Komedia “Ëndrra ime Rina” sonte në premierë
2023-05-19 09:48:13


Shfaqet sonte në Teatrin Kombëtar premiera “Ëndrra ime Rina”, një komedi e autorit Pëllumb Kulla dhe regji nga Spiro Duni, për të vazhduar edhe më 20 dhe 21 maj. Në qendër të komedisë është një çift në moshë, të cilët kanë vendosur të divorcohen. Një dashuri që shfaqet përmes një xhelozie të habitshme, të bukur… një grindje e pafund deri në trokitjen e datës për gjyqin e divorcit. Dashuria e madhe, ajo e vërteta nuk ka të mbaruar.

Në premierë do të jetë i pranishëm edhe vetë autori i veprës  Pëllumb Kulla,i  cili ka ardhur posaçërisht nga SHBA, ku jeton prej vitesh. Në intervistë për Radio Ejani, aktori kryesor i shfaqjes Neritan Liçaj, i cili interpreton rolin e Skënderit, tregon më tepër rreth kësaj shfaqjeje.

CMG: Flasim për shfaqjen "Ëndrra ime Rina", mesazhi që përcillet nëpërmjet saj, si edhe për rolin tuaj?

Neritan Liçaj: Mesazhi i shfaqjes është dashuria e përjetshme derisa njëriu plaket , pavarësisht lojërave të dashurisë, xhelozitë e vogla, por në fund fare dashuria e shëndetshme fillon të jetojë që me dashurimin e një çifti dhe deri në moshën e tyre të thyer, ku dashuria e tyre bëhet më e fortë me kalimin e viteve, por edhe më e bukur.

CMG: Çfarë do të veçoni për lojën me aktorët e kësaj shfaqjeje?

Neritan Liçaj: Në lojën e aktorëve nuk ka ndonjë veçori të  jashtëzakonshme. Është një lojë e bazuar në një stil distancimi pak grotesk, ashtu si situatat e kërkojnë. Për mendimin tim janë krijuar role interesante, të shkrifët, me humor, por edhe me vështirësi njëkohësisht.

CMG: Veprat shqiptare apo ato të huaja  përqafohen më shumë nga aktorët, apo edhe nga publiku?

Neritan Licaj: Aktorët i preferojnë të dyja veprat, shqiptare dhe të huaja. Nuk  ka diferencë për një aktor nëse është shqiptar apo i huaj. Sigurisht që kombëtarja pëlqehet  shumë nga publiku. Për ne aktorët rëndësi ka që materiali dramaturgjik  të jetë i mirë. Mund të jetë dramë, komedi, tragjedi pse jo. Është ajo që aktorin e nxit për të bërë role sa më të mira. Pra ka të bëjë cilësia e materialit dramaturgjik sesa  nga vjen ajo vepër është shqiptare apo e huaj, por mendoj se edhe publiku të njëjtën gjë ka. Sigurisht që shqiptarët kanë dëshirë që të shohin temat e tyre  në skenë, por edhe dramaturgjitë e huaja kur janë të bukura dhe publiku i ndjek.

CMG: Për ju si artist, në cilin zhanër  ndjeheni më  mirë, në komedi apo dramë?

Neritan Liçaj: Për mua nuk kanë ndonjë diferencë, të gjitha zhanret kanë bukuritë e tyre edhe drama dhe satira, të gjitha zhanret edhe komedia filozofike, tragjedia filozofike etj. Çdo material i çdo lloj zhanri është i bukur kur ai është i bërë mirë . Aktori sheh rolin dhe nëse ai është i bukur, të tjerat nuk kanë rëndësi. Flas edhe për pjesën e materiale, kjo gjë besoj është edhe tek kolegët.

Në kastin e aktorëve të komedisë “Ëndrra ime Rina” interpretojnë Neritan Liçaj, Ema Andrea, Donald Shehu, Niada Saliasi, Eriona Kakeli, Xhulia Musagalliu, Albano Prodani. Skenografi i shfaqjes është Genci Shkodrani, As/regjisore Flaura Kureta, kostumografia nga Ledia Hajdari  dhe regjia nga Spiro Duni. Pas kësaj fundjave shfaqja do rivihet sërish në skenë përgjatë gjithë muajit qershor. 

Biografi e aktorit Neritan Liçaj

Aktori Neritan Liçaj është mjaft i angazhuar me shfaqje të ndryshme në teatër, si dhe me role dramatike, tragjedi apo edhe komedi. Ai u bë mjaft i dashur për publikun  shqiptar që në interpretimin në filmin  “Unë, ti dhe Kasandra”, duke vijuar më pas me suksese të një pas njëshme në film dhe në teatër. Edhe pse ka mbaruar studimet e larta për regjisurë, për artistin interpretimet në teatër ashtu edhe në film janë një dashuri më vete, si dhe kanë qenë të pandashme, pasi secila mbart emocionin dhe bukurinë e vet. Neritan Liçaj është fitues i disa çmimeve në vend, por edhe me shumë pjesëmarrje në Festivale Ndërkombëtare të teatrit si në  Butrint, Spanjë, Egjipt, Hannover, etj.

Intervistoi : Sava Lena