Foto e Qendres kombetare te Kinematografise, dikur Kinostudio Shqiperia e re- (foto QKK)
Hapat e pare të kinemasë shqiptare u hodhën në Shkodër në vitin 1909 kur Kol Idromeno shfaqi një film.Filmi dhe kinemaja shqiptare është zhvilluar ndër vite duke ngritur në piedestal regjisorë, skenaristë, aktorë dhe anëtarë të tjerë të rëndësishëm të ekipit filmik. Në fund të viteve ’80 në Shqipëri kishte 450 salla kinemaje e kinema lëvizëse. Por baza industriale e teknike në këtë periudhë erdhi duke u vjetëruar.
Pas viteve 90-të edhe për kinemanë shqiptare nisi një transformim rrënjësor, me teknologji të re, tema bashkëkohore, ekipe të rinj realizuesish, përballë një publiku që e do filmin
Historia e kinemasë shqiptare
Historia e kinemasë shqiptare lidhet me një kulturë të hershme, e cila lulëzoi qysh me lindjen e kinematografisë botërore. Jehona e vellezërve Lymier u përhap si një rrezatim i shpejtë i një arti në lindje e sipër edhe në Ballkan me anë të vëllezërve me origjinë shqiptare Manaki, të njohur si “Lymierët e Ballkanit”. Në vitin 1909 Kol Idromeno shfaqi për herë të parë një film në Shkodër. Më pas filmat e huaj të atyre viteve filluan të shfaqen në kinematë e qyteteve kryesore të Shqipërisë.
Kronika e parë për ngjarje të lidhura me Shqipërinë është ajo e lidhur me Kongresin e Manastirit (1908), që sanksionoi Alfabetin e gjuhës shqipe. Kronika më e hershme është ajo e vitit 1911, që pasqyron rrethimin e Shkodrës nga ushtritë malazeze dhe pasohet nga kronikat e ardhjes së Princ Vidit në Shqipëri, si dhe ato me pamje nga Tirana dhe Durrësi.
Në fillim të shekullit të 20-të me shpërbërjen e Perandorisë Osmane, Shqipëria u bë shesh betejash të luftrave ballkanike, të Luftës së Parë dhe të dytë Botërore. Në këtë periudhë, operatorë të huaj, që shoqëronin ushtritë apo kalonin për të pasqyruar kaosin luftarak që sundonte në gjithë rajonin, kanë bërë xhirimet e tyre si dëshmi e atyre kohërave. Disa prej këtyre materialeve të rralla ndodhen sot në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.
Në vitin 1943 regjisori shqiptar Mihallaq Mone xhiroi për herë të parë në Pogradec një film artistik 10 minutësh i titulluar “Takim në Liqen”, në të cilin interpretonin aktoret Merita Sokoli, motrat Xhaçka dhe aktori i njohur shqiptar i atyre viteve në Rumani, Kristaq Antoniu.
Nga xhirimet per nje film - (foto QKK)
Menjëherë pas Luftës II Botërore u krijua nga shteti Agjencia Shqiptare e Filmave (1945), e cila më pas u shndërrua në Ndërmarrje Shtetërore Kinematografike Shqiptare (1947), kohë kur u bë shtetëzimi i plotë i rrjetit të sallave, importit, dhe prodhimit. Nisi xhirimi i filmave kronikalë dhe në maj 1948 u shfaq kinokronika e parë shqiptare. Në një vend me përqindje të lartë të analfabetizmit në vitet ‘40-’50, shteti i dha rëndësi shtimit të numrit të sallave dhe aparateve lëvizës, si dhe importit të filmave kryesisht nga vendet e Europës Lindore, por dhe Franca e Italia.
Një etapë të re shënoi ngritja e së parës studio shqiptare të filmave, Kinostudios “Shqipëria e Re”, në vitin 1952. Përvoja e parë në fushën e filmit artistik qe bashkëprodhimi shqiptaro-sovietik “Luftëtari i madh i Shqipërisë – Skënderbeu” në vitin 1954, me regjisor S. Jutkeviç, fitues çmimi në Festivalin Ndërkombëtar të Kanës. Filmat e parë artistikë të kineastëve shqiptarë janë “Fëmijët e saj”, në vitin 1957, me regji nga H. Hakani dhe filmi “Tana”, 1958 me regji nga Kristaq Dhamo.
Vitet ’60 shënojnë prodhimin sistematik të filmit artistik në mesatarisht 1 film në vit, kryesisht me subjekte nga lufta kundër pushtuesve dhe nga reformat e viteve të para pas Luftës. Bënë filmat e tyre të parë regjisorët e rinj Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Gëzim Erebara dhe Pirro Milkani.
Në vitet ’70 u shënua një rritje e ndjeshme e prodhimit, nga 5-6 filma artistikë në vit në fillim të periudhës, deri në 8-10, për të arritur në 14 filma në vitet ’80. U zgjerua gama e zhanreve; u bënë filmat e parë për fëmijë, ku u shqua regjisorja Xhanfize Keko, apo kinokomeditë dhe filmat muzikorë.
Si shembull mund të permendim filmat “Beni ecën vetë”, 1975; “Kapedani” 1972, apo shfaqjen e regjisorëve si Saimir Kumbaro, Ibrahim Muçaj, Kristaq Mitro, Esat Mysliu. Në këtë periudhë nisi edhe prodhimi i filmave artistikë televizivë shqiptarë, si filmi “Udha e shkronjave”, 1978, me regji të Vladimir Priftit.
Aktori Robert Ndenika ne nje nga filmat ikone te para viteve 900 (foto QKK)
Në fund të periudhës dhe sidomos në vitet ’80 filmi artistik shqiptar trajtoi më shumë ngjarje e personazhe para Luftës II Botërore si dhet tema nga aktualiteti. Në ekran u afirmuan regjisorë të tjerë me filma si “Ballë për ballë” 1979, me regji të Kujtim Çashkut e Pirro Milkanit, “Dora e ngrohtë”1983, regji të Kujtim Çashkut, “Tela për violinë” 1987, me regji nga Bujar Kapexhiu, etj. Në vitet ‘70-’80 prodhimi i filmave dokumentarë u stabilizua në rreth 20-40 në vit. Në këtë periudhë lindi edhe filmi vizatimor shqiptar.
Krijimtaria kinematografike, e përqendruar te prodhimet e Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe te prodhimet e TV Shqiptar. Deri më 1990, nga rreth 200 filma artistikë 80 janë ekranizime nga letërsia shqiptare. Në fund të viteve ’80 në Shqipëri kishte 450 salla kinemaje e kinema lëvizëse. Por baza industriale e teknike në këtë periudhë erdhi duke u vjetëruar.
Në vitet ’90, me ndryshimin e sistemit shoqëror, u bënë reforma të thella. Kinostudioja e dikurshme u nda në disa studio dhe filmat nisën të prodhohen nga shtëpi filmike private, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, e ngritur në mesin e viteve ’90 dhe me producentë të huaj. QKK është qendër e re e administrimit të filmit në Shqipëri.
Nga xhirimet e nje filmi- (foto QKK)
Autorë të rinj dhe me përvojë, duke u mbështetur në eksperiencën e industrisë së prodhimit kinematografik të viteve të mëparshëm, me motive dhe ambicie të reja artistike, filluan të punojnë për të plotësuar hapësirat e munguara në filmin shqiptar.
Sot, komuniteti i kineastëve përballet me sfidat e reja për t’u berë pjesë e industrisë kinematografike botërore. Vitet 2000 kanë sjellë suksese dhe frymë të re në kinemanë shqiptare, duke e klasifikuar atë në Kinemanë e Autorit, shumë të pasur me individualitete dhe filma eksperimentalë.
Neritana Kraja