Sejko: Rritja e punësimit dhe pagave, kontribut për ekonominë
2023-05-18 16:17:41


Guvernatori i BSH Gent Sejko (Foto Banka e Shqipërisë)

Sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni vazhdoi trendin rënës gjatë tremujorit të parë, i ndikuar nga rënia e përgjithshme e inflacionit në ambientin botëror, efekti i bazës së lartë krahasuese të një viti më parë dhe nga efektet e para të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Në të njëjtën kohë, aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të rritet me ritme të qëndrueshme dhe bashkë me të  edhe punësimi e pagat në sektorin privat, analizon banka qëndrore. Sa i takon ekonomisë, parashikimet flasin se  ecuria ekonomike  e vendit do të mbetet në territor pozitiv, e mbështetur nga bilancet solide të sektorit privat, perspektiva pozitive e tregut të punës, përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë dhe kushtet ende akomoduese të financimit.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi  në mbledhjn e fundit të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare.

“Inflacioni zbriti në një nivel mesatar prej 6.5% në tremujorin e parë të vitit 2023, nga niveli 7.9% i regjistruar një tremujor më parë. Rënia e tij ishte veçanërisht e shpejtë në muajin mars, kur ky tregues shënoi nivelin 5.3%. Kontributin kryesor në këtë ecuri e dha rënia e inflacionit të artikujve ushqimorë dhe të naftës, në përputhje dhe me ecurinë e tyre në tregjet globale, si dhe efekti i bazës së lartë krahasuese të një viti më parë. Ndërkohë, rritja e çmimeve të shërbimeve dhe artikujve të tjerë të shportës vijon të jetë me bazë të gjerë dhe me norma relativisht të pandryshuara nga muajt e kaluar. Në këndvështrimin makroekonomik, rënia e inflacionit pasqyroi më së shumti rënien e inflacionit të importuar, e diktuar si nga rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë ashtu edhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit. Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste vijuan të jenë të larta, në pasqyrim të kërkesës relativisht të lartë për mallra e shërbime, të kushteve të shtrënguara në tregun e punës dhe të rritjes së shpejtë të pagave e të kostove të punës. ”- tha Guvernatori i BSH, Gent Sejko.

Shifrat e rritjes ekonomike pasqyrojnë zgjerimin e vazhdueshëm të aktivitetit në sektorët e ndërtimit, industrisë e shërbimeve.

“Ekonomia shqiptare vijoi të rritet me ritme relativisht të shpejta gjatë vitit të shkuar. Edhe pse nën efektin e goditjes, prodhimi i brendshëm bruto shënoi një rritje vjetore prej 4.7% në tremujorin e katërt të vitit 2022 dhe prej 4.8% gjatë gjithë vitit. Kjo rritje pasqyroi zgjerimin e vazhdueshëm të aktivitetit në sektorët e ndërtimit, të industrisë dhe të shërbimeve, sektorë të cilët përfituan nga rritja e shpejtë dhe e vazhdueshme e të ardhurave nga turizmi. Në aspektin e kërkesës, rritja ekonomike ka vazhduar të ushqehet nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve private, ndërkohë që rritja e importeve dhe konsolidimi fiskal vazhdojnë të kenë një ndikim frenues. Të dhënat indirekte sugjerojnë vijimin e këtyre trendeve edhe gjatë tremujorit të parë të vitit aktual.”- tha Sejko.

Zgjerimi i vazhdueshëm i kërkesës për mallra e shërbime ka sjellë përmirësime në thuajse të gjitha dimensionet e tregut të punës. Kështu, shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës dhe punësimi u rritën, norma e papunësisë ra në nivele minimale historike prej 10.8%, dhe pagat në sektorin privat u rritën me 14.2% gjatë tremujorit të katërt të vitit të shkuar. Rritja e pagave dhe e punësimit ka zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve në buxhetet e familjeve. Perspektiva e tregut të punës mbetet pozitive, ndërsa vrojtimet e bizneseve sugjerojnë një kërkesë të fortë për fuqi punëtore dhe vullnet për rritjen e pagave në vijim. 

Këshilli Mbikqyrës i BSH (Foto BSH)

“Rritja e shpejtë e punësimit dhe e pagave japin sinjale inkurajuese për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen, por ato krijojnë gjithashtu një mjedis të favorshëm për rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste. Inflacioni i lartë dhe mbi objektivin e bankës qendrore është i dëmshëm për familjet dhe bizneset, pasi gërryen fuqinë blerëse të të ardhurave të tyre dhe vështirëson planifikimin e konsumit dhe investimeve në të ardhmen.Në përgjigje të inflacionit të lartë, Banka e Shqipërisë ka reduktuar gradualisht intensitetin e stimulit monetar duke lëvizur drejt normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Prej fillimit të vitit të shkuar, norma bazë e interesit është rritur nga niveli minimal 0.5% në nivelin 3.00% në muajin mars 2023.”- tha Guvernatori.

Pagat (Foto ATSH)

Sipas Sejkos, ky normalizim po përcillet në tregjet e brendshme financiare

“ Këto të fundit kanë operuar të qeta dhe janë karakterizuar nga gjendje e mirë likuiditeti dhe prime të përmbajtura rreziku. Normat e interesit të depozitave dhe kredive bankare kanë ardhur në rritje, ndërsa kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka vijuar tendencat forcuese, në përgjigje të përmirësimeve të vazhdueshme të bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë, si dhe të rritjes së interesit për të kursyer e investuar në monedhën tonë kombëtare.Megjithatë, edhe pse drejt shtrëngimit, kushtet e financimit mbeten ende stimuluese për rritjen e konsumit dhe të investimeve. Në përgjigje të tyre, kredia vijon të shfaqë flukse mujore pozitive, ndonëse ritmi i rritjes ka ardhur në ngadalësim. Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të kredisë ka mbetur e kënaqshme, sikurse ilustrohet nga nivelet e ulëta të raportit të kredive me probleme. Shëndeti financiar i sektorit bankar sugjeron se ky sektor do të jetë i aftë të vazhdojë t’i përgjigjet kërkesave të ekonomisë për fonde.”- tha Sejko.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë  la në fuqi normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%; normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00% dhe normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00%.