Artiste pjesemarrese në Muzeun Kombetar (Foto personale)
Nga 4 deri më 14 maj u zhvillua në Tiranë Bienalja e pestë Ndërkombëtare e Akuarelit. Galeria e Artit të Tiranës dhe Muzeu Historik Kombëtar mikpritën mjeshtrat ndërkombëtarë dhe bashkë më artistët e rinj shqiptarë e mbushën me ngjyra kryeqytetin shqiptar. 200 artistë nga 25 shtete u bënë bashkë këtë vit në këtë Bienale të Akuarelit, ku numrin më të madh e mbizotëruan artistët kinezë, të cilët mahnitën artëdashësit me punimet dhe demostrimet live të tyre. Në një intervistë për Radio Ejani piktori i njohur Helidon Haliti tregon për pjesëmarrjen e artistëve nga Kina në këtë Bienale, por edhe për pjesëmarrjet e tyre në ekspozitat ndërkombëtare që janë zhvilluar në Shqipëri.
CMG: Si ishte pjesëmarrja e artistëve kinezë në edicionin e pestë të Bienales ndërkombëtare të akuarelit e zhvilluar në Tiranë?
Helidon Haliti: Këto ditë u mbyll Bienalja e akuarelit, edicioni i pestë me më shumë se 3500 artistë, që në fakt kanë qenë pjesëmarrës në gjithë këto vite. Ky vit padyshim ishte shumë i veçantë sepse kishte një kurim më ndryshe me gama, por dhe me përfaqësim shkollash. Ajo që spikati ishte salla qëndrore e Muzeut Kombëtar, e cili e ka mirëpritur këtë aktivitet për rreth 10 vite dhe këtë herë u spikat sepse ishin të ftuar 15 artistë nga vende të ndryshme të botës.
Helidon Haliti gjate ceremonise se hapjes (Foto personale)
Numrin kryesor e përbënë tre mjeshtra të shkollës kineze si Hong Shan, i cili është një artist shumë në zë, autori i festivaleve në qytetin e Qingdaos ku unë kam qenë dy herë dhe jam laureuar nga çmimet më prestigjoze që ai festival ka dhënë në mesin e 100 mjeshtrave nga e gjithë bota. Ai është një organizator tejet prestigjoz që në fakt po spikat në gjithë botën me kulturën e tij, për talentin e tij dhe padyshim edhe për atë që kinezët për hir të së vërtetës kanë qenë me një mikrpritje absolutisht të rrallë.
Siç jam i informuar në shtator artisti Hong Shan po përgatitet për një nga festivalet më të mëdhenj të akuarelit që do të zhvillohet pikërisht në qytetin e Qingdaos. Pastaj vjen një nga kuratorët shumë të njohur, i cili ka organizuar bienalen e parë të akuarelit, në vitin 2014 në qytetin Shenzhen, ku në qendrën e tij kulturore ka qenë një bienale me pjesëmarrje shumë të gjerë. Aty unë jam spikatur me një nga punimet, sepse juria e caktoi që të ishte në posterat kryesore pasi e gjithë bienalja u zhvilluar përgjatë një viti dhe u vizitua nga shtatë qytete të ndryshme dhe shtatë muzeume tejet prestigjoze. Dukej si një ëndërr e realizuar nga ana ime, por më pas nga ky artist kaq i mirë që vjen me motivet kineze dhe këtu ka shokuar me pjesëmarrjen e tij sepse ka sjellë pesë vepra në akuarel, një nga të cilat është me dimensione jo të zakonshme. Vepra është 180 cm me 140 cm dhe zuri pjesën e parë dhe qëndrore të muzeut, një ekzekutim me një mjeshtëri shumë të lartë. Ai është një artist që ka qenë njëherë në Shqipëri përkundrejt Hong Shan, i cili ka qenë pesë herë në Shqipëri dhe ka marrë pothuajse të gjitha çmimet më prestigjoze që ne kemi pasur. Gjithashtu ai ka bërë shumë demostrime në Universitetin e Arteve, në Muzeun Kombëtar, në shkollën e Vlorës si dhe në disa pjesëmarrje në festivale të ndryshme kryesisht në jugun e Shqipërisë, ku ka spikatur dhe padyshim është mahnitur nga bukuria.
