Një shqiptar shënon gol në Superligën Kineze
2023-05-19 22:40:06

Vetëm para pak ditësh ai ishte bërë shqiptari i dytë, pas Blerim Xhemailit, që luan në Superligën Kineze të Futbollit. Madje sapo ka shënuar edhe golin e tij të parë në këtë kampionat. Pas 13 vitesh me gjigandët kroatë të Dinamos së Zagrebit, Arijon Ademi ka zgjedhur aventurën kineze dhe në moshën 31-vjeçare i është bashkuar skuadrës së kryeqytetit, Gouan i Pekinit. Në ditën e 7-të të Supërligës Kineze që u luajt në mesjavë, Ademi shënoi në minutën e 23-të të pjesës së parë, duke i dhënë fitoren 1-0 ekipit të tij në ndeshjen kundër miqve të Nantong Zhiyunit. Goli i tij e ngjiti ekipin kryeqytetas në vendin e 7-të me dhjetë pikë, pas një nisjeje zhgënjyese sezonale.  

Foto:VCG

Arijon Ademi(I pari nga e majta) në superligën kineze(Foto:VCG)

Arijon Ademi në superligën kineze(Foto:VCG)

Sezoni futbollistik kinez nisi në mes të prillit, ndërsa Ademi mbërriti në Pekin vetëm disa ditë para çeljes së Superligës. Gjatë kontaktit të parë që patën me të, Ademi na tregoi se fillimisht ka mbërritur në Kinë pa familjen, pasi transferimi i tij ka ndodhur shumë shpejt dhe në mes të sezonit evropian. Në fakt, Ademi kishte luajtur me Dinamon e Zagrebit deri më 19 mars në një ndeshje kundër Rijekës dhe vetëm atëherë klubi kroat bëri të ditur se ai do të transferohej në Kinë. Ndeshja e parë e tij me ekipin e ri, në 17 prill 2023, përkoi jo vetëm me çeljen e Superligës Kineze, por edhe me përurimin e impiantit të ri ultramodern, i ndërtuar pas shembjes së Stadiumit të famshëm të Punëtorëve në Pekin, para 68 mijë spektatorëve. Kjo ndeshje shënoi gjithashtu edhe rikthimin e tifozëve kinezë nëpër stadiume, pas tre vitesh nën masa të rrepta antiepidemike.

Duhet thënë se Ademi është ndër transferimet e pakta të këtij sezoni në futbollin kinez.  Tashmë fokusi është te krijimi i modeleve të futbollit vendas dhe jo vetëm blerja e lojtarëve të huaj. Të vetmet përjashtime bëhen për lojtarë me përvojë dhe të kualifikuar. Ademi është pikërisht njëri prej tyre. Vlera e tij aktuale në “Transfermarkt” llogaritet në 4 milion euro, por qindra e qindra ndeshjet ndërkombëtare i veshin atij “kostumin” e një futbollisti të madh. Vetëm me ekipin kombëtar Ademi, ndonëse mesfushor me tipare mbrojtëse, ka shënuar 4 gola nga gjithsej 45 në karrierë, në ndeshjet eliminatore Evropiane dhe Botërore. Gjithashtu me Dinamon e Zagrebit ka luajtur dhjetëra takime ndërkombëtare nga 444 si profesionist, shumica prej të cilave në Champions League.

Arijon Ademi(Foto:VCG)

Arijon Ademi(Foto:VCG)

Arijon Ademi në superligën kineze(Foto:VCG)

Arijon Ademi e kishte nisur karrierën e tij profesionale në Shibenik, duke debutuar për skuadrën e të rinjve në mars të 2008-ës kur ishte vetëm 16 vjeç. I lindur në Kroaci nga dy prindër shqiptarë, Ademi fillimisht përfaqësoi vendlindjen me ekipet e moshave, madje duke luajtur edhe 3 ndeshje me ekipin e të rinjve të Kroacisë. Por konkurrenca e jashtëzakonshme te ky ekip bëri që në 9 tetor 2014, ai të zgjedhë kombëtaren e Maqedonisë në një ndeshje zyrtare. Ademi ishte gjithashtu edhe një nga përzgjedhurit e Maqedonisë së Veriut në UEFA Euro 2020.