Kompozitori Klodian Qafoku dhe pianistja Ardita Bufaj, bashkëshorte e tij kanë sjellë së bashku librin për fëmijë “4 stinë përrallore”, një krijim brenda strehës së familjes artistike, e ilustruar nga vajza e tyre Eliza. Janë 12 përralla për 4 stinët e vitit, nga 3 përralla për çdo stinë, të shoqëruara me muzikë të krijuar posaçërisht për këtë projekt edhe në partitura, ku fëmijët mund të luajnë atë melodi duke u shoqëruar edhe mësuesja e pianos me pjesën e përcaktuar për të, si një mini-orkestër. Të gjitha përrallat kanë personazhet e tyre reale, një artist, miqtë e tyre, por edhe vetë familja bën pjesë në përralla.
Në “4 stinë përrallore” fëmijët do të gjejnë veten duke udhëtuar nëpër universin magjik të botës së fantazisë dhe të muzikës. Në këtë libër fëmijët mund të zbulojnë momente të ngjashme me ato që ndodhin në jetën e tyre të përditshme, por të treguara në mënyrë më imagjinare. Ky është një libër për të gjithë fëmijët, por në veçanti për ata fëmijë të cilët luajnë në instrumentin e pianos në fazat fillestare apo të avancuara. Kjo gjë shërben për të zhvilluar aftësitë e tyre muzikore, por edhe kultivimin e dëshirës e pasionit për të luajtur dhe kaluar një kohë me vlerë në instrumentin e pianos.
I ftuar në Radio Ejani për të folur për këtë projekt, kompozitori Klodian Qafoku, i cili ka realizuar meloditë dhe partiturat e librit “4 stinët përrallore” flet gjerësisht për këtë vepër.
CMG:Sot do të flasim për një libër, i cili ka ardhur në bashkëpunim me familjen tënde të bukur artistike me bashkëshorten tënde, pianisten Ardita Bufaj dhe vajzën Eliza, e cila ka ilustruar librin “4 stinë përrallore”. Si lindi kjo ide ?
Klodian Qafoku: Ne sapo kemi promovuar këtë projekt artistik dhe edukativ, librin “4 stinë përrallore”. Ideja ka ardhur nga bashkëshortja ime Ardita, e cila është pianiste dhe pedagoge, por zhvillon edhe mësime me shumë fëmijë, ku në një ditë nga këto u frymëzua gjatë orës së mësimit. Fëmija i kërkoi që lojën muzikore interpretative ta shoqëronte me përrallë. Aty i lindi ideja për të krijuar një libër me përralla, ku t’i bashkangjisnim dhe kompozime të reja pianistike, miniature të cilat do t’i krijoja unë. Përralla e parë që ajo krijoi ishte “Koko mburraveci” dhe Ardita e shkroi menjëherë atë frymëzim në telefon dhe ma dërgoi mua. Unë nisa të kompozoja duke imituar gjelin duke kënduar dhe kështu filloi “Koko Mburraveci” me notat e gjelit që këndon. Na u deshën 5-6 muaj që ta krijonim këtë libër, Ardita krijoi përrallat dhe unë bëra miniaturat për piano. Janë ndërtime të thjeshta kompozicionale, miniatura pianistike të cilat fëmijët i kanë të lehta për të luajtur. Gjithashtu kjo u vjen në ndihmë edhe mësuesve, pasi janë miniatura që bashkë shoqërojnë partiturën e nxënësit, pra janë dy partitura të ndryshme e nxënësit dhe e mësuesit që e shoqëron. Kemi një marrëdhënie duetesh me katër duar, duke u bërë sa më argëtues mësimi i pianos dhe këtyre pjesëve.
CMG: Ardita është pianiste, pedagoge, por talenti i të shkruarit përralla, ka qenë një talent i fshehur tek ajo, të cilën e zbuloi tani?
Klodian Qafoku: Është e vërtetë kjo që sapo the, një talent i fshehur i Arditës, e cila shkroi përrallat. Edhe unë vetë jam habitur për këtë talent që ka. Kemi menduar për ta vazhduar këtë nismë me një botim të dytë, madje në fund të librit ne kemi shkruar; “Ky udhëtim nuk mbaron këtu”. Kjo do të thotë se ne do e vazhdojnë këtë nismë.
CMG: Artistit i mjafton të ngacmim i vogël, për të vazhuar dhe zhvilluar më pas rrjedhën e vet të krijimtarisë.
Klodian Qafoku: E vërtetë artistit i mjafton një ngacmim, një motiv dhe ajo mund të zhvillohet e të bëhet diçka, në konturet e gjenialitetit. Të gjitha ilustrimet e librit i ka bërë vajza jonë Eliza, e cila ka shumë talent për artin pamor. Një tjetër gjë e veçantë është se të gjithë personazhet e librit janë realë, madje dhe Eliza vetë bën pjesë në një nga përrallat.
CMG: Ndërsa shfletoj këtë libër, shoh që në një nga përrallat është e pasqyruar e tërë familja juaj edhe në pikturë.