Ai është një mik shumë i madh i Shqipërisë, ka studiuar në Vjenë dhe sa herë që i bie rasti e viziton Shqipërinë. Gjithashtu ai ka dhe një karakteristikë sepse ka një shkollë private të tijën, por është edhe pedagog në Universitetin e Arteve të Qingdaos, ku fton shumë studentë dhe këtu u shoqërua me 34 artistë të tjerë të rinj.
Vepra e artistit nga Kina me dimensionet 180 cm me 140 cm (Foto personale)
CMG: Si u pritën veprat e artistëve kinezë nga artëdashësit që vizituan ekspozitën?
Helidon Haliti: Të gjithë këta artistë të mëdhenj janë shoqëruar nga një gamë studentësh sepse e dimë që shkolla kineze e akuarelit është absolutisht nga më të mirat në botë. Ne kemi bërë dhe dokumentarë dhe kemi shtuar një pasuri për popullin tonë se këta artistë kanë bërë shumë vepra këtu në formën e një shkëmbimi me mua, në formën e një donacioni ku sot kemi mbi 350 vepra nga gjithë mjeshtrat e botës dhe nga artistët kinezë kemi rreth 50 vepra.
Këtë herë të tre artistët kinezë kanë spikatur shumë për arsye të koleksionit të veprave, por padyshim edhe të realizimit të një teknike, e cila është nga më të vështirat. Mjeshtri nga Shenzheni me veprën e tij me dimensione të mëdha ka surprizuar të gjithë artëdashësit.
Artistja nga Kina ne Bienalen e Akuarelit (Foto personale)
CMG: Si ka qenë pjesëmarrja e artistëve nga Kina vitet e fundit në ekspozitat ndërkombëtare që janë organizuar në Shqipëri?
Helidon Haliti: Gjithmonë skuadra kineze është më dinjitoze dhe shoqërohet si në volum por edhe në cillësi. Skuadra kineze gjithmonë është shumë e pasur edhe fizikisht në Shqipëri. Erdhi pikërisht edhe presidenti i akuarelistëve të Anglisë, i cili është i kombësisë kineze dhe padyshim kjo është një gjë shumë e mirë sepse nëse shohim katalogjet që kemi prodhuar, kuptohet që gjithmonë skuadra kineze ka qenë absolutisht më dinjitoze si dhe me cilësi dhe volum.
Festivali i akuarelit është i lidhur me këtë skuadër, me këtë shkollë, gjithashtu me habinë dhe dëshirën e studentëve për të ardhur dhe për të parë një mjeshtër të madh të akuarelit të ardhur nga Kina. Edhe sot nëse pyet rreth festivalit të akuarelit, gjithmonë përshtypja do të jetë që kanë mbizotëruar padyshim artistët kinezë, të cilët gjithmonë vijnë më të rinovuar dhe më të përfaqësuar. Padyshim kanë dy tendenca të gamës së tyre tradicionale siç ishte Zhou Tianya me pesë vepra nga kostumet e mrekullueshme kineze, por edhe më tematike dhe historike që e zotëron mjeshtri Hong Shan me kalorësit kinezë apo nga një pjesë e historisë që ai e shpjegon më mirë se kaq.
Artistet kineze gjate hapjes se Bienales se Akuarelit ne Tirane (Foto personale)
Gjithashtu vjen dhe lirizmi kinez me natyrat e qeta, ku u shoqërua nga mjeshtrja e jashtëzakonshme Mishele, por që padyshim me studentët e tyre sjellin një gamë dhe një larmi gjithmonë interesante, ku shumica prej tyre prekin edhe artin kontemporan, teknika dhe eksperimentime të reja që bëjnë, pa harruar edhe tradicionalet apo traditat e lashta, sepse çdo kinez i thjeshtë penelin e kap në mënyrë të mrekullueshme dhe gjithmonë do të bëjë ndoshta një poezi në kaligrafi apo një akuarel të freskët me mjetet e tyre tradicionale.
Intervistoi: Gazmend Agaj