Mongolia zhvillon evente për promovimin e kulturës kineze të çajit
2023-05-19 18:34:40

Një sërë eventesh për të promovuar kulturën kineze të çajit nisën në Qendrën Kulturore Kineze në Mongoli, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Çajit.

Aktivitetet, të sponsorizuara nga Ministria kineze e Kulturës dhe Turizmit dhe Ambasada Kineze në Mongoli, përfshijnë një ekspozitë fotografike të historisë dhe kulturës kineze të çajit, një ekspozitë të llojeve të çajrave, një seminar mbi kulturën e çajit, si dhe aktivitete të shijimit të çajit, shkruan “Xinhua”.

“Rruga e lashtë e Çajit hapi një rrugë tregtare midis dy vendeve me frymën e paqes, miqësisë, hapjes dhe tolerancës”,- deklaroi gjatë ceremonisë së hapjes Li Zhi, këshilltar kulturor i Ambasadës Kineze në Mongoli dhe drejtor i Qendrës Kulturore Kineze në Ulan Bator.

Radnaabazar Altangerel, drejtor i Departamentit të Fqinjësisë në Ministrinë e Jashtme mongole, deklaroi se bashkëpunimi kulturor dhe humanitar është një pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit në përgjithësi mes dy fqinjëve.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2019 caktoi 21 majin si Ditën Ndërkombëtare të Çajit dhe teknikat tradicionale të përpunimit të çajit e praktikat sociale të lidhura me të në Kinë u shtuan në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s në vitin 2022. (Elona)