sherifi ka filluar realisht të shkruajë në 1968, kur ishte veçse 14 vjeç. Etapa e parë themeluese e veprës së tij është Parisiane.
Autori Skënder Sherifi, pas hyrjes së tij në Fjalorin francez të famshëm Larousse në vitin 2003 në Paris, si autor i evidentuar shqiptar, ka vendosur që t’ia dhurojë si testament shpirtëror dhe letrar gjithë veprën tij kombit të tij, Shqipërisë.
CMG: Si ju duket Tirana kur i riktheheni herë pas here?
Skënder Sherifi: Tirana ka ritëm, ajo gëlon nga aktivitetet dhe zhvillimi, ngarkesa që ka marrë kohët e fundit. Vetë emri "kryeqytet" e bën këtë të konkurrueshëm me vende të tjera si Parisi apo qytete të zhvilluara. Kjo është tepër pozitive sepse e ngre qytetin në nivel të lartë zhvillimor. Është e vështirë t’i thuash vetes 'Ndal!, në një qytet si Tirana ku çdo gjë ecën me ritme të shpejta.
CMG: Ndërsa kjo gjë për krijimtarinë tuaj është pozitive, ju frymëzoheni për të shkruar?
Skënder Sherifi: Po, për mua është tepër pozitive, më jep jetë edhe energji. Unë jam mësuar më zhurmën apo me jetën dinamike dhe me ritëm. Kam punuar dhe kam vepruar që qytete edhe më të mëdha apo më tepër dinamike sepse puna apo profesioni im ka qenë i tillë dhe jam mësuar me këtë rrëmujë sa pozitive aq edhe jo sepse jo të gjithë autorëve ju shkon te shkruajnë në vrull apo zhurmë. Të gjithë artistët duan që përveçse të jetojnë në një vend të gjallë dhe të zhurmshëm, duan gjithashtu të kenë mundësi të ikin jashtë metropoleve për të marrë më tepër qetësi.
CMG: Le të supozojmë që ndodhesh përballë një pasqyre dhe po përpiqesh të tregosh atë që mendon për veten. Çfarë do i thoje vetes?
Skënder Sherifi: Ne jemi pjesë e një spektakli,ti je edhe aktor edhe spektator. Pikërisht në këtë rrëmujë ti zgjedh që t’i flasësh vetes dhe ta pyesësh se çfarë rëndësie kam unë këtu, çfarë kam bërë deri më tani? Kam arritur t'i plotësoj synimet e mia në jetë? Këto janë reflektime në intimitet me veten.
CMG: Cilat janë dilemat më të mëdha të tuat ?
Skënder Sherifi: Unë jam një paradoks i vërtetë Ka gjëra që edhe i dua edhe nuk i dua, në të njëjtën kohë. Jam shumë njeri që kundërshtoj shpesh veten për shumë gjëra .
CMG: Cilët elementë të jetës suaj ua kanë plotësuar karakterin si shkrimtar?
Skender Sherifi: Jam shkrimtar shpirtëror dhe çdo gjë me ndikon. Unë edhe një imazh e fus në ciklin e jetës sime, shoh diçka dhe nis të besoj fort se ajo gjë më ndikon tek krijimtaria ime. Edhe një muzikë në radio për mua është e rëndësishme pasi më ngacmon për të shkruar apo për të ndërtuar në fund fare kujtime.
CMG: A e sheh gjithnjë botën me sytë e shkrimtarit?
Skënder Sherifi: Po, çdo gjë e shoh të tillë. Çdo njeri apo çdo lëvizje unë e shoh me sytë e poetit, sepse më pëlqen dhe e kompozoj artin tek e bukura.Të gjitha gjërat që kemi në përditshmëri unë i nuhas dhe i shoh si burim frymëzimi.
CMG: Në huatjen tuaj artistike, a nxiteni shpesh të shkruani sa më shpejt sepse një mendim mund t'iu fluturojë?
Skender Sherifi: Po gjithmonë më ndodh që të zgjohem dhe të shkruaj në mes të natës se një ngacmim nga jashtë mund të ketë ardhur. Nuk dua të humbas asnjë sekondë së bëri diçka të bukur.
CMG: Kur ju shkruani ndërthurni disa kultura së bashku, pse e bëni këtë ?
Skender Sherifi : Sepse dua disa gjëra njëherësh, dua të bukurën moderne dhe po aq atë tradicionale. I dua të gjitha gjërat dhe shpesh bie në kundërshtim me veten sepse me duhet t’i përfshij këto të gjitha në shkrimet e mia. Por kam kuptuar që këtë gjë publiku e do dhe në këtë këndvështrim do vijoj gjithmonë të shkruaj .
CMG: Si erdhi poezia tek ju ?
Skënder Sherifi: Mua më ka ardhur poezia, si reagim, si përgjigje ndaj gjitha përplasjeve të mia. Sepse me vargje fjalësh kam mundur të shpreh diçka intime timen …
CMG:Shkon njeriu tek poezia, apo vjen poezia tek njeriu?
Skënder Sherifi: Jo, unë besoj që vjen poezia tek njeriu! Siç vjen pasioni, dashuria, era, dielli, drita, elementet natyrorë … frynë diçka, rrjedh diçka, depërton diçka, të pushton diçka, kalon diçka përmes teje, që e kupton apo nuk e kupton, që e refuzon apo e pranon. Janë mesazhe të jetës, sinjale … ose i kap, ose nuk i kap? Të vjen një notë muzike, një tingull, një ngjyrë, një imazh: dhe të ndalë, pastaj ti e mendon, e mediton, e admiron, e peshon, e verifikon, e analizon, e pason. Dikur ose e harron, ose i përgjigjesh në mënyrën tënde
Intervistoi Megi Latifi