Mbahet forumi i instituteve të studimit të politikave Kinë-vendet e EQL-së
2023-05-18 16:14:24

Si pjesë përbërëse e Ekspozitës së 3-të Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore, të mërkurën u mbajt në qytetin Ningbo të Kinës Lindore Forumi i 2-të i Instituteve të Studimit të Politikave të Nivelit të Lartë për Bashkëpunimin Vendor e Zhvillimin me Cilësi të Lartë Kinë-Vendet e EQL-së.

Në forum morën pjesë mbi 160 zyrtarë qeveritarë, ekspertë të instituteve të studimit të politikave dhe përfaqësues të shkollave të larta e institucioneve studimore kineze e të vendeve të EQL-së si Serbia, Rumania, Hungaria, Kroacia, Shqipëria, Çekia, Greqia etj. Ata shkëmbyen mendime për bashkëpunimin në nivel pushteti vendor dhe zhvillimin me cilësi të lartë ndërmjet Kinës e vendeve të EQL-së.

Gjatë forumit u publikuan edhe raporti “Bashkëpunimi Kinë-vendet e EQL-së: E kaluara dhe perspektiva 10-vjeçare (2012-2022)”, “Raporti për bashkëpunimin në nivel vendor Kinë-vendet e EQL-së”, “Raporti i të dhënave të mëdha të EQL-së për vitin 2022”, “Studimet mbi potencialin, modelin e sistemin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar Kinë-vendet e EQL-së” etj., duke paraqitur gjendjen e përgjithshme të bashkëpunimit dypalësh.

Të mërkurën u zhvillua edhe Forumi i Kryetarëve të Bashkive Kinë-Vendet e EQL-së për vitin 2023 me temë “E ardhmja e gjelbër urbane”. (Fani)