Rritje e lartë e ekonomisë së Kinës në tremujorin e pare të vitit 2023
2023-05-18 19:05:05

Në muajin Tetor 2022, parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ishte që rritja ekonomike e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), në nivel global të ngadalësohej nga 3.2% në vitin 2022, në 2.7% në vitin 2023. Për ekonomitë e përparuara të vendeve të G-7 parashikohej një ngadalësim i theksuar i rritjes ekonomike. Ndërsa rritja ekonomike në Kinë parashikohej të zgjerohej nga 3.19%  në vitin 2022 në 4.44% në vitin 2023.

Burimi: World Economic Outlook 2022, IMF dhe analiza e autorit

Në prill, Byroja Kombëtare e Statistikave të Kinës publikoi rezultatet paraprake të rritjes ekonomike të tremujorit të pare të vitit 2023. Prodhimi i Brendshëm Bruto arriti në 28,499.7 miliardë Yuan, duke u rritur me 4.5% nga viti në vit me çmime konstante ose me 2.2%  përqind më shumë se në tremujorin e katërt të vitit 2022. Sipas sektorëve vlera e shtuar e industrisë parësore ishte 1,157.5 miliardë Yuan, ose me 3.7% rritje nga viti në vit; ajo e industrisë dytësore ishte 10,794.7 miliardë Yuan, ose  me një rritje 3.3%, dhe ajo e industrisë terciare ishte 16,547.5 miliardë Yuan ose me një rritje 5.4 përqind. Rritja ekonomike në tremujorin e pare të vitit 2023 tejkaloi parashikimin fillestar të rritjes ekonomike dhe ishte në rreth 4.8 herë më e lartë se mesatarja e rritjes ekonomike të vendeve të  G-7.

Burimi : Byroja Kombëtare e Statistikave të Kinës, Eurostat, National Institute of Economic Research UK, US Bureau of Economic Analysis dhe analiza e autorit

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik në tremujorin e pare ka qenë me bazë të gjerë, ku si sektori prodhues, ashtu dhe ai i shërbimeve kanë kontribuar mesatarisht me nga 4.1% dhe   në 7.0%  në rritjen e PBB-së. Rritja ekonomike përshpejtuese në tremujorin e pare të vitit 2023 ka ardhur kryesisht nga rritja në sektorin e ndërtimit në 6.7%, të tregtisë me shumicë dhe pakicë në 5.5%, të transportit në 4.8%, të akomodimit dhe restoranteve në 13.6%, të shërbimeve financiare në 6.9%, të teknologjisë së lartë në 11.2%, të qira dhe lizing në 6.0%, etj. Rritja e vlerës së shtuar të sektorit të shërbimeve është përshpejtuar ne rreth 4.7 here me shume në tremujorin e katërt të vitit 2022 krahasuar me tremujorin e pare të vitit 2023. Për tu shënuar është fakti që dega e  pasurive të paluajtshme ka shënuar një rritje pozitive në tremujorin e pare të vitit 2023 krahasuar me rritjen negative të saj gjatë tremujorit të dytë, të tretë dhe të katërt të vitit 2022.

Burimi :Byroja Kombëtare e Statistikave të Kinës dhe analiza e autorit

Rritja e lartë ekonomike në tremujorin e pare të vitit 2023 u ndikua nga zgjerimi i konsumit, i rritjes relativisht të lartë të investimeve dhe eksportit të mallrave dhe shërbimeve. Konsumi udhëhoqi rritjen ekonomike me shitjet totale me pakicë të mallrave të konsumit, të cilat u rritën në tremujorin e pare të vitit 2023 në 5.5% nga viti në vit. Në muajin mars të vitit 2023  shitjet totale me pakicë të mallrave të konsumit u rritën në 10.6% nga viti në vit. Në tremujorin e pare të vitit, shpenzimet për konsum për frymë të banorëve në shkallë vendi ishin 6 738 juanë, një rritje nominale prej 5.4%  krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për sa i përket zonave urbane dhe rurale, shpenzimet për konsum për frymë të banorëve urbane ishin 8 303 Yuan, ose  një rritje prej 4,8% dhe shpenzimet për konsum për frymë të banorëve ruralë ishin 4629 Yuan juanë, ose një rritje prej 5.5%.

CFP

CFP

Investimi në asetet fikse u rritën me 5.1% nga viti në vit. Investimet në infrastrukturë u rritën me 8.8% nga viti në vit dhe në manifakturë me 7.0%. Sipas sektorëve investimet në industrinë parësore u rritën me 0.5%, në atë dytësore me 8.7% dhe në atë terciare me 3.6%. Investimet në industritë e teknologjisë së lartë u rritën me një rritëm të lartë përkatësisht me 16.0%.  Nga këto investimet në manifakturën e teknologjisë së lartë u rritën në 15.2% dhe në shërbimet e teknologjisë së lartë në 17.8%. Në investimet e prodhimit të teknologjisë së lartë, ato që i përkasin investimeve në prodhimin e pajisjeve elektronike dhe të komunikimit dhe të pajisjeve mjekësore, instrumenteve matëse dhe mjekësore u rritën përkatësisht në 20.7% dhe në19.9%. Në investimet e shërbimeve të teknologjisë së lartë, ato që i përkasin shërbimeve të e-commercë dhe shërbimet për transformimin e arritjeve shkencore dh teknologjike u rritën përkatësisht me 51.5% dhe 51.3%. Investimet në sektorët social u rritën me 8.3%, në shëndetësi me 21.6%, dhe në arsim me 6.2%.

Në tremujorin e parë te vitit 2023 vlera totale e importeve dhe eksporteve të mallrave ishte 9 888 miliardë Yuan, ose një rritje prej 4.8% nga viti në vit. Vlera totale e eksporteve ishte rreth 5 648 miliardë Yuan, me një rritje prej 8.4%. Vlera totale e importeve ishte rreth 4 239 miliardë Yuan me një rritje prej 0.2%. Bilanci tregtar ishte 1 409 miliardë Yuan në suficit. Importet dhe eksportet nga ndërmarrjet private u rritën me 14.4% duke zënë 52.4% të vlerës totale të importeve dhe eksporteve. Në mars importet dhe eksportet e mallrave kanë treguar një rritëm shumë të lartë të rritjes. Vlera totale e importeve dhe eksporteve ishte rreth 3 709 miliardë Yuan, me një rritje prej 15.5 % nga viti në vit. Vlera totale e eksporteve ishte rreth 2 155 miliardë Yuan, me një rritje prej 23.4% dhe e  importeve ishte rreth 1 554 miliardë Yuan, me një rritje prej 6.1%.

CFP

CFP

Me publikimin e të dhënave kryesore të ekonomisë kineze për tremujorin e parë të vitit 2023 institucionet financiare ndërkombëtare kanë ndryshuar parashikimin e rritjes ekonomike. Ekonomia e Kinës u rikuperua më mirë se sa pritej në tremujorin e parë të 2023, e nxitur nga rritja e investimeve, një rikthim i fortë i konsumit si dhe i tregut të pasurive të paluajtshme. Në Prill të vitit 2023, Fondi Monetar Ndërkombëtar ngriti parashikimin e rritjes ekonomike për Kinën për vitin 2023 nga 4.44% në 5.24%. Shumë vende të botës po llogarisin tani në rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike të Kinës për të kontribuar në rritjen ekonomike globale. Rritja më e lartë ekonomike për vitin 2023 është e pritshme për sa kohë dinamika e investimeve dhe konsumit të ekonomisë po tregon një trend të fortë të rritjes.  

Prof. Dr. Petraq Milo