Eksperti kazak: Samiti Kinë-Azi Qendrore nxit bashkëpunimin dhe lidhjet mes njerëzve
2023-05-17 15:20:50

CFP

CFP

Samiti i ardhshëm Kinë-Azinë Qendrore do të ndihmojë në nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të Azisë Qendrore dhe Kinës, në rritjen e lidhjeve mes njerëzve dhe do të promovojë më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, deklaroi gjatë një interviste për “Xinhua” Adil Kaukenov, ekspert kryesor në Institutin e Kazakistanit për Studime Strategjike.

Samiti, i planifikuar për 18-19 maj në qytetin kinez të Xi'an, do të mbledhë së bashku liderët e pesë vendeve të Azisë Qendrore dhe Kinës.

Sipas ekspertit kazak, kjo ngjarje e madhe do të luajë një rol të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve Kinë-Azinë Qendrore.

Vitet e fundit, Kina dhe vendet e Azisë Qendrore kanë bërë përparim të konsiderueshëm në bashkëpunimin me nismën “Një brez, një rrugë”. Kaukenov shprehu besimin se ky samit do të ofrojë mundësi për të diskutuar më tej bashkëpunimin cilësor të nismës, për të nxitur më tej lidhjet tregtare dhe ekonomike midis të gjitha palëve.

Për marrëdhëniet aktuale të Kazakistanit dhe Kinës, Kaukenov theksoi rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit në arsim.

Universitetet dhe kolegjet kineze, tha ai, ofrojnë programe me cilësi të lartë, një gamë të gjerë disiplinash, një mjedis ndërkombëtar dhe një atmosferë të sigurt dhe të rehatshme, kështu që Kina është bërë një vend gjithnjë e më tërheqës për studentët ndërkombëtarë.

Kazakistani dhe Kina kanë forcuar bashkëpunimin e tyre arsimor në vitet e fundit me mbi 10.000 studentë kazakë që studiojnë aktualisht në Kinë, tha Kaukenov. Organizata e Bashkëpunimit të Shangait dhe nisma “Një brez, një rrugë” janë bërë platforma të mira për bashkëpunimin në arsim.

Kaukenov theksoi se Xi'an, pika fillestare e Rrugës së Mëndafshit të lashtë, është bërë një nga destinacionet kryesore të studimit për studentët kazakë në Kinë. Tani qyteti është bërë një qendër kryesore për bashkëpunimin midis vendeve të Azisë Qendrore dhe Kinës në një sërë fushash si shkenca, biznesi dhe arsimi, shtoi ai.

Duke e përshkruar Kinën si një destinacion gjithnjë e më popullor për qytetarët kazakë, Kaukenov tha se shumë njerëz nga Kazakistani janë të ngazëllyer për zhvillimin e lidhjeve të biznesit me Kinën, si dhe bashkëpunimin në fusha të tjera. (Irma)