Klodian Qafoku: “Kiki luan në piano” mban titullin kjo përrallë. Në këtë rast mami Ardita sjell një dhuratë për Elizën, që është Kiki dhe Eliza habitet me Kikin e bardhë, ndërkohë macja hipën mbi piano dhe lëshon disa tinguj. Eliza i thotë :“O ma, Kiki po luan në piano”, ndërkohë babi, pra unë, marr partiturën dhe shkruaj notat që luan Kiki. Kështu ndërthurret kjo përrallë. Melodia duke u frymëzuar nga kjo përrallë është krijuar me katër duar, me dy pjesë partitura dhe Kiki që është macja jonë.
CMG: Keni menduar që këtë libër ta bëni pjesë të programeve mësimore, për fëmijët që luajnë në piano në Liceun Artistike?
Klodian Qafoku: Është në fakt një pyetje me interes. Pse jo, ambicia jonë duhet të shkojë edhe më tej, për ta çuar te Ministria e Arsimit që ta parashtrojmë për programet mësimore.
CMG: Kjo është një mënyrë e mirë ndërsa fëmija luan në piano dhe mësuesja e shoqëron.
Klodian Qafoku: Miniaturat pianistike nxisin imagjinatën duke parë përrallën edhe e luajnë pjesën muzikore.
CMG: Si kompozitor, është më e lehtë të krijosh këto miniaturë për përrallëza për fëmijë, apo të krijosh një këngë për një artist?
Klodian Qafoku: Janë të dyja komplet të veçanta sepse këto janë të inspiruara nga përmbajtja e shkruar, ndërsa për një artist, një këngë është më e thjeshtë, sepse krijimtaria vjen duke u frymëzuar. Gjithësesi mendoj se materialet për fëmijë janë më të vështira sepse duhet të hysh në botën e fëmijëve, që të krijosh tema që fëmijët t’i thithin sa më shpejt, pra duhet të dish çelësin e duhur të kompozimit.
CMG: Libri mban titullin “4 stinë përrallore” dhe mendja më shkoi menjëherë tek “4 stinët e Vivaldit”. A ishte ky titull një frymëzim nga vepra e njohur e kompozitorit Antonio Vivaldit?
Klodian Qafoku: Në fakt jo. Ne jemi përmbajtur në 12 muajt e vitit, çdo sitnë ka 3 muaj dhe ne e menduam të krijonim 12 përralla, që i përmbajnë katër stinët, nga 3 përralla për çdo stinë.
CMG: Pra janë gjithsej 12 përralla, për një vit i kemi siguruar, por për vitin e ardhshëm keni menduar për përralla të tjera?
Klodian Qafoku: Ndoshta për vitin tjetër duhet të mendojmë për 30 ditët e muajit (qesh). Kemi menduar për të realizuar diçka tjetër për në vazhdim një botim tjetër, por jo me përmbajtje të tillë me përralla, por me diçka tjetër më të bukur. Më lejo të të them një përrallë “Ujana, Diellëza dhe Orakulli”, kjo është frymëzuar në malin e Tomorrit, ku ne shkojmë shpesh. Aty kemi disa miq, ku fëmijët e tyre quhen Ujana dhe Diellëza dhe Ardita është frymëzuar nga këto personazhe për këtë përrallë. Pra ka shumë personazhe si mjellma Nikol, që është vajza e sopranos së njohur Ramona Tullumani, etj.
Risi në këtë libër është se në brendësi mund të gjeni një bar kod, ku çdo prind që e bën dhuratë këtë libër për fëmijën e vet, mjafton që ta skanojë këtë libër me kameran e telefonit dhe të gjitha përrallat vijnë në versionin audio -book, ku kemi regjistruar melodinë e pianos, interpretimin e përrallave nga aktorja Elona Hyseni. Ardita bashkë me Onela Llanaj kanë interpretuar në piano.
CMG: Dmth gjithçka mund ta gjejmë edhe në website?
Klodian Qafoku: Po, ndodhet e gjitha në website-n e saj të integruar vetëm për këtë botim. Nëse prindi nuk ka mundësi t’ja lexojë përrallën fëmijës, mund t’ja vendosi në audio -book dhe ta dëgjojë vetë fëmija në mënyrë digjitale, ku tregohen përrallat.
CMG: Një mënyrë e mirë për t’i vënë edhe unë në gjumë fëmijët e mi.
Klodian Qafoku: Patjetër.
CMG: Si është të bashkëpunosh e të bësh art në familje?
Klodian Qafoku: Sa e thjeshtë, aq edhe e vështirë. Debatet janë gjithmonë “për mirë”, për të nxjerrë në pah anën pozitive dhe kreative, sidomos kur je i të njëjtës fushë edhe kreativiteti është më i madh.
CMG: Të falenderoj për këtë intervistë dhe ju uroj suksese në vazhdim familjarisht dhe me projekte sa më të bukura.
Përcjellja e mesazhit të këtij libri nëpërmjet fjalës dhe tingullit muzikor vjen si një vlerë e çmuar dhe e jashtëzakonshme për të gjithë fëmijët e vegjël, të dhënë pas leximit dhe lojës në instrumentin e pianos. Ky libër nuk përfundon këtu, pasi autorët kanë premtuar se ky projekt do të ketë një vazhdimësi të bukur. Madje në fund të librit shkruhet: “Ky udhëtim ëndërrues nuk përfundon këtu… “
Intervistoi: Sava Lena