Shfaqe me femijet me aftesi ndryshe
Fatjon Sulstarova ka disa vite që punon në Qendrën Kombëtare Kulturore për Fëmijë (QKKF) në Tiranë. Më herët edhe ai vetë ka qenë një fëmijë i angazhuar dhe me të njëjtat ëndrra deri sa u bashkua në një ekip për të formësuar të rinjtë, të vegjlit të cilët në këtë qendër zgjojnë ëndrrat dhe dëshirat.
Qindra fëmijë të cilët çdo ditë frekuentojnë një gamë të gjerë mundësisht dhe kursesh në këtë qendër. Në këto kurse fëmijët gjejnë vetveten, preferojnë të angazhohen dhe të jenë në konkurs të përhershëm me të bukurën dhe me të renë.
Mësuesit në këtë qendër janë të gatshëm t’i nxisin fëmijët të njohin veten dhe kapacitetet e tyre. Një ndër ta është Fatjon Sulstarova, i cili është treguar i gatshëm të mësojë në këtë rrugëtim edhe fëmijët me aftësi ndryshe.
Vetëm pak ditë më parë është prezantuar shfaqja " Ne jemi ndryshe, jemi heronj".
Në një intervistë për Radio Ejani Fatjon Sulstarova dhe nxënëset Alisia Bakalli dhe Eriselda Rrenjollari flasin për këtë veprimtari. Ndërkohë të dyja vajzat do të nisen drejt Bitolas në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në një konkurs pikture.
Alisia Bakalli dhe Eriselda Rrenjollari dhe Fatjon Sulstarova ( foto perosnale)
CMG: Alisa, çfarë është për ty kjo qendër ?
Alisia Bakalli: Jemi rritur në këtë qendër. Është bukur të shohësh veten teksa rritesh dhe avancon ndër vite . Ne kemi qenë askushi kur jemi futur në këtë qendër dhe sot shohim veten jo vetëm të aftësuar, por me dinamizëm çdo ditë e me tepër në përmirësim. Unë kam kuptuar shumë aftësi të miat aty, falë mësuesve që na kane nxitur që edhe ne të provojmë gjëra dhe mundësi të reja.
CMG: Po për ty Eriselda ?
Eriselda Rrenjollari: Ndaj të njëjtin mendim. Ne jemi shumë të lumtura që jemi afruar pranë Qendrës Kombëtare të Fëmijëve, një qendër kulture e cila është kthyer në shtëpinë tonë të dytë sepse ne aty harxhojmë pjesën më të madhe të kohës sonë dhe gjejmë shumë gëzim.
CMG: A ju mbështesin prindërit në hapat tuaj ?
Alisia Bakalli: Fëmijët e qendrës e duan të bukurën dhe artin. Mua personalisht nëna ime nuk më ndërhyn tek asnjë zgjedhje që bëj, madje ajo me shtyn drejt zbulimit të mundësive të reja që unë kam brenda vetes.
CMG:Ju së fundmi do të shkoni në Bitola për një konkurs pikture, apo jo ?
Alisia Bakalli: Po ne do të përfaqësojmë Shqipërinë në Bitola, në një event i cili nxjerr në pah talentet më të mira të pikturës. Është një mundësi e artë, e cila nuk i jepet gjithëkujt dhe që për ne është nder dhe krenari të jemi pjesëmarrëse për të përfaqësuar Shqipërinë dhe të gjithë artistët e tjerë të vegjël.
Shfaqe me femijet me aftesi ndryshe ( burimi Fatjon Sulstarova)
CMG: Fatjon, ju keni bërë së fundmi një shfaqje ku në fokus ishin fëmijët me aftësi ndryshe. Çfarë emocioni ju dha kjo gjë ?
Fatjon Sulstarova: Unë kam marrë shumë emocione me fëmijët dhe botën e tyre të bukur, por e kam kuptuar se sa e veçantë është ajo e fëmijëve me aftësi ndryshe. Ata të duan dhe të respektojnë pa interes. Kanë thjesht nevojë për mbështetje dhe përkujdes.
CMG: A e marrin këtë mbështetje nga institucionet dhe shoqëria?
Fatjon Sulstarova: E marrin. Gjërat kanë ndryshuar, nuk janë më si më pare. Tashmë shohim që jemi më të gatshëm për të ofruar ndihmë, por edhe për të pranuara ndihmën. Në Qendrën Kulturore Kombëtare për Fëmijë ka pasur edhe fëmijë me aftësi ndryshe dhe ata kanë sjellë një frymë shumë pozitive në grup dhe në të shumtën e rasteve ata kanë qenë dhe janë talente shumë të mira.
Shfaqe me femijet me aftesi ndryshe ( burimi Fatjon Sulstarova)
CMG: Çfarë bënë konkretisht fëmijët në këtë shfaqje?
Fatjon Sulstarova: Ata u futën në role të ndryshme dhe interpretuan për fëmijet e tjerë. Kisha frike se do t’i mbysnin emocionet por jo ... Të gjitha rolet ishin unike dhe të menaxhuara mjaft mirë prej tyre. Kërcyen, kënduan, interpretuan dhe këtë e bënë më së miri.
CMG: Si e panë prindërit këtë shfaqje?
Fatjon Sulstarova: Prindërit e tyre ishin të lumtur sepse për ata çdo përgatitje e fëmijëve të tyre është një terapi më vete. Fëmijët me aftësi ndryshe kanë nevoja shumë të mëdha në kuptimin e plotë të fjalës dhe patjetër që një shfaqje nuk plotëson të gjithë vatrat e krijuara por mund të jenë këto aktivitete një formë për t’i nxjerrë ata nga monotonia.
Shfaqe me femijet me aftesi ndryshe ( burimi Fatjon Sulstarova)
CMG: A keni një mesazh për fëmijët dhe mbështetjen që duhet t’iu japin fëmijëve me aftësi ndryshe?
Fatjon Sulstarova: Të tre ne kemi një mesazh... Mos i ndaloni fëmijët tuaj drejt ëndrrave. Nëse keni mundësi t'i mbështesni mund ta beni këtë nëpërmjet Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë, të gjitha kurset janë falas dhe ju mund të gjeni aty veten.
Ndërsa fëmijet me aftësi ndryshe duhen parë me dashuri sepse ata i japin shkëlqim ditës sonë, me dashurinë e sinqerte që ofrojnë.
Intervistoi: Megi Latifi
Shfaqe me femijet me aftesi ndryshe ( burimi Fatjon Sulstarova)