Robotët inspektojnë objektet e energjisë në provincën malore kineze
2023-05-18 17:55:05

Provinca Guizhou e Kinës jugperëndimore ka filluar të përdorë robotë për të kryer inspektime rutinë në nënstacionet e saj të energjisë në zonat e thella malore.

Deri më tani, 13 robotë janë vendosur në 10 nënstacione të energjisë në qytetin Tongren, për të kryer patrullime automatike të inspektimit, sipas degës Guizhou të Rrjetit të Energjisë Jugore të Kinës, citon “Xinhua”.

“Një herë në javë, ata mund të patrullojnë dhe kontrollojnë 3800 pika në stacion pa ndërhyrjen njerëzore, me një shkallë saktësie prej 100 për qind”,- deklaroi Zhou Jingyu, kreu i Nënstacionit të Energjisë Taiping në Tongren.

Të pajisur me sensorë me precizion të lartë dhe kamera me definicion të lartë, robotët mund të kryejnë një patrullë rutinë në 50 minuta, krahasuar me 12 orë nga inspektorët njerëzorë, të cilët duhet të kalojnë 40 minuta të tjera duke udhëtuar drejt nënstacionit, tha Zhou.

Objektet e energjisë në Guizhou, që ndodhen në pllajën e thyer Yunnan-Guizhou, janë të ndjeshme ndaj ndërprerjeve nga kushtet ekstreme të motit, duke kërkuar kështu patrulla dhe mirëmbajtje të shpeshta.

Duke pasur efikasitet dhe besueshmëri më të lartë, robotët e patrullimit pritet të aplikohen në role të tjera brenda sektorit të furnizimit me energji të krahinës malore, tha Zhou.

Kina po përdor gjithnjë e më shumë teknologji robotike për të zgjidhur mungesën e teknikëve në zonat malore. Vitin e kaluar, provinca malore Yunnan bëri të ditur se dronët kishin zëvendësuar njerëzit në inspektimin e mundimshëm të linjave të saj të transmetimit të energjisë prej 90.000 km. (Irma)