Zyrtarja e OKB-së shpreh keqardhje për bllokimin në procesin politik izraelito-palestinez
2023-05-17 15:26:43

Rosemary DiCarlo - OKB (Foto Xinhua)

Rosemary DiCarlo - OKB (Foto Xinhua)

Zv.sekretarja e përgjithshme e OKB-së për Çështjet Politike dhe Ndërtuese të Paqes, Rosemary DiCarlo, shprehu keqardhjen për ngërçin midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme të konfliktit izraelito-palestinez kanë qenë në qendër të punës së Kombeve të Bashkuara, tha DiCarlo në një takim special të nivelit të lartë në përkujtimin e 75-vjetorit të Nakba, e njohur si katastrofa palestineze, shkruan “Xinhua”.

Eventi përkujtimor, i organizuar nga Komiteti për Ushtrimin e të Drejtave të Pamohueshme të Popullit Palestinez, ishte në përputhje me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të miratuar më 30 nëntor 2022.

“Në këtë ditë përkujtimore, ju drejtohem me shqetësim të thellë, pasi ne shohim se perspektivat për rifillimin e një procesi politik drejt një zgjidhjeje me dy shtete, bazuar në rezolutat e OKB-së, ligjin ndërkombëtar dhe marrëveshjet e mëparshme, vazhdojnë të zvogëlohen”, tha DiCarlo.

CFP

CFP

Në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor, zgjerimi i shpejtë i vendbanimeve - i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar - po ndryshon në mënyrë dramatike tokën e parashikuar për një shtet të ardhshëm palestinez, vuri në dukje ajo.

Sipas saj, dhuna, duke përfshirë dhunën e lidhur me kolonët, mbetet e përhapur ndërsa dëbimet, prishjet dhe konfiskimet e pronave në pronësi palestineze vazhdojnë të pandërprera. Veprime të tilla minojnë perspektivat për krijimin e një shteti palestinez të qëndrueshëm, tha ajo.

Sipas Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, vitin e kaluar u regjistrua numri më i madh i palestinezëve të vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar qëkur zyra filloi regjistrimin e të dhënave për viktimat në vitin 2005. DiCarlo tha se vitin e kaluar gjithashtu u regjistrua numri më i madh i civilëve izraelitë të vrarë që nga viti 2015. (Irma)