Kina, e gatshme të ndajë mundësitë e zhvillimit me Singaporin
2023-05-17 18:13:03

Foto nga Xinhua

Pala kineze është e gatshme të ndajë mundësitë e zhvillimit me palën singaporase dhe mirëpret vazhdimin e pjesëmarrjes së Singaporit në reformën dhe hapjen e Kinës, tha të martën kryeministri kinez Li Qiang.

Gjatë një takimi në Pekin me zv.kryeministrin dhe ministrin për Financat të Singaporit Lawrence Wong, kryeministri Li theksoi se udhëheqësit e të dy vendeve i kanë ngritur marrëdhëniet dypalëshe në nivelin e partneritetit të gjithanshëm me cilësi të lartë të orientuar nga e ardhmja, duke shtuar se Kina është e gatshme të punojë me Singaporin për të siguruar që orientimi i ri i marrëdhënieve dypalëshe të ketë arritje të mëtejshme.

Duke vënë në dukje se ky vit shënon 45-vjetorin e reformës dhe hapjes së Kinës, kreu i qeverisë kineze tha se Singapori ka marrë pjesë aktive në këtë proces, me interesat e tij të lidhura ngushtë me ato të Kinës.

Ai shprehu gjithashtu shpresën se do të shfrytëzohet plotësisht mekanizmi i bashkëpunimit dypalësh në nivel zëvendëskryeministrash dhe do të nxitet në mënyrë të gjithanshme bashkëpunimi me cilësi të lartë në fusha të ndryshme.

Kina është e gatshme të diskutojë zbatimin e më shumë masave për të lehtësuar shkëmbimet e personelit me Singaporin, duke nxitur shpeshtimin e vizitave ndërmjet banorëve të të dy vendeve, shtoi Li.

Duke vlerësuar rezultatet e frytshme që ka sjellë bashkëpunimi i ngushtë me Kinën, Wong tha se Singapori është i gatshëm të punojë me Kinën për të nxitur bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë me cilësi të lartë në të gjitha fushat dhe për të çuar përpara marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve.