Kuvendi i Shqipërisë miraton projektligjin për urën mbi lumin Buna
2023-05-19 17:41:58

Kuvendi (Foto RTSH)

Kuvendi (Foto RTSH)

Në seancën e parë plenare në Kuvendin e Shqipërisë, pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, u miratuan dy projektligje, ai për ndërtimin e urës ndërkufitare mbi lumin Buna dhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Shqipërisë dhe qeverisë gjermane, bën të ditur “RTSH”.

Nga foltorja e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i kërkoi opozitës të bashkëpunojnë për të gjetur dakordësi për një sërë çështjesh, duke përmendur edhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

“Ne jemi këtu për të thënë se do të dimë ta lexojmë këtë mbështetje të madhe dhe inkurajim për të shkuar përpara. Në këto vite, humbësi e sheh fajin te kundërshtari dhe asnjëherë nuk bën një analizë të vetës për të kuptuar se çfarë ka bërë gabim. Të insistosh në të njëjtin gabim është çmenduri. E kemi nisur Kuvendin me dy vendime të rëndësishme, i pari për investimin që i jep Shkodrës një lidhje të re me Ulqinin, ura mbi Bunë, që na jep mundësinë që diçka që na ka munguar prej shumë kohësh, i jep Shkodrës një qasje të re në një treg edhe më të madh të turizmit”,- tha Balla.

Ura 310 metra e gjatë do të shkurtojë rrugën nga Mali i Zi drejt Shqipërisë duke kaluar nga Ulqini drejt Velipojës nga 70 kilometra në vetëm disa kilometra. Kostoja e urës dhe pikës kufitare do të shkojë deri në 20 milionë euro dhe do të ndahet 50% me 50%. (Elona)